Praktikat profesionale afatgjata – receta e suksesit zviceran

Praktikat profesionale afatgjata – receta e suksesit zviceran

Në Zvicër, arsimi dhe formimi profesional (AFP) çmohet shumë, pasi bën të mundur që të rinjtë të mësojnë një zanat duke kombinuar mësimin në klasë me punën në kompani. Gjithnjë e më shumë shtete kanë filluar të tregojnë interes për këtë model, i cili është një mjet efektiv për luftimin e papunësisë.

Shëndeti i mirë i ekonomisë zvicerane, për shembull, me një normë papunësie që nuk e kalon masën 4%, i dedikohet në veçanti cilësisë së sistemit të AFP-së, i cili përshtatet me nevojat e tregut të punës dhe integrohet në sistemin arsimor.

Në fund të arsimit të detyrueshëm, të rinjtë zviceranë kanë mundësi të zgjedhin midis vazhdimit të studimeve të mëtejshme dhe studimit në arsim dhe formim profesional. Në shumicën e rasteve, kjo është ‘AFP’ e dyfishtë, që do të thotë se kombinon shkollën me përvojën praktike. Praktika profesionale bazë në kompani përfshin tre ose katër ditë në javë në vendin e punës të kombinuara me mësimin në klasë në një shkollë profesionale. Trajnimi, gjatë të cilit nxënësi paguhet nga punëdhënësi, zgjat nga dy deri në katër vjet, në fund të të cilit nxënësi merr një Diplomë Federale të AFP-së ose Certifikatë Federale të AFP-së. Më pas këta praktikantë mund t’i drejtohen menjëherë tregut të punës ose të vazhdojnë arsimin e lartë. Shumë drejtues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme zvicerane kanë kaluar nëpër këtë rrugë.

Individët që kanë marrë një kualifikim në AFP kanë më shumë mundësi për të gjetur punë sesa personat e tjerë që nuk e kanë ndjekur këtë trajektore. “Një person që ka përfunduar një praktikë profesionale afatgjatë ka tre herë më pak gjasa të dalë i papunë apo të mbetet pa punë për një periudhë të gjatë”, shkruan politikani zviceran Rudolf Strahm në librin e tij ‘Le mirage des longues études’ (Slatkine, 2016), duke paraqitur edhe të dhëna statistikore për të mbështetur argumentin e tij. Gjithashtu, ish Këshilltari Kombëtar socialist, i cili e ka nisur karrierën e tij me një praktikë profesionale si asistent në laborator, thekson se pesë vendet europiane që përdorin sistemin dual të arsimit dhe formimit profesional (Zvicra, Gjermania, Austria, Hollanda dhe Danimarka ) kanë shkallë më të ulët papunësie sesa homologët e tyre.

Një anëtar i ekipit zviceran në veprim gjatë edicionit më të fundit të konkursit WorldSkills (2015), në të cilin

Zvicra zuri vendin e katërt © WorldSkills

Zgjedhja e një praktike profesionale

Pas një periudhe kohe me angazhime të tjera, Léa Graham gjeti punë në kuzhinën e një prej restoranteve më të famshme në botë, “Le Restaurant de l’Hôtel de Ville” në Crissier. Ky restorant zviceran u rendit i pari në listën e 1000 restoranteve më të mira në botë për vitin 2016 dhe i katërti në listën e vitit 2017. “Kam dashur gjithmonë të punoj në një restorant”, thotë 26-vjeçarja nga Vaud. “Por në fund të arsimit të detyrueshëm, familja dhe miqtë e mi më mbushën mendjen të mos ndiqja atë rrugë, e cila, sipas tyre, ishte shumë e vështirë dhe më nxitën që të regjistrohesha në shkollë të përgjithshme për të marrë një diplomë që do të më hapte rrugën drejt arsimit të lartë”.

Léa ndoqi këshillën e familjes dhe të miqve që e rrethonin. Ajo e mbaroi shkollën, ku u specializua për arte vizuale dhe më pas vazhdoi studimet në Shkollën e Arteve dhe Dizajnit në Gjenevë (HEAD). Pasi mori diplomën e shkollës së lartë, ajo gjithsesi vendosi që të realizonte ëndrrën e saj të fëmijërisë dhe filloi një praktikë profesionale si kuzhiniere.

