Blog

Mos u Shqetësoni Për Kodimin: Fokusi Zhvendoset tek të Mësuarit e Mënyrës për Zgjidhjen e Problemeve dhe Jo tek Aftësitë Kompjuterike

Kur fëmijët në Homer, AK, vijnë për të ndjekur orën e tregimit në bibliotekën publike, ata mund të dëgjojnë tregimin klasik Dita me dëborë të Ezra Jack Keats ose Topat e dëborës të shkruar nga Lois Ehlert. Ashtu si në programe të tilla anembanë vendit, fëmijët po mësojnë njësitë bazë të shkrim-leximit. Por në orën e tregimeve të shkruara nga Homeri, ata ekspozohen ndaj një aftësie tjetër kritike. Punonjësja e bibliotekës Claudia Haines jo vetëm që lexon librat e dashur për fëmijët, por ajo i përdor ato për t’iu mësuar atyre të menduarit kompjuterik.

“Roboti Klaudia”, siç e quan Haines veten gjatë këtyre sesioneve, i kërkon klientëve të vegjël që t’i japin asaj udhëzime hap pas hapi për të bërë një njeri prej dëbore. Haines u shpjegon prindërve se kjo është përgatitje për t’u bërë të rrjedhshëm në gjuhët e kompjuterit.

Në përpjekje për të përgatitur brezin e ardhshëm për të ardhmen, punonjësit e bibliotekave të shkollave dhe të bibliotekave publike, si dhe mësuesit dhe edukatorët në kampet e drejtuara nga komuniteti dhe në ato fitimprurëse, i janë përgjigjur thirrjes për t’iu mësuar fëmijëve sesi të kodojnë. Por shumë prej tyre tani e kuptojnë se nuk mjafton që nxënësit të dinë thjesht sesi të shkruajnë një kod. Kapaciteti për të ndërtuar një produkt ose për të zgjidhur një problem kërkon një kompetencë krejtësisht të ndryshme.

Duke patur një gjë të tillë në mendje, fokusi i edukimit për kodimin po zhvendoset nga të mësuarit e aftësive specifike të kodimit tek të mësuarit e të menduarit kompjuterik – ose aftësia për të ndjekur një proces hap pas hapi për të zgjidhur një problem. Programet e edukimit për teknologjinë nga CSforAll tek Code.org e deri tek Shoqëria Ndërkombëtare për Teknologjinë në Edukim, si dhe punëdhënësit si Google, të gjithë e përqafojnë këtë kontekst dhe fokus të ri.

Fuqia punëtore e ardhshme do të kërkojë një bazë të fortë në disiplinën e të menduarit kompjuterik, thotë Chris Stephenson, kreu i Google për strategjinë e edukimit në shkenca kompjuterike. Ajo e krahason këtë moment me ndryshimin epistemologjik që ndodhi përpara Iluminizmit, kur shkruesit e ruajtën leximin si një aftësi vetëm për disa persona të përzgjedhur.

“Ne e shikojmë kodimin jo si një aftësi, por si një kompetencë. Ne nuk iu mësojmë nxënësve leximin sepse besojmë se të gjithë do të shkruajnë romanin Lufta dhe Paqja“, thotë ajo. “Dhe ne nuk iu mësojmë atyre shkencat kompjuterike me besimin se të gjithë do të bëhen shkencëtarë për kompjuterat. Ne jua mësojmë atë pasi gjithnjë e më shumë ajo është një aftësi që na duhet për të vepruar dhe kuptuar botën rreth nesh “.

Bibliotekat kanë qenë gjithmonë një vend për të gjetur burime, qoftë të shtypura ose digjitale, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të zgjidhur problemet. Kjo shfaqet edhe në popullaritetin e hapësirave krijuese dhe aktiviteteve për programimin eksplorues që gjenden kaq pranë jush në biblioteka në të gjithë vendin. Gjithashtu bibliotekat nuk mbartin stresin akademik të një klase tradicionale, duke i bërë ata një vend perfekt për nxënësit për të eksperimentuar me kodimin.

“Bibliotekat mund të përdoren për të përjetuar këtë gamë të gjerë mjetesh që zbatohen në shkencat kompjuterike pa presionin e dështimit”, thotë Mega Subramaniam, një profesor i asociuar në iSchool të Universitetit të Merilendit dhe drejtor i programit për certifikimin e Përvojave Rinore. “Të dështosh në një mjedis biblioteke nuk është aspak problem. Aty ju nuk vlerësoheni në asnjë lloj mënyre, kështu që është një mjedis i sigurtë ku të rinjtë mund të eksperimentojnë. Ne nuk po iu mësojmë njerëzve që të bëhen kodues, por iu mësojmë atyre sesi ta përdorin këtë instrument mendor për të zgjidhur problemet. ”

KODIMI APO TË MENDUARIT KOMPJUTERIK?

