Blog

Shef Aldo Mehmeti: Ka vend për optimizëm edhe në këtë situatë

Aldo Mehmeti është Shef Kuzhine pranë Marina Bay Luxury Resort & Spa në Vlorë, si edhe instruktor në biznes i nxënësve të Shkollës Tregtare Vlorë. Në intervistën më poshtë i bëmë disa pyetje për të kuptuar këndvështrimin e tij lidhur me situatën e pandemisë.

Shef Aldo, hoteleria e turizmi nuk po kalojnë periudhën më të mirë. Si po e përballoni ju?

Që kur nisi karantina, 15 ditët e para kemi qëndruar mbyllur. Më pas hapëm hotelin dhe gjatë fundjavave kemi pasur fluks të konsiderueshëm klientësh. Në Vlorë ka pasur lëvizje edhe nëpër plazhe këto kohë. Restoranti mbetet mbyllur por jemi duke punuar me shërbimin e dërgesave në shtëpi ku kemi vazhdimisht kërkesa. Për një shërbim sa më të mirë, dërgesat bëhen me kamarierë. Ndërkohë, për të argëtuar pushuesit në hotel, kemi organizuar koncerte mbi çatitë e vilave, me DJ apo këngë qytetare. Kjo ka krijuar një atmosferë e këndshme ndërkohë që qëndrojnë nëpër ballkone.

Si e shihni turizmin në Shqipëri këtë verë?

Deri tani e shoh me sy optimist. Tek ne ende nuk dihet se kur do hapen kufijtë; Italia deklaroi që do t’i hapë në qershor. Megjithatë, mendoj se nëse orientohet siç duhet, turizmi i brendshëm do të ketë sukses. Situatën aktuale e krahasoj me të kaluarën, kur vizat ende nuk ishin liberalizuar për Shqipërinë. Turizmi i brendshëm ka qenë shumë i zhvilluar dhe aq restorante sa ishin, kishin mjaft fluks. Ndërkohë që vitet e fundit pjesa më e madhe kanë ikur jashtë me pushime. Nëse kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur, ne shqiptarët do ta ndihmojmë njëri-tjetrin përmes turizmit të brendshëm. Kjo mendoj se do të funksionojë mirë, duke marrë parasysh që ne si popull shpenzojmë, konsumojmë dhe jemi të perkujshtuar ndaj qejfit.

Ju jeni instruktor në biznes për nxënësit e drejtimit Hoteleri-Turizëm të Shkollës Tregtare Vlorë. Si po realizohen praktikat profesionale në këto kushte? 

Aktualisht jemi duke zhvilluar një konkurs mes nxënësve të Shkollës Tregtare, “House Kitchen”, i cili transmetohet në një prej televizioneve lokale. Ata i zgjedhin recetat e gatimit në konsultim me instruktorin në shkollë dhe me mua. Më pas, 2 nxënës vendosen në konkurrim dhe unë shpall fituesin për recetën më të mirë. Kjo i ka nxitur nxënësit të jenë optimistë dhe gjatë kësaj periudhe i kam parë shumë kureshtarë dhe kërkues ndaj vetes. Edhe prindërit e tyre kanë ndikuar te kjo pjesë, pasi nxënësit gatuajnë për familjen. Kjo i ka shtyrë të kërkojnë receta të reja në internet, të shikojnë emisione gatimi dhe të më kërkojnë vazhdimisht mendim për gatimet që përgatisin.

Si e gjeni optimizmin në këtë moment të vështirë që po kalojmë?

Me gjithë stepjen fillestare kur nisi kjo situatë, me kalimin e kohës jam bërë më pozitiv. Kam lexuar më shumë, gjë që ka qenë thuajse e pamundur për një njeri si unë që nuk ndalon kurrë. Megjithatë, është e nevojshme të rikthehemi sa më shpejt në normalitet. Distancimi social është armiku kryesor i restoranteve, pasi kemi një nga punët më sociale. Ne jetojmë me kontaktet me njerëzit, komplimentet dhe kënaqësinë e tyre.

 

admin
Aldo Mehmeti është Shef Kuzhine pranë Marina Bay Luxury Resort & Spa në Vlorë, si edhe instruktor në biznes i nxënësve të Shkollës Tregtare Vlorë. Në intervistën më poshtë i bëmë ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.