Blog

Gati.al: Profesionistë sipas kërkesës

Bota e punës po ndryshon me shpejtësi. Tashmë njerëzit gjithnjë e më shumë po përdorin telefonin smart për të kërkuar profesionistë të të gjitha fushave. Platforma Gati.al bën pikërisht këtë: lidh klientët me profesionistët e tregut. Biznes per Biznes: Ajo është gjithashtu një urë lidhëse mes bizneseve, për shembull në rastin kur një një biznes IT dëshiron të lidhet me ekspertë kodues ose programues.

E krijuar me mbështetje nga S4J, Gati.al u lançua në qershor 2018. Në të njëjtin vit, ajo u njoh si platforma më e mirë e mobilitetit për vitin 2018 në edicionin e 6-të të ICT Awards Albania.

Gati.al ndihmon profesionistët të përshtaten me kërkesat e momentit. Gjithashtu, ajo u jep mundësi ekspozimi në treg nxënësve të AFP-së, veçanërisht ata në degët teknike, si: mekanikë, ndërtim dhe TIK, të cilët do të jenë pjesërisht të vetëpunësuarit e së ardhmes.

Për të kuptuar më shumë bëmë një bisedë me Julian Demetin, themelues i kompanisë “Albanian Business Partner” (ABP) e cila zhvilloi edhe platformën Gati.al.

 

Si ka qenë ecuria e Gati.al që nga lançimi i saj deri sot?

Gati.al u krijua në një moment kur tregu kishte nevojë për këtë platformë, por në të njëjtën kohë njerëzit në Shqipëri nuk ishin mësuar me shërbime të tilla online. Zakonisht, profesionistët i kemi gjetur përmes rekomandimit të të njohurve. Ndërkohë që platforma funksionon me një sistem rekomandimi në bazë të cilësisë së shërbimit që marrin përdoruesit. Gjithashtu, klientët nuk ishin mësuar me format e regjistrimit duke bërë që përdorimi të ishte i kufizuar. Kjo na bëri që përdorimin ta linim të hapur, pra klientët mund t’i kontaktojnë direkt profesionistët pa pasur nevojë për t’u regjistruar.

Me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” nisëm fushatën e promovimit dhe rritëm numrin e profesionistëve të regjistruar në platformë. Këtu synuam edhe nxënësit e klasave të 13-ta nga shkollat profesionale, të cilët diplomoheshin së shpejti dhe dëshironin të vetëpunësoheshin, gjithashtu edhe mundësinë për praktika pranë profesionistëve të caktuar. Përveç faktit që kanë nevojë të lançohen në treg, të rinjtë janë edhe më të hapur ndaj përdorimit të teknologjisë.

Numri i përdoruesve rritet çdo vit dhe tashmë kemi 3.024 profesionistë të regjistruar në platformë (2,879 të verifikuar) dhe 217 profesione. Një pjesë e mirë e përdoruesve ende kërkojnë që ne t’iu sugjerojmë profesionistët më të mirë. Platforma u mundëson klientëve të shkruajnë një referencë/koment sapo puna të ketë përfunduar, por kjo ende nuk është përhapur si kulturë në Shqipëri.

 

Po gjatë periudhës së distancimit social?

Ne e masim fluksin në platformë përmes vizitave dhe telefonatave. 2 javët e para të izolimit nuk ka pasur aktivitet. Megjithatë, kohët e fundit që po i rikthehemi normalitetit, ka pasur kërkesa në rritje si nga familje ashtu edhe për shërbime në biznese si bare, restorante, etj. të cilat e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për punime të ndryshme.

 

Kompania “Albanian Business Partner” ofron praktika profesionale për nxënësit e shkollës profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë. Si ka qenë ecuria e praktikave gjatë kësaj periudhe?

Për momentin kemi 25 praktikantë nga shkolla “Gjergj Canco” dhe jemi gati të marrim një grup tjetër. Gjatë kësaj periudhe kompania ka vazhduar aktivitetet e saj. Me praktikantët kemi komunikuar vazhdimisht dhe nuk e kemi ndërprerë në asnjë moment praktikën online. U lëmë detyra dhe takohemi online 2-3 herë në javë për të parë punën e tyre dhe për t’u konsultuar. Nxënësit kanë përparuar jashtë mase këto 2 muaj. Sigurisht, jo të gjithë kanë të njëjtin impenjim, gjë që varet edhe nga aksesi në internet apo mungesa e infrastrukturës, por jemi munduar t’ua bëjmë punën sa më të thjeshtë e të jemi fleksibël. Praktikantët i kemi angazhuar edhe me projekte reale për të cilat i kemi paguar sipas kontratës me kompaninë.

Deri tani, praktikantët janë përzgjedhur nga radhët e nxënësve më të mirë. Por më të mirët me mësime nuk janë detyrimisht më të mirët në praktikë. Për këtë arsye, kemi vendosur së bashku me shkollën që vitin tjetër t’u japim një mundësi për praktikë të gjithë nxënësve. Pasi t’i testojmë në praktikë, do të përzgjedhim më të mirët. Gjithashtu, do të sigurojmë klasa online me të dhëna bazë për të gjithë nxënësit e shkollës, e pas testimit do të përzgjidhen më të mirët. Në këtë mënyrë, do të rritet edhe konkurrenca mes të rinjve.

Kemi biseduar edhe me mësuesit e shkollës mbi nevojat që ata kanë për trajnime, në mënyrë që të ecin paralelisht me trajnimet e ofruara nga ne. Gjithashtu, duke qenë se kompania është pjesë e bordit drejtues, kemi menduar që të përfshijmë edhe këshillin e prindërve nëpër mbledhjet e bordit, në mënyrë që të jemi të gjithë në të njejtën linjë dhe nxënësit të kenë mbështetje nga të gjitha hallkat.

admin
Bota e punës po ndryshon me shpejtësi. Tashmë njerëzit gjithnjë e më shumë po përdorin telefonin smart për të kërkuar profesionistë të të gjitha fushave. Platforma Gati.al bën pikërisht ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.