Ashtu si edhe nxënësit që mësojnë të lexojnë dhe pastaj lexojnë për të mësuar, edhe kodimi dhe të menduarit kompjuterik janë të ndërthurura. Të menduarit kompjuterik do të jetë thelbësor për shumë nga karrierat dhe interesat e nxënësve të sotëm ashtu siç të dish si të lexosh është thelbësore për gjithçka që ata bëjnë në shkollë.

ISTE, e cila, në vitin 2016 i rishikoi Standardet e saj për Nxënësit, nuk e përmend kodimin në mënyrë specifike si një aftësi thelbësore. Në vend të kësaj, të menduarit kompjuterik, i përkufizuar si aftësia për të “zhvilluar dhe përdorur strategji për të kuptuar dhe zgjidhur problemet duke shfrytëzuar fuqinë e metodave teknologjike për të zhvilluar dhe testuar zgjidhjet”, është renditur si një nga shtatë standardet që duhet të zotërohen nga nxënësit.

Sipas Code.org, në mbarë vendin ka më shumë se 503,000 vende pune të hapura në fushën e informatikës, por vetëm 35 shtete i lejojnë nxënësit që t’i llogarisin kurset në shkenca kompjuterike për t’u diplomuar në shkollën e mesme dhe më pak se gjysma e shkollave amerikane zhvillojnë lëndë të shkencave kompjuterike.

Ndërkohë që çdo shtet i zbaton shkencat kompjuterike në mënyra të ndryshme, shumë organizata janë duke u përfshirë me qëllim mbushjen e këtij hendeku. Kodi.org ofron trajnime për mësuesit dhe kurse për nxënësit, si Ora e Kodit. Fondacioni Kombëtar i Shkencës, në partneritet me Shkencat Kompjuterike për të Gjithë, ka premtuar 120 milionë dollarë për të trajnuar mësuesit për të ndihmuar fëmijët që “të mësojnë shkenca kompjuterike dhe të pajisen me aftësitë e të menduarit kompjuterik që ju nevojiten për të qenë krijues në ekonominë digjitale, dhe jo vetëm konsumatorë dhe për të qenë qytetarë aktivë në botën tonë të udhëhequr nga teknologjia “.

Ashtu si edhe në lexim, është e rëndësishme që nxënësit të mësojnë bazat e të menduarit kompjuterik që në moshë të hershme, mundësisht deri në klasë të tretë, sidomos për vajzat. Ndërkohë që shkencat kompjuterike janë duke u integruar gjithnjë e më shumë në të gjitha disiplinat dhe klasat, qasja do të bëhet më e barabartë. Tani për tani, shpesh një gjë e tillë është lënë në dorë të programeve jofitimprurëse ose programeve që zhvillohen vetëm njëherë, ose të mësuesve ose punonjësve të caktuar të bibliotekave që të integrohen në punën e tyre me nxënësit.

Me të gjitha opsionet në dispozicion dhe zhvendosjen drejt kodimit në kontekstin e të menduarit kompjuterik, edukatorët nuk mund të dinë se cilat nga këto opsione janë më të mirat ose nga t’ia fillojnë. A ia vlen të përdoret Scratch ose Blockly tani? A është Ora e Kodit efektive në këtë kontekst të ri?

Lajmi i mirë është se shumë nga programet dhe aktivitetet kryesore të kodimit janë ende të dobishme dhe është relativisht e lehtë që t’i integrojmë këto aftësi të nivelit të lartë në orët e mësimit në të gjitha disiplinat.

KODIMI PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT

Për ta kthyer kodimin në një aftësi të dobishme, nxënësit duhet ta vënë atë në përdorim. Nxënësit që identifikojnë një problem dhe dalin me një zgjidhje kompjuterike ka më shumë gjasa që të ndjekin kodimin, madje edhe ata që nuk e konsiderojnë veten “të mirë” në matematikë apo shkencë, thotë Jan Cuny, drejtor i programit për edukimin në informatikë në Fondacionin Kombëtar të Shkencës, i cili ka financuar hulumtime në fushën e mësimdhënies dhe zhvillimin e materialeve mësimore për shkencat kompjuterike. “Ka shumë probleme që fëmijët mund të mendojnë për t’i zgjidhur në botën e tyre”, thotë ajo. “Kjo e lidh atë me gjërat me të cilat ata me të vërtetë interesohen dhe sjell një nivel emocionesh.”

