Blog

‘Panairi i Njohurive 2018’, shkëmbim i sukesshëm mbi ‘Mënyrat e Reja’

Një nga shtyllat kryesore mbi të projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J lidhet me ‘Mënyrat e Reja të të nxënit gjithëpërfshirës’. Ky term përfshin tërësinë e metodave dhe teknikave të mësimdhënies të cilat synojnë ta bëjnë mësimin më praktik, më të kuptueshëm dhe zbavitës për të gjithë, si dhe shftytëzojnë avantazhet e përdorimit të teknologjisë për të mësuar kudo – në shkollë, gjatë praktikës profesionale etj.

Teknika të tilla janë në bazë të mësimit të kombinuar, ku mësuesit orkestrojnë modalitete e metoda të nxëni, mësimin ballë për ballë dhe on-line, me qëllim arritjen e kompetencave kyçe dhe profesionale. Kjo përkon me nevojën e ridimensionimit të procesit të të nxënit, ku roli i mësuesit zhvendoset nga ‘mbajtës’ i informacionit në ‘lehtësues’ përmes përfshirjes aktive të nxënësve. Kombinimi i metodave e modaliteteve të ndryshme të të nxënit dhe mësimi përmes projekteve apo platformave online, lejon individualizimin e përvojave për zhvillimin e aftësive sipas nevojave të nxënësve. Është e provuar që përmes aplikimit të këtyre metodave, nxitet interesi, arrihen rezultate më të larta nga nxënësit, ulet niveli i braktisjes së shkollës dhe të rinjtë përgatiten më mirë për tregun e punës pasi arrijnë të zhvillojnë si kompetencat profesionale, digitale dhe ato ‘të buta’ si kreativiteti e puna në grup.

‘Mënyrat e Reja’ të cilat aplikohen nga shkollat profesionale të mbështetura nga projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J janë projektuar nga ekspertë zviceranë dhe janë përshtatur sipas kontekstit lokal. Në janar 2017 u lançua strategjia për ‘Mënyrat e Reja’. Pas krijimit të infrastrukturës së nevojshme si klasa të mësmit të kombinuar me tavolina modulare, paisje kompjuterike dhe akses në internet, në mars 2017, mësuesit më avant-garde nisën të aplikonin mësimin e kombinuar të asistuar nga ekspertë pedagogjikë dhe të platformave virtuale. Deri në maj 2018, 81 mësues janë trajnuar, 40 janë mentoruar dhe 27 apkikojnë në mënyrë të vazhdueshme ‘Mësimin e Kombinuar’.

 Strategjia e implementimit të ‘Mënyrave të Reja’ ka në qendër mentorimin e mësuesve me qëllim zgjedhjen e metodës dhe modalitetit të duhur si dhe përdorimin efektiv të zgjidhjeve bazuar në teknologji. Në periudhën janar – maj 2018,  ekspertë pedagogjikë dhe të platformave virtuale vizituan orët mësimore të mësuesve të trajnuar, për të kuptuar më mirë se si ata përdornin teknologjinë, lojrat, projektet dhe ndërveprimin me nxënësit për të konkretizuar konceptet mësimore dhe për të arritur rezultatet në funksion të kompetencave. Përmes seksioneve të këshillimit 1:1 me secilin prej mësuesve, janë ofruan këshilla se si mësuesit mund të përsosin më tej mënyrën e tyre të mësimdhënies përmes përdorimit të ‘Mënyrave të reja’ dhe teknologjisë. Në mbështetje të një mjedisi virtual të nxëni, janë krijuar materialet mësimore online në shqip për 20 lëndë të cilat aksesohen nga mësues e nxënës.   

Gjatë kësaj periudhe, mësuesit dhe instruktorët janë prezantuar dhe me standardet ndërkombëtare dhe industriale të mësimit të kombinuar. Në kuadrin e Akademisë CISCO S4J, 15 mësues janë certifikuar si instruktorë dhe e përdorin NetAcad në mbështetje të kualifikimit fillestar dhe të vazhdueshëm të nxënësve në degën e TIK. Ndërkohë, 20 mësues janë trajnuar dhe kanë akses në platformën Microsoft Imagine Academy. Përgatitja profesionale e këtyre mësuesve me mësimin e kombinuar dhe punën në distancë, po kontribuon pozitivisht në koordinimin e skemës novative, ku 98 nxënës të degës TIK zhvillojnë praktikën profesionale me grupe të mentoruar në distancë nga kompani lider të industrisë së programimit e komunikimit me seli në Tiranë.

Identifikimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm rasteve të mira të aplikimit të mësimit të kombinuar, frymëzuan skuadrën e ‘Aftësi për Punë’ S4J të organizojë ‘Panairin e Njohurive 2018’. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte prezantimi i “Mënyrave të Reja dhe gjithëpërfshirëse të mësimdhënies” dhe aplikimin e tyre në arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri përpara një publiku të gjerë, duke ofruar mundësi për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe shtrirjen e zbatimit të ‘Të nxënit të Kombinuar’ në shkollat partnere dhe më gjerë.

