Blog

Përfundon me sukses Java e Praktikave Profesionale

Rreth 400 intervista për praktika profesionale u zhvilluan nga bizneset e sektorit hoteleri-turizëm dhe TIK me nxënësit e shkollave profesionale në Lezhë, Berat dhe Vlorë. Mbështetësit e projektit themeluan “Aleancën Shqiptare për Praktikat Profesionale”.

Java e Praktikave Profesionale është një iniciativë e ‘Aftësi për Punë’, një projekt i implementuar nga Swisscontact dhe i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Gjatë kësaj jave, e cila u zhvillua në kuadër të Javës Europiane për Aftësitë Profesionale, u organizuan 9 aktivitete në 5 rajone të Shqipërisë me qëllim promovimin e praktikave afatgjata në arsimin profesional.

Java nisi me një diskutim në panel, gjatë së cilit nxënës, mësues, mentorë dhe përfaqësues të sektorit privat ndanë eksperiencën e fituar gjatë vitit të parë si pjesë e modelit zviceran të praktikave profesionale. Gjithashtu, publiku u prezantua me objektivat e projektit S4J. 4 Panaire të Praktikave Profesionale u organizuan nga shkollat partnere në Lezhë, Berat dhe Vlorë, duke mundësuar takimin e rreth 400 nxënësve të klasave të X-ta me përfaqësues të më shumë se 100 bizneseve hoteleri-turizëm dhe TIK.

Gjatë panaireve, u zhvilluan 273 intervista me nxënësit nga bizneset e sektorit hoteleri-turizëm dhe 122 intervista nga bizneset e sektorit TIK dhe drejtimeve të tjera. Mbi 100 prindër dhe 850 nxënës të klasave të IX-ta vizituan panairet dhe ambjentet e shkollave për t’u njohur me kushtet dhe mundësitë që ofron arsimi profesional për të ardhmen e tyre.

3 konferenca kombëtare nxitën diskutimin mbi mënyrat e zhvillimit të praktikave profesionale në distancë në TIK; ndikimin e drejtpërdrejtë që ka rritja e numrit të praktikantëve në zhvillimin e ekonomisë së rajonit, si dhe motivet e sektorit privat për të sponsorizuar arsimin profesional. 12 kompanitë e para të përfshira në këto skema kanë mundësuar investime në shkollat partnere me vlerë totale mbi 400 000 EUR.

Java e aktiviteteve u kurorëzua me themelimin e “Aleancës Shqiptare për Praktikat Profesionale”, një platformë e cila do të veprojë si urë lidhëse midis qeverisë vendase dhe kompanive, partnerëve socialë, dhomave të tregtisë dhe ofruesve të arsimit profesional, për të përmirësuar cilësinë, imazhin dhe ofertën e praktikave profesionale në Shqipëri.

Kontakt

Mediat e interesuara janë të ftuara të marrin pjesë. Për më tepër informacion dhe një program të detajuar të javës jeni të ftuar të kontaktoni zyrën tonë të shtypit/personin përgjegjës për komunikimin ose na shkruani në adresën ines.poshnjari@swisscontact.org

Vlerësojmë bashkëpunimin tuaj duke e publikuar artikullin në mediat që përfaqësoni!

Rreth “Aftësi për Punë” dhe Swisscontact

Projekti ‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga Swisscontact (SC), një fondacion i pavarur zviceran për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar. Swisscontact operon në Shqipëri që nga viti 1992 me zbatimin e projekteve që kanë në fokus zhvillimin e Arsimit dhe Trajnimit Profesional, si dhe Zhvillimin e Sektorit Privat. Swisscontact bazohet në qasje inovative, bashkëpunim me sektorin privat, një fokus të fortë në mësimin praktik, orientim drejt botës së punës, decentralizim me përfshirjen e palëve të interesuara lokale dhe kontributet në reformimin e sistemeve.

Më shumë informacion mbi Javën e Praktikave Profesionale

Informacione të tjera mbi aktivitetet e Javës së Praktikave Profesionale mund t’i gjeni në link-et e mëposhtme:

Njoftim për shtyp 17.11.2017 – Lançohet Java e Praktikave Profesionale në Shqipëri 

Njoftim për shtyp 22.11.2017 – Vijojnë aktivitetet intensive në Javën e Praktikave Profesionale

Njoftim për shtyp 24.11.2017 – Java e Praktikave Profesionale drejt përmbylljes

Projekti zviceran lidh kompanitë me shkollat profesionale

Business Magazine, Dhjetor 2017 – Faqe 52

skillsforjobs
Rreth 400 intervista për praktika profesionale u zhvilluan nga bizneset e sektorit hoteleri-turizëm dhe TIK me nxënësit e shkollave profesionale në Lezhë, Berat dhe Vlorë. Mbështetësit e projektit themeluan ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.