Për shembull, Stephan Green u rrit në një komunitet emigrantësh në qytetin e Nju Jorkut ku banorët flisnin shumë gjuhë të ndryshme. Kur ishte nxënës në shkollë të mesme, Green i shihte fqinjët e tij tek përballeshin me barrierat gjuhësore gjatë vizitave tek mjeku ose takimeve me mësuesit. Përkthyesit profesionistë ishin shumë të shtrenjtë dhe përkthyesit në internet nuk funksiononin mirë në këto lloj bisedash, kështu që ai dëshironte të ndërtonte një aplikacion që do t’i lidhte fqinjët e tij me një person dygjuhësh në atë zonë, i cili mund të ofronte shërbime përkthimi duke fituar edhe pak para. Pikërisht këtë bënë Green dhe ekipi i tij, ndërsa ishte në një aktivitet për programimin eksplorues tek Kodi Interaktiv në vitin 2015.

“Një projekt i jep kodimit një arsye për t’u bërë, një kontekst,” thotë Tom O’Connell, drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Kodit Interaktiv. “Ndërkohë që kodimi është një mjet që ndihmon në zgjidhjen e problemeve nëpërmjet përdorimit të kompjuterave, nëse jeni duke shpresuar të prezantoni shkencat kompjuterike në mënyrë të barabartë dhe me ndikim, ai nuk mund të jetë përbërësi i vetëm”.

Për të hedhur themelet për zgjidhjen e problemeve të ardhshme, pa patur nevojë për kompjutera, Subramaniam rekomandon që të fillohet me njohjen e modelit nga moshat më të reja. Paula Langsam, një punonjëse biblioteke në sistemin e Bibliotekave Publike në Qarkun e Kolumbias, u kërkon fëmijëve të krijojnë një model nga kartat që kanë me forma dhe ngjyra të ndryshme, për shembull, duke gjetur të gjithë katrorët blu. Ky aktivitet që ka të bëjë me njohjen e modelit mund të shtojë shtresa vështirësie, të tilla si kombinimi i formave dhe ngjyrave që kanë dy ose më shumë dallime.

Haines në Alaskë përdor majmunët gjatë zhvillimit të mësimit për algoritmat në ushtrimin kodues “Hartat e Lumtura”. Ajo krijon një rrjetë në dysheme dhe vendos disa banane në një katror. Pastaj, fëmijët me rradhë japin udhëzime për të ndihmuar “majmunin”, zakonisht atë vetë ose një nga fëmijët, që të gjejë bananet. “Përpara”, “djathtas”, “përsërit” janë të gjitha koncepte të rëndësishme të fjalorit në kodim. Në fund fare, fëmijët dalin me udhëzime duke përdorur shigjeta në mur.

Një tjetër ushtrim i shpejtë dhe i lehtë i algoritmeve për fëmijët e vegjël është t’u kërkojë atyre t’i tregojnë një shoku, hap pas hapi, se si të lidhin një lidhëse këpucësh pa jua demonstruar. Një bonus shtesë në këtë ushtrim është se ky ushtrim përfshin edhe lidhjen në formë fjongo të lidhëses, i cili përbën një parim kodimi.

Që fëmijët të fillojnë të përdorin gjuhë programimi, Cuny rekomandon që të fillohet me gjuhën e programimit vizual siç janë Scratch dhe Blockly, sepse ato janë projektuar në mënyrë specifike që të jenë të aksesueshme për t’i angazhuar nxënësit dhe për të marrë rezultate të shpejta. “Të fillosh punë me një gjuhë programimi relativisht të lehtë të llojit ‘tërhiq dhe lësho’  (drag-and-drop) që bën të mundur që fëmijët të krijojnë diçka që përputhet me interesat e tyre personale, është diçka fuqizuese”, thotë ajo.

Sapo fillojnë të punojnë me robotë, gjërat kthehen në argëtim. Duke përdorur RoboLab ose VEX Robotics, ato me të vërtetë mund të bëhen krijues. Në një bibliotekë në Seattle, u përdor Roboti Finç dhe kodimi në bllok për të krijuar një robot që mund të bëjë art në letër duke vënë disa lapsa pingul me bishtin e Finçit.

