Hapet Klasa e Parë e Mësimit të Kombinuar në Arsimin Profesional Shqiptar

Hapet Klasa e Parë e Mësimit të Kombinuar në Arsimin Profesional Shqiptar

Tashmë arsimi profesional shqiptar është një hap përpara. Aftësi për Punë bashkë me Shkollën Industriale Pavarësia Vlorë sollën “Klasën e Mësimit të Kombinuar”, e para e këtij lloji në vend. Ky kabinet high-tech ofron mundësinë e mësimit përmes informatikës. Kështu të nxënit bëhet jo vetëm më bashkohor dhe tërheqës, por edhe më efektiv. Risia nuk është thjesht tek teknologjia e fundit me tabletat apo ekranet interaktive. Është edhe rikonceptimi i klasës, me hapësira ndryshe nga ato tradicionale dhe një rol më mbështetës të mësuesit. Në një mjedis plot ngjyra stimuluese për të rinjtë, nxënësit mund të punojnë në grup, individualisht, të aksesojnë materiale online e të mësojnë duke luajtur.

Dhe po duken rezultatet e para. “ Kishte kuriozitet të madh tek nxënësit kur nisën punimet e klasës së re”, – na tregon Lorena File, mësuese e informatikës aty. “Rrallë herë i kisha parë nxënësit e mi kaq të motivuar sa kur hynë tek klasa e sapopërfunduar. Padurimi për të përdorur tabletat dhe dëshira për punuar mësimin me programe të ndryshme prezantimi ishte e madhe.

Disa prej tyre nuk dolën as për pushimin e gjatë, vazhdonin punonin dhe eksploronin klasën dhe laptopët e rinj, ” – thotë ajo me entuziazëm. Vetë Lorena File, është pjesë e grupit të mësuesve që po trajnohen intensivisht nga Aftësi për Punë për të udhëhequr më pas procesin e masivizimit të didaktikës virtuale në arsimin profesional.

Ing. Gentian Boçi, Drejtor i Shkollës Pavarësia, thotë se klasa e re po inspiron edhe ata mësues që janë “më rezistentë” ndaj metodave të reja të mësimdhënies. Disa prej tyre po ndihmohen nga nxënësit e dalluar të informatikës që t’i bëjnë materialet tradicionale mësimore më atraktive duke i kthyer p.sh. në formë videoje. Sipas tij, kjo sjell vëmendje dhe dëshirë për të mësuar tek nxënësit, duke rritur direkt rezultatet mësimore.

E gjithë kjo është pjesë e paketës “Mësoj Ndryshe” të prezantuar nga Aftësi për Punë. Kjo paketë metodash të reja mësimi dhe të nxëni po gjen zbatim pikësëpari në Klasën e Mësimit të Kombinuar tek Shkolla Pavarësia. Duke parë suksesin e saj, Aftësi për Punë ka hapur deri tani edhe 2 klasa të reja të këtij lloji në shkollat profesionale partnere në Lezhë dhe Vlorë. Berati do të jetë edhe qyteti tjetër që do të përfitojë këtë inovacion të arsimit profesional, konkretisht tek shkolla e mesme profesionale Kristo Isak.

Share This Article: