Blog

Ofrohet Orientimi i Karrierës në Arsimin Profesional Shqiptar

Shkolla profesionale nuk është vetëm vendi ku formëzohet qytetaria, mësohen njohuritë dhe fitohen kompetencat për një profesion. Është edhe vendi ku nxënësit përgatiten për të kaluar sa më lehtë nga shkolla në punë. Tashmë në Shqipëri kjo bëhet nëpërmjet Qendrës së Karrierës, duke nisur nga shkollat profesionale partnere të Aftësi për Punë. “Kolin Gjoka” u bë shkolla e parë e mesme profesionale në Shqipëri që ofron shërbime të orientimit te karrierës për nxënësit. Po çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Elona Kola, nxënëse e vitit të parë të kësaj shkolle, dega Hoteleri-Turizëm, na tregon me entuziazëm për përvojën e saj. “Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, stafi i Qendrës së Karrierës organizoi intervistat me bizneset për vendet ku ne nxënësit do të bënim praktikat. Më parë, u kisha dërguar CV dhe letër motivimi kompanive të mirënjohura në Lezhë, ku kisha dëshirë të shkoja për të mësuar profesionin e kuzhinieres. Pas intervistës, pata fatin të përzgjidhesha nga të dy bizneset ku kisha aplikuar,”- shpjegon Elona për fillimin e aftësimit të saj praktik, pikë kyçe kjo për punësimin e kujtdo.

“Qendra e Karrierës është një risi për vendin,” – nis rrëfimin e saj Rudina Gjoka, nëndrejtore e “Kolin Gjoka” dhe njëkohësisht një nga pesë specialistët e Qendrës së Karrierës. “Këtë rol të ri, e kemi marrë me shumë përgjegjësi. Pas trajnimit nga Aftësi për Punë për mënyrën sesi funksionon një qendër e tillë, kemi bërë ndarjen e detyrave me njëri-tjetrin. Së pari kemi bërë takime me prindërit për t’i njohur ata me dinamikën e praktikave profesionale në biznese. Pas miratimit të prindërve, kemi organizuar intervistat me bizneset partnere që të përzgjedhin nxënësit bazuar në aplikimin dhe prezantimin e tyre. Kemi vijuar me organizimin e praktikave fillimisht për degën Hoteleri-Turizëm. Të gjithë nxënësit e kësaj dege kanë tashmë vende praktike në biznese. Jemi shumë të sigurtë që për nxënësit e përkushtuar, ka shanse të vërteta punësimi, ” –thotë ajo me krenari.

Rudina Gjoka tregon se momentalisht janë duke ndjekur nga afër praktikat profesionale në resortet, hotelet, apo restorantet e zonës ku tashmë mësojnë duke punuar nxënësit. Një pjesë e tyre kanë fatin të mësojnë nga mjeshtrat me në zë të kuzhinës tradicionale e “fusion” në vend si Altin Prenga dhe Alfred Marku.
Por stafi i Qendrës së Karrierës nuk ndalet këtu. Po përgatitet promovimi i “Kolin Gjoka” tek klasat e 9-ta, prindërit dhe komuniteti i Lezhës për të pritur sa më shumë nxënës vitin e ardhshëm. Po kështu, po gjenden kompani partnere edhe për degët e tjera.
Aftësi për Punë, projekt me fonde zvicerane mundësuar nga SDC dhe zbatuar nga Swisscontact, po mbështet hapjen e Qendrave të Karrierës edhe në Vlorë e Berat. Ndërkohë, po trajnohet stafi i tyre për marrëdhëniet me biznesin, promovimin e shkollave profesionale, organizimin dhe monitorimin e praktikave profesionale. Edhe interpretimi i analizave të nevojave të biznesit për aftësi, si dhe ndjekja e nxënësve pas përfundimit të shkollës janë detyra të Qendrës së Karrierës.
Dhe ky është vetëm fillimi.

skillsforjobs
Shkolla profesionale nuk është vetëm vendi ku formëzohet qytetaria, mësohen njohuritë dhe fitohen kompetencat për një profesion. Është edhe vendi ku nxënësit përgatiten për ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.