Fëmijët gjithashtu mund të praktikohen edhe në tabelat Arduino – borde me qarqe elektronike me kosto relativisht të ulët që përdorin programe kompjuterike të hapura për të gjithë – për të mësuar se si të kodojnë dhe të bashkëveprojnë me komponentët fizikë. Për shembull, nxënësit shkruajnë një rresht të kodit dhe shikojnë një dritë në tabelë që ndizet ose rrotullojnë një çelës në tabelë dhe shohin sesi ndryshon kodi i tyre. Filloni me tutoriale, rekomandon Jorge Valenzuela, një trajnues arsimor i cili shkruan për mënyrën e zhvillimit të mendimtarëve kompjuterikë; kjo do t’u japë mundësinë nxënësve që të shohin modele në kod dhe mënyrën se si ai e manipulon paisjen kompjuterike, duke përforcuar aspektin e dekompozimit të të menduarit kompjuterik.

Në shkollën 9-vjeçare  ose të mesme, nxënësit zakonisht janë gati për të filluar përdorimin e gjuhëve të programimit si JavaScript dhe Python. Ata mund të konstatojnë se problemi qëndron tek kalimi nga njëri program tek tjetri, dhe pikërisht këtu vijnë në ndihmë njohuritë e mira bazë në të nxënit kompjuterik. Ata do të njohin konceptet që përkthehen në të gjitha platformat, duke e bërë një gjuhë të panjohur më të arritshme. Brenda çdo gjuhe ka kufizime dhe të mësosh sesi të mendosh në mënyrë kompjuterike do t’i ndihmojë nxënësit që t’i kapërcejnë këto kufizime.

Fëmijët mund të zgjidhin shumë probleme atëherë kur kuptojnë gjuhën dhe procesin e informatikës. Duke lejuar që këto probleme të jenë reale, dhe të identifikuara nga vetë fëmijët, i mban nxënësit të angazhuar dhe i bën të përpiqen për të gjetur zgjidhje. Technovation dhe Verizon App Challenge  janë dy iniciativa që u kërkojnë nxënësve që të identifikojnë një problem në komunitetin e tyre, të hulumtojnë teknologjinë ekzistuese dhe të krijojnë një aplikacion inovator për të zgjidhur problemin.

“Nëse duam që fëmijët të jenë nxënës dhe krijues të patensionuar, për interesin e tyre ose si pjesë e fuqisë punëtore, atyre iu nevojitet një perceptim bazë për mënyrën sesi funksionon të menduarit kompjuterik”, thotë Haines.

“Nëse një fëmijë është në gjendje të flasë rreth mënyrës se si është krijuar apo ndërtuar diçka, atëherë kur diçka nuk funksionon siç duhet, ata mund ta rregullojnë ose ta modifikojnë atë. Detyra jonë si punonjës të bibliotekave ka qenë gjithmonë që të mbështesim fëmijët e vegjël ndërkohë që ata fillojnë të eksplorojnë ide më të mëdha dhe të sigurojmë mjetet që ju nevojiten për të bërë të mundur një gjë të tillë. ”

 

BURIMET

Këtu gjeni disa nga burimet e shumta për zhvillimin profesional në dispozicion për mësuesit dhe punonjësit e bibliotekave të cilët dëshirojnë të ndajnë kodimin dhe të menduarit kompjuterik me nxënësit e tyre.

BBC Bitesize: Shumëllojshmëri burimesh për t’iu mësuar nxënësve të menduarit kompjuterik.

Code.org: Disa mësime për fillestarët  për të menduarit kompjuterik janë në dispozicion në faqen e internetit, si dhe trajnime falas ose me kosto të ulët për edukatorët pa ndonjë kualifikim në shkenca kompjuterike.

CSforAll: Një konsorcium që ofron informacion specifik bazuar tek grupmosha dhe konteksti.

ISTE: Ofron standarde për nxënësit që përfshijnë të menduarit kompjuterik. Faqja e internetit është gjithashtu një burim i artikujve dhe rrjeteve profesionale të të nxënit në të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me teknologjinë në edukim (edtech).

Korniza K–12 e Shkencave Kompjuterike: Një pasqyrë dhe burime të hollësishme përsa i përket lidhjes reciproke midis shkencës kompjuterike dhe lëndëve të tjera.

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

skillsforjobs
Kur fëmijët në Homer, AK, vijnë për të ndjekur orën e tregimit në bibliotekën publike, ata mund të dëgjojnë tregimin klasik Dita me dëborë të Ezra Jack Keats ose ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.