Pas përfundimit të praktikës profesionale si kuzhiniere, Léa Graham u punësua nga ‘Le Restaurant de l’Hôtel de Ville’

në Crissier, një nga restorantet më të mira në botë.

 

Në kuadër të këtij programi të ri trajnimi, ajo e ndryshoi restorantin dy herë para se të përfundonte praktikën profesionale në “École professionnelle de Montreux” (shkollë profesionale në Montreux) ku iu dha mundësia për të punuar një herë në javë në ‘Le Restaurant de l’Hôtel de Ville ‘ në Crissier. Në fund të trajnimit, restoranti e punësoi atë – dhe duhet thënë që Léa iu përkushtua punës më gjithë shpirt: në vitin 2015 ajo u shpall kuzhinierja më e mirë praktikante në kantonin e Vaud-it. “Praktika profesionale afatgjatë më dha mundësinë për t’u përfshirë gradualisht në botën e punës, të cilën e vlerësoj shumë, duke pasur parasysh natyrën stresuese të punës në një kuzhinë”, e pranon ajo.

Interesi përtej kufijve tanë

Një numër gjithnjë e më i madh shtetesh, në kërkim të mënyrave për të luftuar papunësinë, kanë filluar të tregojnë interes për sistemin zviceran të AFP-së. Në të vërtetë, ky ishte edhe qëllimi i vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Xinping në fillim të vitit. “Numri i interesimeve nga vendet e huaja dhe aktorët e tjerë jashtë vendit që shprehin interes për sistemin zviceran është rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Ndonjëherë ata dëshirojnë të marrin më shumë informacion, ndërsa në raste të tjera ata dëshirojnë të bashkëpunojnë me Zvicrën në këtë fushë”, tregon drejtuesi i projektit  Sekretariati Shtetëror për Arsimin, Kërkimin dhe Novacionin (SERI),  Jérôme Hügli.

Modeli zviceran është pjesë e një tabloje komplekse të përgjithshme, ku përfshihen dialogu social, kultura e të nxënit dhe tre nivelet e federalizmit në vend. “Është e pamundur që të bëhet replikimi i thjeshtë i sistemit zviceran në një vend tjetër me një sfond tjetër social-ekonomik dhe kulturor”, thotë Jérôme. “Sidoqoftë, është e mundur që të përshtaten disa nga aspektet kryesore në kontekstin specifik të një vendi të caktuar. Kjo sigurisht kërkon një analizë të thelluar dhe gatishmërinë e vendit partner për të nisur dhe për t’u angazhuar në një proces afatgjatë”.

Sistemi dual i arsimit dhe formimit profesional kombinon mësimin në klasë me punën në kompani © formationprofessionnelleplus.ch

 

“Cilat janë problemet që shfaqen zakonisht? “Në shumë vende, AFP shpesh vuan nga një imazh apo reputacion i dobët, që kërkon shumë punë me grupet e synuara (të rinjtë, prindërit, mësuesit, etj),” shpjegon Jérôme. “Roli në rritje i sektorit privat në AFP është një tjetër aspekt që paraqet një problem në shumë raste: Qeveria duhet të lejojë që aktorët ekonomikë të kenë më shumë ndikim në sistemin e AFP-së. Në të njëjtën kohë, edhe bizneset dhe aktorët ekonomikë duhet të kenë një farë përfitimi nga përfshirja e tyre në këtë fushë. Përqëndrimi i punës në këto aspekte është çelësi i suksesit, por kërkon shumë kohë. ”

SISTEMI ZVICERAN I PRAKTIKAVE PROFESIONALE AFATGJATA NË SHIFRA

221617 TË RINJ KANË MARRË PJESË NË PRAKTIKË PROFESIONALE AFATGJATË GJATË PERIUDHËS 2014/2015

NGA KËTO: 42% FEMRA DHE 58% MESHKUJ

13 MEDALJE NË KONKURSIN BOTËROR TË AFTËSIVE NË VITIN 2015

3 FUSHAT MË TË PREFERUARA TË TRAJNIMIT:

  • 19% BIZNES DHE ADMINISTRIM
  • 12% TREGTI ME SHUMICË DHE PAKICË
  • 8% NDËRTIM DHE INXHINIERI NDËRTIMI

230 LLOJE TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL NË DISPOZICION

 

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen online të House of Switzerland.  Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: