Blog

Lançohet Rrjeti Kombëtar i Bizneseve Partnere të AFP

Punojësit e kualifikuar janë faktor kyç për biznese fitimprurëse dhe një ekonomi në rritje. Në vende si Zvicra, janë sipërmarrësit ata që luajnë një rol drejtues në prodhimin e vazhdueshëm të profesionistëve të aftë. Kështu, përfitojnë si kompanitë ashtu dhe nxënësit, pasi të parat gjejnë punonjës kompetentë, ndërsa të dytët gjejnë punë, pra, një situatë ku përfitojnë të gjithë. Por si mund të bëhet kjo realitet në Shqipëri ku aftësimi profesional dhe biznesi janë ende larg?
Projekti zviceran “Aftësi për Punë” po punon me shkollat profesionale në Vlorë, Lezhë dhe Berat.

Ai synon të sjellë bizneset në shkollë dhe shkollën (nxënësit) tek bizneset. Dhe e gjithë kjo nisi me 22 sipërmarrës të mirënjohur në Hoteleri, Turizëm dhe Teknologji Informacioni&Komunikimi, të cilët vizituan 4 shkolla profesionale në Nëntor. Sipërmarrësit ndanë me nxënësit historitë e tyre të biznesit. Kjo jo vetëm që i motivoi nxënësit, por për herë të parë ata u orientuan nga vetë kompanitë për kompetencat që të ndihmojnë të gjesh dhe të mbash një punë. Për shumicën e këtyre sipërmarrësve, ishte e para herë që vizitonin një shkollë profesionale publike. Takimi me nxënësit, me drejtuesin dhe mësuesit, si dhe njohja e infrastrukturës shërbeu si fillesa e një bashkëpunimi tepër të nevojshëm.
Këto biznese u bënë bashkë për të ndarë përshtypjet e tyre nga vizitat që patën. Samiti solli një dialog të hapur me drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe politikëbërësit për të vendosur hapat e nevojshme për rritjen e pjesëmarrjes së bizneseve në zhvillimin e aftësive praktike për të rinjtë. “Kemi nevojë për njerëz të saktë në biznes.

Unë do të kisha hapur 50 Komitete, po të gjeja staf të kualifikuar”-deklaroi Arbër Ҫepani, pronar i një bari tematik në kryeqytet. Ndërsa Rezart Prifti, administrator i një kompanie programimi, theksoi se rinia sot ka nevojë për figura, modele pune që t’i frymëzojnë, jashtë politikës. Sipas tij, këto vizita të biznesit në shkolla e arritën qëllimin.
Por ky takim nuk u ndal vetëm këtu. Disa sipërmarrës morën aty për aty angazhime direkte për të ofruar vende praktike për 100 nxënës. Një kompani ofroi mbështetje për krijimin e një faqe moderne interneti për shkollën Kolin Gjoka, ndërsa një hotel i madh i sapohapur në Tiranë vendosi të trajnojë mësuesit e shkollave profesionale për të qenë gjithnjë në kontakt me industrinë e shërbimeve.
“Vizita juaj në shkollë dhe këto mundësi që jepni na bëjnë me krahë për profilin që kemi zgjedhur” – tha Xhoana, një nxënëse e degës së Hoteleri-Turizmit, Shkolla profesionale Kristo Isak, e pranishme në samit.
“Në Zvicër mësohet diçka që do të vihet në praktikë në punë, prandaj edhe kemi nivel të ulët papunësie të rinisë. Në fillim biznesi duhet të investojë pak me stazhet e nxënësve, por në fund përfitojnë të gjithë” – theksoi Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Z. Graf, duke përshëndetur sipërmarrësit shqiptarë që bashkëpunojnë në aftësimin e të rinjve. “Shqipëria duhet të zhvillojë modelin e vet të sistemit dual, bazuar në përvojat më të mira evropiane dhe këtë po bëjmë- tha Zj. Silvana Banushi, Drejtoreshë e Përgjithshme pranë Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Sigurisht, një nga momentet speciale të takimit ishte Ceremonia e Ҫmimeve për fituesit e konkursit të nxënësve “Eseja më e Mirë”. Këto ese ishin frymëzuar nga historitë e biznesit që sipërmarrësit ndanë gjatë vizitave të tyre në shkollat profesionale. 4 nxënësit fitues nga 450 esetë e paraqitura, u shpërblyhen me nga një tablet.

skillsforjobs
Punojësit e kualifikuar janë faktor kyç për biznese fitimprurëse dhe një ekonomi në rritje. Në vende si Zvicra, janë sipërmarrësit ata që luajnë një rol ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.