Praktika profesionale pranë ofruesve të AFP-së për studentë dhe të diplomuar nga universitetet

Praktika profesionale pranë ofruesve të AFP-së për studentë dhe të diplomuar nga universitetet

Ka disa mënyra sesi institucionet mund të bashkëpunojnë me organizmat partnere. Ofrimi i praktikave profesionale është një nga këto forma.

Ofrimi i programeve të praktikave e ndihmon institucionin të zgjerojë fushat e veprimtarisë dhe partneriteteve, duke krijuar programe të reja bashkëpunimi dhe mundësi përfitimi të ndërsjellë që rrisin potencialin e tij. Praktikat janë të dobishme si për institucionin ashtu edhe për stazhierin, i cili përfiton një proces gradual dhe të mirëudhëzuar integrimi në tregun e punës.

Pas shqyrtimit të kujdesshëm të legjislacionit dhe metodologjisë për ofrimin e praktikave, u qartësua se institucionet ofruese të AFP-së kanë të drejtë gjithashtu të ofrojnë dhe të përfitojnë nga programet e mëposhtme të të nxënit përmes punës:
a. praktika profesionale/stazhe për studentë që ndjekin ciklin e studimeve Bachelor ose Master;

b. prakatika profesionale/stazhe për punëkërkuesit e papunë të cilët kanë më pak se 24 muaj që kanë kryer ciklin e tyre të studimit brenda ose jashtë vëndit (VKM Nr.873, datë 27.12.2006, e ndryshuar nga VKM Nr.187, datë 2.4.2014).

Në këtë kontekst, ofruesit e AFP-së partnerë të S4J janë gjithashtu institucione të përshtatshme ku të diplomuarit mund të marrin njohuri dhe aftësi praktike. Dinamika e larmishme e drejtimeve dhe shërbimeve që institucionet e AFP-së ofrojnë i bëjnë këto institucione të efektshme për të garantuar terrenin dhe burimet e nevojshme për ofrimin e praktikave cilësore.

Pas kësaj analize, dy ofrues të AFP-së partnerë të S4J, shkolla profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër dhe shkolla profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, kanë përgatitur të gjitha burimet dhe infrastrukturën e nevojshme për organizimin e programit të praktikës profesionale, përfshi përcaktimin e profileve të praktikantëve, përfitimet e tyre , funksionet, mentorin dhe mjedisin ku do të zhvillohet praktika.

Në fillim të tetorit, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe në kuadër të Programit të Promovimit të Punësimit, të dy institucionet filluan të ofrojnë praktikë profesionale për studentë të universitetit. Dy praktikantët e parë (një në secilin ofrues të AFP-së) do të mbështeten dhe udhëzohen nga drejtorët e Njësisë së Zhvillimit për realizimin e aktiviteteve që lidhen me funksionet e kësaj njësie, bazuar në një plan pune të mirëpërcaktuar.

Meqë procesi i mësimdhënies dhe të nxënit në ofruesit e AFP-së partnerë të S4J është i lidhur ngushtë me të nxënit përmes punës praktike në kompani, trajnimi i stazhierëve do t’u jap këtyre institucioneve mundësi të njohin dhe të zbatojnë vetë dinamikat dhe mekanizmat që ndikojnë në ofrimin e praktikave profesionale cilësore dhe të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e procesit të praktikave të zbatuar nga vetë ofruesit.

Kontakti dhe bashkëpunimi i shpeshtë me universitetet dhe institucionet publike rrit vizibilitetin dhe besueshmërinë e ofruesve të AFP-së në rajonet ku ata operojnë, si dhe shanset për partneritete dhe bashkëpunime më strategjike në të ardhmen.