Altin Prenga: Duhen synuar modelet e qëndrueshme të biznesit

Altin Prenga: Duhen synuar modelet e qëndrueshme të biznesit

Altin Prenga është pronar i kompleksit të agroturizmit “Mrizi i Zanave”. Zhvilluam intervistën më poshtë për të marrë këndvështrimin e tij lidhur me situatën e pandemisë.

A ishit të përgatitur për situatën që po kalojmë? Si po e përballon biznesi juaj?

Nuk ishim të përgatitur, por fakti që jemi një sipërmarrje e qëndrueshme prodhuese bën që ta përballojme pak më mirë se të tjerët. Megjithëse restoranti është i mbyllur, ne vazhdojmë të shesim produktet e fermerëve të zonës, gjithçka që ka qenë në shitje edhe më parë. Produktet ua dërgojmë klientëve në shtëpi, kryesisht në rrethin e Tiranës, Lezhës e Durrësit, dhe aktualisht kemi rreth 50-60 porosi në ditë. Për momentin kemi 23 punonjës aktivë, ndërkohë që të gjithë punonjësit, edhe ata që janë në shtëpi, paguhen pa përjashtim me paga minimale.

Si mendoni, si do të ndryshojë mënyra e të bërit biznes duke marrë shkas nga situata e krijuar?

Në rastin e biznesit tonë, nuk mendoj që do të kemi shumë ndryshime. Duke qenë se kemi krijuar një rrjet të qëndrueshëm prodhuesish, vazhdojmë shitjet dhe bashkëpunimin me fermerë e punonjës, mendoj se kur do të përfundojë periudha e pandemisë do të kthehemi në normalitet. Sigurisht, fuqia blerëse dhe të ardhurat e përgjithshme do të ulen, kështu që në nivel global do të nevojiten më shumë modele biznesi të qëndrueshme.

Si e realizoni komunikimin me klientët? Si po ndryshon marketingu e komunikimi në këtë situatë? 

Ne përdorim rrjetet sociale dhe faqen e internetit për marketingun dhe shitjet, gjë që kemi bërë edhe më parë. Kemi rreth 200,000 ndjekës në Facebook dhe po aq në Instagram. Jemi me fat që ndjekësit tanë janë dashamirës të ushqimit të mirë, dhe ato produkte që publikojmë online porositen menjëherë, aq sa ditën tjetër publikojmë të reja. Gjithsesi, mendoj që ato kompani që nuk janë mbështetur tek promovimi e shitjet online, duhet ta konsiderojnë seriozisht këtë.

Ju jeni edhe biznes që ofron praktika profesionale për nxënësit e shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë. Si menaxhohen këto praktika për momentin?

Fatkeqësisht në këtë situatë praktikat profesionale janë bllokuar dhe ne jemi në gjendje emergjence që të mund të vazhdojmë aktivitetet me nxënësit. Kemi shumë përgjegjësi sociale për punonjësit tanë dhe qindra familje fermere. Tani shkollat duhet ta marrin situatën në dorë përmes mësimit në distancë, në mënyrë që nxënësit të vazhdojnë procesin mësimor.

A po ndryshojnë nevojat për aftësi profesionale në këto kushte? Cila mendoni se duhet të jetë qasja e shkollave profesionale për t’iu përshtatur situatës?

Kushtet e pandemisë kërkojnë investim në aftësi e prodhim vendas. Siç e kemi parë, çmimet e produkteve të importuara janë rritur. Në këtë pikë, mendoj që shkollat profesionale mund të kontribuojnë duke ofruar degën e teknologjisë ushqimore. Shkolla “Kolin Gjoka” e ka bërë këtë dhe nxënësit e këtij drejtimi i zhvillonin praktikat tek ne, përpara se të ndalonin aktivitetet. Këta të rinj po edukohen me modele të qëndrueshme dhe shpresojmë që në një të ardhme t’i shfrytëzojnë njohuritë për të krijuar modele të reja, edhe më të mira.

Po jetojmë të gjithë në një realitet të pasigurt, por a mendoni se ka anë pozitive?

Në shkallë globale, mendoj se situata po shkakton reflektim për t’u orientuar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme. Ajo që kemi mësuar është se vetëm suksesi i përbashkët si shoqëri mund të konsiderohet i tillë ndërkohë që përfitimi individual nuk do të thotë asgjë. Për të kaluar krizën sa më mirë, mendoj se edhe vendi ynë duhet të stimulojë sipërmarrjet e qëndrueshme e të rrisë prodhimin vendas.

 

Share This Article: