Blog

Platforma “Mësovet”: Mësim në distancë për nxënësit e AFP-së

Si rrjedhojë e përhapjes së virusit COVID-19, shkollat në Shqipëri qëndrojnë të mbyllura, të paktën deri në datën 23 mars. Kjo ka bërë që të lindë nevoja e të mësuarit në distancë, në mënyrë që procesi mësimor të mos ndërpritet. Veçanërisht problematike paraqitet situata e nxënësve në klasën e 13-të, të cilët duhet të përgatiten për provimet e maturës në qershor. Përveçse mund të humbasin një sasi të konsiderueshme orësh mësimi në klasë, ata nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë orët e konsultimit për t’u përgatitur për provimet.

Nisur nga kjo, projekti “Aftësi për Punë” ka shtuar përpjekjet për të nxitur përdorimin e platformës “MesoVet.al”. Pas udhëzimit nga institucionet kombëtare për vijimin e mësimit në distancë, 35 mësues i kërkuan projektit mbështetje për përdorimin e platformës “MësoVet” si mjedis virtual të nxëni. Drejtuesve dhe mësuesve të institucioneve partnere të projektit u janë dërguar udhëzimet përkatëse për përditësimin e materialeve mësimore në platformë. 343 përdorues të rinj u shtuan vetëm në një ditë.

“Aftësi për Punë” do t’i mbështesë mësuesit në krijimin e klasave virtuale për vijimin e procesit mësimor. Gjithashtu, një grup prej 17 mësuesish janë angazhuar në hartimin e materialeve dhe udhezimeve për 22 lëndë që janë pjesë e programeve të maturës. Puna tashmë ka nisur për lëndët në tre drejtime (duke u dhënë prioritet sipas numrit të nxënësve) dhe më pas në të gjithë drejtimet e ofruara nga institucionet partnere të projektit. Nga përdorimi i platformës mund të përfitojnë të gjithë nxënësit dhe mësuesit e Arsimit e Formimit Profesional në vend (82% e nxënësve në klasë të 13-të).

Ndërkohë, mbetet ende sfida e aksesit në internet të nxënësve të AFP-së. Sipas të dhënave të projektit, vetëm 58,8% e nxënësve kanë akses internet në shtëpi. Për këtë, projekti po kërkon zgjidhje në bashkëpunim me kompanitë e telekomunikimit në vend dhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

_____________________________

MësoVET është një platformë e përshtatur në shqip nga projekti “Aftësi për Punë” në vitin 2018. Ajo përbën një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe mundëson dokumentimin e veprimtarisë si për mësuesit në klasë edhe për mësimin në distancë të nxënësve dhe praktikantëve. Ky sistem i menaxhimit të procesit mësimor është bazuar në Moodle që përdoret falas nga 185 milion përdorues në 233 vende të botës. Për t’u regjistruar mjafton vetem një adresë emaili.

Përmbajtja e platformës përditësohet vazhdimisht nga mësuesit dhe instruktorët e institucioneve partnere të projektit. Për këtë, ata janë kapacituar nga projekti me trajnime dhe udhëzues. Materialet në platformë mbështeten tek kurrikulat kombëtare dhe pasurohen me materiale praktike nga ekspertë të industrisë. Platforma lejon përdorimin e lirë me të drejta autori si dhe përditësimin e materialit.

Praktikantët janë gjithashtu kontribues në pasurimin e materialeve digjitale të MësoVET. Ata realizojnë video gjatë praktikave profesionale në vendin e punës dhe më pas i ngarkojnë në platformë. Për këtë, nxënësit marrin trajnimet përkatëse. Videot shërbejnë si materiale mësimore për klasat e 10-ta.

Qëllimi është të rritet mësimi në distancë dhe përdorimi i pajisjeve elektronike si kompjuteri e celulari, të bëhet mësimi sa më argëtues dhe nxënësit të përditësohen me zhvillimet e fundit të industrisë.

admin
Si rrjedhojë e përhapjes së virusit COVID-19, shkollat në Shqipëri qëndrojnë të mbyllura, të paktën deri në datën 23 mars. Kjo ka bërë që të lindë nevoja e të ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.