Blog

Kryeministri Rama viziton shkollën novatore në Vlorë

Kliko këtu për videon e vizitës së Kryeministrit në Shkollën Industriale “Pavarësia”.

Kliko këtu për fjalimin e Kryeministrit në Prezantimin e Programit Kombëtar Punësimi 2021.  

 

Vlorë, 30 mars – Një shkollë profesionale, ku mësimi zhvillohet më laptop dhe SmartTV, ofron aftësim praktik të nxënësve në bashkëpunim me kompani lider të fushës dhe aspiron të ofrojë në shtator programe mësimore për e-Cars (makinat elektrike).

Jemi në Zvicër? Jo, jemi në shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë, e cila sot priti vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, të shoqëruar nga znj. Dajna Sorensen, zv. Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Mesazhi i kësaj vizite: Arsimi profesional, i udhëhequr nga inovacioni dhe kërkesa e tregut = garanci për punësimin e të rinjve shqiptarë dhe avantazh konkurrues për ekonominë.  

 

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u njoh nga afër me procesin që ka përfshirë shkollën në vitet e fundit, duke e transformuar gradualisht nga një institucion arsimor tipik të një sistemi post-komunist, në një qendër moderne të dijes, e cila i shërben jo vetëm nxënësve, por të gjithë komunitetit. Si e tillë, shkolla qendron e hapur edhe pas orarit të mësimit, dhe vendos ambientet e saj në dispozicion të nxënësve dhe komunitetin për organizimin e aktiviteteve të ndryshme apo realizimin e projekteve jokurrikulare.

Ky transformim karakterizohet nga modifikimi i disa aspekteve të procesit mësimor dhe të menaxhimit të shkollës, si: përfshirja e teknologjisë në orën e mësimit për ta bërë atë më të thjeshtë dhe tërheqëse për nxënësit; vendosja e bashkëpunimit me bizneset për të ofruar praktika profesionale dhe sponsorizime për shkollën; përshtatja e profileve të degëve për t’i shërbyer më mirë nevojave të tregut; etj.

Si katalizator në këtë transformim ka vepruar “Aftësi për Punë” S4J, një projekt i qeverisë zvicerane. Prej 2016, projekti ndihmon shkollën përmes ofrimit të trajnimeve për mësuesit dhe personelin, përmirësimin e infrastrukturës në shkollë dhe vendosjen e bashkëpunimeve afatagjata me bizneset për ofrimin e praktikave profesionale.

Tashmë, 145 nxënës të 5 drejtimeve të SHIP (nga 720 nxënës në total) zhvillojnë praktikën profesionale në 65 biznese. 11 prej këtyre kompanive veprojnë në fushën e programimit (informatikës) dhe ndodhen në Tiranë. Prej muajit mars, ato kanë nisur të ofrojnë praktika profesionale në distancë për 46 nxënës të drejtimit TIK. Gjatë vizitës, kryeministri Rama pa se si vihet në jetë ky model praktike profesionale, përmes përdorimit të platformave virtuale të komunikimit.

Shkolla industriale “Pavarësia” premton se së shpejti do të ofrojë një profil mësimor për makinat elektrike. “Përshtatja e kurrikulave mësimore me nevojat e tregut dhe zhvillimet teknologjike është një proces që ka nisur prej disa muajsh. Po bashkëpunojmë me kompanitë novatore vendase, për të ndërtuar një stacion servisimi për këto makina në ambientet e shkollës”,  thotë Gentian Boçi, drejtori i shkollës.

Një nga ndalesat e delegacionit ishte në Njësinë e Zhvillimit, një strukturë e brendshme e institucioneve të arsimit profesional, e cila ka si funksion planifikimin dhe realizimin e veprimtarive si trajnimi i mësuesve, përshtatja e kurrikulave me nevojat e tregut apo orientimi në karrierë i nxënësve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të shkollës.

Kryeministri vizitoi gjithashtu klasat e reja të shkollës, Infotekën, laboratorët e informatikës, laboratorin e Printerit 3D (sponsorizim nga një kompani zvicerane, SICPA), si dhe kursin e “Webmaster”. Ky kurs afatshkurtër zhvillohet në ambientet e shkollës industriale “Pavarësia” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik Vlorë.

Përmes vizitës së tij, kryeministri përforcoi faktin se arsimi profesional është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit, i cili do të sjellë një reduktim të papunësisë në vend.

 

Shiko videon e vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në shkollën industriale “Pavarësia” në këtë link.

Shiko Kryeministrin e Shqipërisë teksa flet për në shkollën industriale “Pavarësia” gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Punësimit 2021 në këtë video.

 

Më shumë mbi projektin “Aftësi për Punë”

Projekti ‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me fokus në zhvillimin e aftësive të të rinjve. Përmes përfshirjes së teknologjisë në procesin e mësimdhënies, nxitjes së bashkëpunimit me bizneset dhe krijimin e lehtësirave për përfshirjen në tregun e punës, projekti ndihmon shkollat dhe qendrat profesionale të arrijnë norma më të larta punësimi për të rinjtë që ndjekin këto institucione.

Projekti zbatohet nga Swisscontact (SC), organizata zvicerane lider në zhvillimin e Arsimit dhe Trajnimit Profesional, si dhe sektorit privat. Swisscontact bazohet në qasje inovative, bashkëpunim me sektorin privat, një fokus të fortë në mësimin praktik, orientim drejt botës së punës, decentralizim me përfshirjen e palëve të interesuara lokale dhe kontributet në reformimin e sistemeve.

Për më shumë informacion rreth projektit, ju ftojmë të shihni videon prezantuese.

 

#Kontakt

Vlerësojmë bashkëpunimin tuaj duke e publikuar artikullin në mediat që përfaqësoni! Për më tepër informacion jeni të ftuar të na shkruani në adresën ines.poshnjari@swisscontact.org

skillsforjobs
Kliko këtu për videon e vizitës së Kryeministrit në Shkollën Industriale "Pavarësia". Kliko këtu për fjalimin e Kryeministrit në Prezantimin e Programit Kombëtar Punësimi 2021.     Vlorë, 30 mars - Një ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.