Blog

4 parashikime për të ardhmen e punës

Inteligjenca artificiale mund të krijojë vende pune, por jo të na i grabisë neve, thotë Drejtori Ekzekutiv i Upwork, platformë online për ofrimin e shërbimeve në mënyrë të pavarur (freelance).

Unë mendoj për të ardhmen e punës çdo ditë, si në jetën time profesionale ashtu edhe në atë personale. E ardhmja më intereson, si baba i katër fëmijëve (nga 4 deri në 14 vjeç) dhe si qytetar i botës.

Si Drejtor Ekzekutiv i  platformës online për ofrimin e shërbimeve në mënyrë të pavarur (freelance) Upwork, unë jam dëshmitar i drejtpërdrejtë jo vetëm i ndryshimeve të mëdha brenda industrisë sonë, por edhe i shpejtësisë me të cilën po ndodhin ato. Në Forumin Ekonomik Botëror, ku unë bashkë-kryesoj Këshillin për të Ardhmen e Punës, Gjinisë dhe Arsimit, ne kemi nxitur lindjen e diskutimeve në lidhje me ndikimin e inteligjencës artificiale tek puna në të ardhmen dhe përgjegjësitë tona për të ndihmuar për menaxhimin e ndryshimit. Ne shohim që, ndërsa fuqia punëtore evoluon, ne duhet më në fund të çlirohemi nga zakonet e epokës industriale e së kaluarës, për të siguruar një të ardhme më produktive dhe më të drejtë.

Më poshtë gjeni katër parashikimet e mia për të ardhmen e punës, bazuar në përvojën time gjatë vitit 2017 dhe të informacionit të marrë nga librat që kam lexuar.

 

1. Inteligjenca Artificiale dhe robotika do të krijojnë më shumë vende pune, jo papunësi masive – për sa kohë që ne do të  udhëheqim inovacionin me përgjegjësi.

Objekt i debatit gjithnjë në rritje është nëse inteligjenca artificiale do të përparojë dhe do të marrë kontrollin. IA është “kërcënimi më i madh ekzistencial” për njerëzimin, thotë udhëheqësi i teknologjisë Elon Musk. Fantashkenca është plot me histori për makineri që pushtojnë njerëzit, por ky nuk është një koncept i mbështetur nga historia apo nga të dhënat.

Siç e kam debatuar edhe më herët gjatë këtij viti, ndikimi i IA tek e ardhmja nuk sjell  fundin e botës për vendet e punës. Në fund të fundit, këto makineri nuk krijohen vetë. Përkundrazi, na takon neve që të udhëheqim inovacionin me përgjegjësi. Kjo nënkupton hapjen e dritareve të reja të mundësive, dhe jo eleminimin e tyre.

Elon Musk nuk është personi i parë që e pranon se ka frikë nga “fuqizimi i makinave”. Çdo brez para nesh ka pasur frikë nga ndryshimet e mëdha teknologjike. Në fund të fundit, automatizimi ka krijuar më shumë vende pune – jo më pak – dhe unë nuk parashikoj që kjo gjë do të ndryshojë së shpejti. Thënë kjo, është e vërtetë se disa vende pune do të zhduken dhe është e lehtë të arrish në përfundimin se cilat do të jenë ato, por është shumë më e vështirë të dimë se për cilat vende pune do të ketë kërkesë pas 30 vjetësh.

Si e tillë, unë parashikoj që në të ardhmen nuk do të ketë mungesë të vendeve të punës, por më tepër një mungesë të aftësive që nevojiten për këto vende pune. Në vitin 2018, më në fund ne duhet të kuptojmë se këtu nuk bëhet më fjalë për njeriun kundrejt makinerive, por për njerëzit dhe makineritë që punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e botës. Janë njerëzit ato që në fund të fundit vendosin për rrjedhën e ardhshme të veprimit.

Imazhi 1: Çfarë vlerësojnë më shumë millennials (të rinjtë e shekullit të 21-të) nga një punë?

 

2. Qytetet do të konkurrojnë me qytetet e tjera në luftën për talentet më të mira

Kur, në muajin tetor, Amazon zbuloi planet  e saj për të investuar mbi 5 miliard dollarë në ndërtimin e një selie të dytë, ajo mori më shumë se 200 propozime nga qytete të ndryshme. Metropolet në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë të pamundurën që të tërhiqnin vëmendjen e Drejtorit Ekzekutiv të Amazon, Jeff Bezos. Sa për të përmendur disa: improvizuan selitë e Amazon me kuti kartoni, blenë 1,000 produkte të rastësishme në Amazon dhe shkruan komente me pesë yje për secilin, ndriçuan pika të tilla referimi si Empire State Building  në ngjyrën portokalli të Amazon.

Një qytet që e injoroi këtë mani ishte San Jose në Kaliforni. Kryebashkiaku i tij largpamës Sam Liccardo zgjodhi talentin dhe jo konçesionet. Në një artikull për Wall Street Journal, “Pse unë nuk po jap oferta për Selinë e Amazon”, kryebashkiaku Liccardo shpjegoi se “kompanitë e mëdha si Amazon duan të jenë aty ku është talenti i teknologjisë”. Edhe unë kështu mendoj. Tërheqja e zyrave të reja të korporatave si ato të Amazon në një qytet, vetëm do të përjetësonte një cikël të paqëndrueshëm.

