Blog

Studimi gjurmues: më shumë të diplomuar nga AFP në tregun e punës

Studimi gjurmues është thelbësor për vlerësimin e punës së shkollave gjatë përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm për tregun e punës. Megjithatë, shumica e institucioneve profesionale në Shqipëri nuk kanë në dispozicion një sistem për të monitoruar informacionin në lidhje me nxënësit që mbarojnë shkollën. Pa këtë sistem, institucionet e AFP-së nuk mund të marrin të dhëna të sakta për nivelin e punësueshmërisë së nxënësve të tyre apo të përshtatin ofertën dhe kualifikimet e tyre për të përmbushur më mirë nevojat e tregut të punës.

 

Që nga viti 2016, “Aftësi për Punë” S4J ka mbështetur fillimisht 5 ofrues të AFP-së partnerë të projektit dhe më vonë në vitin 2017 edhe dy ofrues të tjerë të AFP-së, për të krijuar një sistem gjurmimi në nivel ofruesi. Me anë të një sistemi të tillë institucionet janë në gjendje të informohen dhe të matin përqindjen e nxënësve që gjejnë  një vend pune tërheqës pas diplomimit.

 

Meqenëse gjurmimi i punësueshmërisë së të diplomuarve është një nga funksionet kryesore të Njësisë së Zhvillimit të shkollave, gjatë muajve të fundit ‘Aftësi për Punë’ S4J ka ofruar ngritjen e kapaciteteve dhe ndihmesë të vazhdueshme për mësuesit e shkollave të angazhuara në këtë proces.

 

Studimi i parë gjurmues u krye në vitin 2017, duke u fokusuar tek nxënësit e diplomuar në vitin 2016. Në maj të vitit 2017, projekti së bashku me stafin e shkollës përgatiti një pyetësor duke përdorur mjetet online. Për të motivuar ish nxënësit për të plotësuar pyetësorin e gjurmimit u organizua edhe një llotari. Pavarësisht vështirësive në kontaktimin e të gjithë popullatës së synuar, shkalla e përgjigjes ishte në masën prej 50%.

 

Studimi Gjurmues për të diplomuarit e vitit 2017 përfundoi në korrik 2018

 

Gjatë raundit të dytë të gjurmimit të të diplomuarve, të dhënat u grumbulluan në 6 shkolla profesionale, duke përfshirë edhe 2 shkollat e reja partnere. Megjithatë, krahasimi midis dy studimeve gjurmuese ishte i mundur vetëm midis 4 shkollave partnere të mbështetura nga projekti që nga viti 2016. Krahasuar me studimin e parë gjurmues, rezultatet duken optimiste.

 

Në pyetësor morën pjesë 75% e nxënësve të diplomuar në vitin 2016 (krahasuar me 50% prej tyre në studimin e parë). 49% e nxënësve të diplomuar në vitin 2017 kishin gjetur punë brenda një viti pas diplomimit nga shkolla profesionale (krahasuar me 33.4% për nxënësit që u diplomuan në vitin 2016).

 

Nga grupi i të diplomuarve në vitin 2017, numri i të diplomuarve që kishin hyrë në tregun e punës ishte më i lartë, ndërsa numri i nxënësve që kishin vazhduar shkollimin e mëtejshëm ishte më i ulët (10%). Për të diplomuarit e punësuar, 56% e tyre kishin marrë një ofertë pune përpara se të diplomoheshin nga shkolla (një rritje e madhe kjo krahasuar me nivelin 35% në studimin e parë gjurmues).

 

Ekspozimi ndaj botës së punës që në ditët e para të studimeve të tyre në arsimin profesional i ndihmon të rinjtë që të lulëzojnë në tregun e punës. Të dhënat nga një studim aftashkurtër i realizuar në muajin maj 2018 tregojnë se 53% e nxënësve në shkollat partnere të “Aftësi për Punë” (S4J) që u diplomuan në vitin 2018 kishin marrë dhe pranuar një ofertë pune para përfundimit të shkollës profesionale (baza 2016: 12.5%).

 

Në vitin e dytë të studimit gjurmues, të diplomuarit përdorën më shumë mjete për të gjetur punë, krahasuar me studimin e parë gjurmues, duke përfshirë kontaktet e krijuara gjatë praktikës pranë bizneseve dhe përmes mësuesve të tyre.

skillsforjobs
Studimi gjurmues është thelbësor për vlerësimin e punës së shkollave gjatë përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm për tregun e punës. Megjithatë, shumica e institucioneve profesionale në Shqipëri nuk kanë ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.