Blog

‘Aftësi për Punë’ S4J prezanton në Kongresin e tretë Ndërkombëtar për AFP-në risitë që janë bërë pjesë e sistemit shqiptar të AFP

Kongresi Ndërkombëtar për Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) shërben si një platformë për aktorët që janë pjesë e  bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e AFP-së për t’u angazhuar në dialog të hapur dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira. Edicioni i tretë i këtij aktiviteti u mbajt në Winterthur, Zvicër, nga data 6 deri më 8 qershor dhe mblodhi së bashku më shumë se 500 pjesëmarrës nga mbi 80 vende, nën moton Aftësi për Punësueshmëri dhe Karrierë. Ky aktivitet ishte një ngjarje e madhe, e cila adresoi nevojën për përshtatje të AFP-së për t’iu përgjigjur  realiteteve të reja në një botë të digjitalizuar të punës.

Ndër folësit kryesorë në këtë Kongres mund të përmendim Sekretaren amerikane për Arsimin, Znj. Betsy Davos, Ministrin e Arsimit të Singaporit, Z. Ong Ye Kung, Titullaren e Burimeve Njerëzore dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Siemens AG, Znj. Janina Kugel. Mbi 30 praktikantë u sollën në skenë për të ndarë me pjesëmarrësit në këtë kongres përvojat e tyre në lidhje me të nxënit dhe punën në kompani në industri të ndryshme në të gjithë Zvicrën.

Këtë vit delegacioni shqiptar u udhëhoq nga Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Znj. Dajna Sorensen. Pjesë e këtij delegacioni ishin Drejtori Rajonal i Swisscontact për Europën Lindore Z. Henry Leerentveld, Drejtori i Bordit të shkollës ‘Hamdi Bushati’, Z. Gjergj Leqejza; kolegë nga PNUD-i, Helvetas Intercooperation (RISI Albania), Swisscontact (‘Aftësi për Punë’ S4J); përfaqësues të stafit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe drejtorë të shkollave ofruese të AFP.

‘Mënyrat e Reja të Të Nxënit për të rinj të punësueshëm në Shqipëri – ‘Aftësi për Punë’ S4J

‘Aftësi për Punë’ S4J ishte një nga gjashtë projektet e përzgjedhura nga Komiteti Organizativ i Kongresit për të prezantuar. Drejtori i projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J, Z. Henry Leerentveld bëri një prezantim të projektit. Prezantimi u fokusua tek Mënyrat e Reja dhe Mësimi i Kombinuar, për të pasuruar mundësitë e trajnimit dhe për të rritur fleksibilitetin tek ofruesit e AFP-së të mbështetura nga projekti dhe më gjerë. Nëpërmjet këtij prezantimi, pjesëmarrësit u njohën edhe me disa të dhëna dhe rezultate në lidhje me përdorimin e platformave virtuale, integrimin e standardeve të industrisë, rikonceptualizimin e rolit të mësuesit si lehtësues, përdorimit të metodave që kanë nxënësin në qendër dhe që nxisin kreativitetin dhe talentet, të tilla si të nxënit nëpërmjet problemeve dhe infrastrukturën favorizuese përmes klasave të mësimit të kombinuar dhe hapësirave të përbashkëta të të nxënit.

A jeni i interesuar të mësoni më shumë rreth edicionit të tretë të Kongresit për AFP? Shikoni videon informuese në vijim.

 

skillsforjobs
Kongresi Ndërkombëtar për Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) shërben si një platformë për aktorët që janë pjesë e  bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e AFP-së për t'u angazhuar në dialog ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.