Lufta për talente në të ardhmen nuk do të jetë më në mes të kompanive; ajo do të jetë midis qyteteve. Teksa teknologjia e çliron shoqërinë dhe puna në distancë kthehet në diçka të zakonshme, njerëzit do të jetojnë në qytete që do t’i zgjedhin vetë dhe jo në qytete që janë më afër vendit të tyre të punës. Qytetet që ato do të zgjedhin do të kenë një “energji” të caktuar nëpërmjet ofrimit të alternativave tërheqëse për jetesë në mjedise miqësore me teknologjinë.

Imazhi 2: A janë këto profesionet më të mira të botës?

 

3. Në vitin 2027, pjesa më e madhe e fuqisë punëtore amerikane do të ushtrojë profesionet e lira (freelance)

Sot më shumë se 57 milionë punëtorë – rreth 36% e fuqisë punëtore të SHBA – ofron shërbime në mënyrë të pavarur (freelance) ose thënë ndryshe, ushtron profesionet e lira. Bazuar në normat aktuale të rritjes së fuqisë punëtore, në vitin 2027, pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të SHBA do të ushtrojë profesionet e lira. Brezi më i ri i fuqisë punëtore po e udhëheq këtë prirje, ku pothuajse gjysma e millennials, të rinjve të shekullit të 21-të, janë të pavarur dhe ushtrojnë profesionet e lira.

Imazhi 3: Profesionet e lira në Amerikë. Burimi: Freelancers Union and Upwork

 

Njëkohësisht, do të ketë edhe një përthithje në shkallë të gjerë të talenteve të pavarura nga kompanitë që kërkojnë të mbushin mangësitë që kanë patur përsa i përket talenteve.  Në fakt, sipas një raporti të Institutit të Internetit në Oksford, në vitin 2017 përdorimi i platformave të talenteve në rradhët e ndërmarrjeve të mëdha u rrit me 26%. Kompani si Pfizer dhe Samsung kanë përqafuar këtë frymë në rritje të ndërmarrjeve që i janë drejtuar internetit për të gjetur persona që ushtrojnë profesionet e lira.

Imazhi 4: Profesionet e lira në Amerikë. Burimi: Freelancers Union and Upwork

 

4. Arsimi do të shkëputet nga izolimi

Sistemi ynë arsimor është i dëmtuar. Mënyra se si i edukojmë brezat e ardhshëm nuk i përgatit ato më në mënyrë adekuate për aftësitë dhe vendet e sotme të punës. Nuk është e arsyeshmë që ju të studioni matematikë, shkencë dhe art në rininë tuaj si disiplina të veçanta dhe pastaj të punoni për të zgjidhur problemet reale të botës në ekonominë e sotme. Përgatitja e studentëve për punën e nesërme kërkon rrëzimin e barrierave brenda arsimit për ndarjen e informacionit.

Unë jam optimist që arsimi në të ardhmen do të bëhet më fleksibël për t’iu përshtatur nevojave të një fuqie punëtore të shekullit të 21-të. Shkollat që ushtrojnë mësimin mbi bazën e projekteve* të ofruara nga ekspertë të teknologjisë, po shtohen dita-ditës. Shembujt përfshijnë Holberton në San Francisko, themeluar nga Sylvain Kalache dhe Julien Barbier; Wildflower School në Boston, e themeluar nga ish ekzekutivi i Google Sep Kamvar; dhe Portfolio në Nju Jork, themeluar nga Babur Habib dhe Doug Schachtel. Këto shkolla përgatisin terrenin për mënyrën se si do të duket arsimi në të ardhmen. Ne do të rishikojmë mënyrën se si zhvillohen dhe shpërndahen talentet, dhe do të përgatisim studentët për të nxënit gjatë gjithë jetës me një ritëm më të mirë për të ndjekur zhvillimin e shpejtë të aftësive.

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze nga Stephane Kasriel, CEO, Upwork, në faqen online të Forumit Botëror të Ekonomisë.

Klikoni këtu për të lexuar artikullin në gjuhën angleze.

—————————————————————–

*Zhvillimi i mësimit mbi bazën e projekteve është një koncept që ka nisur së fundmi të ushtrohet në disa shkolla profesionale në Shqipëri, ndër të cilat përmendim: shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë, “Kristo Isak” në Berat, shkollën Tregtare dhe shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë. Ushtrimi i kësaj praktike mësimore në masë në këto shkolla është bërë i mundur përmes ndihmës dhe orientimeve të projektit “Aftësi për punë”, duke nisur nga viti 2016.

—————————————————————–

Lexoni më shumë mbi Këshillin për të Ardhmen e Punës, Gjinisë dhe Arsimit duke klikuar këtu.

Lexoni artikullin “Pse unë nuk po jap oferta për Selinë e Amazon?” duke klikuar këtu.

Mësoni më shumë mbi normat aktuale të rritjes së fuqisë punëtore, në faqen Profesionet e lira në Amerikë: 2017,

—————————————————————–

skillsforjobs
Inteligjenca artificiale mund të krijojë vende pune, por jo të na i grabisë neve, thotë Drejtori Ekzekutiv i Upwork, platformë online për ofrimin e shërbimeve në mënyrë të pavarur ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.