Blog

Modeli i Lezhës: Praktika të Mira të AFP në Shqipëri

Në fund qershori u mbajt në Tiranë Seminari Rajonal i Komitetit të Donatorëve për Arsimin dhe Formimin Profesional (DC dVET).  Aty morën pjesë edhe kolegët tanë Sidita Dibra (menaxhere komponenti për mënyrat e reja të të nxënit dhe AFP) dhe Fation Dragoshi (menaxher projekti), së bashku me përfaqësuesit e agjencive më të mëdha donatore mbështetëse të zhvillimit të aftësive.  Bëhet fjalë për SDC (Zvicër), GIZ (Gjermani) ADA (Austri) LED (Lihtenshtajn) dhe organizatat zbatuese të projekteve e tyre në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi. Gjatë seminarit dyditor u shkëmbyen  praktika të mira dhe u diskutua mbi sfidat që hasen shpesh në zhvillimin e aftësive në këto vende. Vëzhgimi i elementeve të sistemit dual në Shqipëri ishte një tjetër qëllim i seminarit. Identifikimi dhe më pas zbatimi i qasjeve të përbashkëta për përmirësimin e sistemit të AFP-së në Rajonet e Evropës lindore dhe Kaukazit Jugor përbënte synimin final të tij.

Në kuadër të praktikave pozitive dhe elementëve të sistemit dual në AFP, Projekti S4J prezantoi në 29 Qershor punën e tij në Shqipëri. 42 pjesëmarrëmarrës të delegacionit të DC dVET vizituan Lezhën.  Stacioni  i pare ishte Restorant – Hotel “Rapsodia” në Shëngjin, një nga bizneset partnere të S4J. Delegacioni u prit nga Alfred Marku, kuzhinier i pasionuar dhe menaxher i kësaj qendre të mirënjohur të kuzhinës fusion. Shef Marku i njohu pjesëmarrësit me punën që ai bën si mentor për 5 praktikantët e shkollës profesionale “Kolin Gjoka” të Lezhës. Ai shpjegoi avantazhet që sheh për kompaninë e tij në bashkëpunimin me shkollën për praktikat profesionale gjatë gjithë vitit.

Gjatë drekës, nxënësit paraqitën pjatat e tyre dhe shërbyen gatime delikate për vizitorët duke i treguar edhe diçka për veten. Kështu mësuam se p.sh. Davidi (16 vjeç) ka specialitet Tiramisunë. Ai e kishte marrë recetën nga interneti dhe e kishte provuar disa here në shtëpi ta gatuante.  Gjatë praktikës tek Rapsodia, Davidi e kishte perfeksionuar Tiramisunë dhe me ndihmën e shef Markut, ëmbëlsoi pjesëmarrësit në fund të drekës .  Ushqimi i shijshëm, eleganca në shërbim dhe organizimi  fantastik nga Rapsodia na bënë krenarë.

Ndalesa e rradhës ishte “Kolin Gjoka”, shkolla jonë partnere ku pjesëmarrësit, të ndarë në grupe me rotacion, patën mundësi të shohin dy risi: Qendrën e Karrierës dhe Klasën e Mësimit të Kombinuar.  Në Qendrën e Karrierës, Rudina Gjoka (Menaxhere e Qendrës së Karrierës), prezantoi stafin, funksionet si dhe rrugëtimin e qendrës. Vizitorët ishin kureshtarë për organizimin, ndjekjen e praktikave profesionale në biznese, sfidat e hasura si dhe synimet për të ardhmen.

Në klasën e Mësimit të Kombinuar, Meri Simoni (mësuese e Hoteleri-Turizmi) dhe Jetmir Shtjefni (mësues i TIK ), së bashku me  Danjelën dhe Rominën, 2 nxënës nga këto drejtime,  demonstruan platformën online të mësimit “Metronom”. Videot mësimore të zhvilluara nga mësuesit, nxënësit dhe mentorët në biznes me platformën ivido.education, platforma e menaxhimit të shkollave IMPRO dhe iniciativat e reja ishin disa nga temat e diskutuara me pjesëmarrësit. “Fillimi ishte i vështirë. Meqenëse infrastruktura nuk ishte ende gati, nxënësit i rregist

rova me celularin tim në platformë. Aty e kuptova që çdo gjë mund të realizohet me pak vullnet ,– tregon Mësuese Meri për sfidat e para.”

Vizita u mbyll me një foto grupi në të ashtuquajturin “ Muri i Famës” tek holli i shkollës. Aty gjenden të ekspozuara emrat e kompanive me të cilat “Kolin Gjoka” bashkëpunon për praktikat profesionale.

skillsforjobs
Në fund qershori u mbajt në Tiranë Seminari Rajonal i Komitetit të Donatorëve për Arsimin dhe Formimin Profesional (DC dVET).  Aty morën pjesë edhe kolegët tanë Sidita Dibra (menaxhere ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.