Njësitë e zhvillimit nisin të përdorin instrumentet për orientimin e karrierës për nxënësit e rinj

Njësitë e zhvillimit nisin të përdorin instrumentet për orientimin e karrierës për nxënësit e rinj

Çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? Kjo është dilema e përjetshme për të gjithë nxënësit në një treg dinamik pune, si ai i ditëve të sotme.

Shumë nxënës që mbarojnë arsimin e mesëm nuk janë të qartë për interesat e tyre sa i përket karrierës ose nuk janë të informuar për profesionet më të përshtatshme për aftësitë që zotërojnë. Edhe ata nxënës që regjistrohen në klasën e 10-të në shkollat profesionale zakonisht nuk janë të mirëinformuar mbi mundësitë për karrierë që mund t’ju ofrohen nga drejtimi i zgjedhur nga vetë ata. Për këtë arsye, S4J ka mbështetur shkollat profesionale për të zhvilluar ‘Instrumentet për Orientimin e Karrierës’, të cilat do të bëjnë të mundur që nxënësit të arrijnë të zbulojnë se në cilin profesion e shohin veten e tyre në të ardhmen.

Këto instrumente do të bëjnë të mundur që nxënësit të njohin më mirë veten, drejtimin e shkollës, profilet dhe shtigjet e karrierës, në mënyrë që ata dhe prindërit e tyre të marrin vendime të informuara. Marrja e orientimit të duhur për karrierën është një element i domosdoshëm, në mënyrë që nxënësit të ndjehen më të sigurtë në lidhje me zgjedhjen e tyre profesionale, duke ndikuar kështu në uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollën.

Para fillimit të vitit akademik 2018-2019, S4J ka trajnuar mësuesit e Njësisë së Zhvillimit dhe psikologët e shkollave për mënyrën e përdorimit të këtyre instrumenteve. Gjatë muajit shtator dhe tetor, mësuesit e Njësisë së Zhvillimit dhe psikologët në shkollën ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë dhe në shkollën ‘Hamdi Bushati’ në Shkodër kanë organizuar një sërë veprimtarish me qëllim orientimin e karrierës për 486 nxënës të rinj të klasës së 10-të, për t’i ndihmuar ato që të kuptojnë më mirë mundësitë e ofruara nga secili drejtim dhe profil profesional. Ky ushtrim ka filluar të zhvillohet edhe në shkollën Tregtare dhe në shkollën industriale ‘Pavarësia’ në Vlorë.

Brenda tremujorit të parë të vitit 2019, ekspertët e S4J dhe mësuesit e shkollave partnere do të kryejnë një vlerësim për të matur impaktin e shërbimeve të orientimit të karrierës. Bazuar në rezultatet e këtij procesi, do të bëhet edhe përshtatja e instrumenteve për Orientimin e Karrierës në mënyrë që të mund të përdoren gjatë vitit të ardhshëm akademik tek të gjithë ofruesit e AFP, partnerë të S4J për nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në këto shkolla.

Zhvillimi i materialeve përmbajtësore të qarta dhe relevante për orientimin e karrierës është në fokusin e projektit për pjesën e mbetur të kësaj faze. Ne do t’ju mbajmë të përditësuar për të reja në këtë drjetim!