Aktiviteti u shtri në dy ditë, ku dita e parë shënoi ceremoninë e hapjes, me prezencën e z. Phillip Keller, zëvendës Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, përfaqësuesve nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Agjencia e Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, përfaqësuesve nga sektori privat, donatorëve, ekspertë të fushës, mësuesve, etj.

Pjesëmarrës në panair ishte dhe eksperti zviceran, z. Urs Grӧhbiel, kryetar i Rrjetit Zviceran për Novacion në Edukim, i angazhuar nga ‘Aftësi për Punë’ S4J për të projektuar dhe ndjekur implementimin e planit mbi ‘Mënyrat e Reja të të Nxënit’.

Ditën e dytë, në 12 seksione paralele, 22 mësues të shkollave partnere të projektit ilustruan përpara një audience të larmishme se si i aplikojnë ‘mënyrat e reja’ dhe çfarë efekti kanë ato. Në prani të kolegëve, përfaqësuesve të bizneseve, ekspertëve dhe nxënësve, këta mësues prezantuan raste të larmishme si zhvillohet mësimi përmes projekteve ndërlëndore (ku lëndët e arsimit të përgjithshëm kombinohen me ato të profesionale), të nxënit përmes zgjidhjes së problemeve, përdorimit të platformave online për të mbështetur veprimtari të caktuara (si vlerësim portofoli, testim, diskutim në grup, lexim i pavarur etj.).

Ata treguan gjithashtu se si realizohet dokumentimi e koordinimi i praktikës profesionale, përdorimi i platformave online të standardeve industriale për realizimin e kurikulës dhe ofrimin e mundësive për kurse ekstrakurikulare, anagzhimi në klasë dhe përfshirja gjinore përmes mësimit interaktiv, përdorimi i lojës për të mësuar në mënyrë më efektive etj. Sesione të vecanta iu dedikuan diskutimeve mbi informatizimin e aktivitetit mësimor dhe hartimit të materialeve mësimore elektronike. Në sesione u ndanë dhe eksperiencat e aktorëve të tjerë si AKAFP, qendra shumë funksionale e Kamzës dhe GIZ, Kultur Kontakt, Qendra për Inovacion dhe Sipërmarrje (CEI), Universiteti Amerikan i Kosovës, Tech 360 etj.

Prezantimet u shoqëruan me diskutime konstruktive mes pjesëmarrësve. Dita e dytë u mbyll me një diskutim në panel mbi Njësive të Zhvillimit të shkollës dhe ‘kurorëzimin’ e anëtarëve të Bordit të Nxënësve, të cilët do të jenë zëri i shkollës për projektin ‘Aftësi për Punë’ S4J.

Gjatë këtij aktiviteti, nga studiues, mësues, nxënës dhe partnerë biznesi u prezantuan dhe rezultatet e arritura nga aplikimi i mësimit të kombinuar në shkollat partnere, si:

  • klima më pozitive në klasë dhe në biznes,
  • rritja e cilësisë së mësmdhënies dhe përgatitjes teknike të mësuesve,
  • ndryshimi i ndjeshëm dhe kombinimi i metodogjive,
  • fakti që mësimi është më argëtues dhe emocionalisht përfshirës,
  • nxitja e të nxënit përmes eksperiencës,
  • fakti që nxënësit arrijnë të kuptojnë më qartë dhe kanë thellësi gjykimi,
  • lehtësia në mësidhënie dhe mësimnxënie;
  • vlerësimi më i shpejtë dhe transparent,
  • përmirësimi i kompetencave digjitale dhe të gjuhëve të huaja,
  • mundësia për zhvillim të mëtejshëm profesional;
  • nxitja e kulturës së barazisë dhe mësimit përmes bashkëpunimit e mbështjes së tjetrit – si për nxënësit dhe për mësuesit.

‘Aftësi për Punë’ S4J është angazhuar të vijojë mbështetjen e shkollave partnere për konsolidimin e ‘Mënyrave të Reja’ dhe krijimin e proceseve të trasferimit të tyre tek mësues dhe ofrues të tjerë, bazuar në një kulturë bashkëpunimi, mësimit përmes kolegëve dhe përmirësimit të vazhdueshëm në funksion të përgatitjes së nxënësve të suksesshëm në tregun e punës.

Klikoni këtu për përmbledhjen e plotë të fotografive të aktivitetit.

skillsforjobs
Një nga shtyllat kryesore mbi të projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J lidhet me ‘Mënyrat e Reja të të nxënit gjithëpërfshirës’. Ky term përfshin tërësinë e metodave dhe teknikave të ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.