“Prodhimi” i mundësive

“Prodhimi” i mundësive

Nga Bill Gates

 

Një kompani prodhuese e pjesëve për automjete ka arritur rezultate të shkëlqyera me nxënësit në Tenesi.

Para se të futesha në fabrikë, vura syzet mbrojtëse dhe kufjet e veshëve për bllokimin e zhurmës. Pranë meje kalonin me shpejtësi kamionë industrialë me dritat sinjalizuese të ndezura. Robotët e saldimit lëshonin shkëndija rreth e rrotull. Makineritë gjigande stamponin panele metalike për automjete pasagjerësh dhe makina garash sportive.

Po vizitoja Gestamp, prodhues ndërkombëtar i pjesëve të automjeteve në Çatanuga, Tenesi (Chattanooga, Tennessee).

Gjatë vizitës në fabrikë kishte shumë, shumë zhurmë. Megjithatë, një gjë e dëgjova qartë: kjo fabrikë nuk është thjesht prodhues i pjesëve për automjete. Ajo hap mundësi të reja për nxënësit e shkollës së mesme.

 

 

Qëllimi i vizitës sime në Gestamp, kompaninë më të madhe në Tenesinë Lindore, ishte për të mësuar rreth programit të tyre të praktikave profesionale për nxënësit e shkollës së mesme. Nisur në 2016, ky program ka krijuar një partneritet mes kompanisë dhe sistemit të arsimit lokal. Ai u ofron nxënësve praktika profesionale në prodhim, ndërkohë që i ndihmon ata të përfundojnë studimet e shkollës së mesme.

Nga programe të tilla të praktikave profesionale përfitojnë të dy palët, si sistemi arsimor ashtu edhe komuniteti i biznesit lokal. Në rastin e sistemit arsimor, këto programe i ndihmojnë nxënësit të bëjnë lidhje të rëndësishme midis programit mësimor dhe karrierës. Ishte ngazëlluese të shihje se si përvoja e punës në Gestamp shpesh u jepte nxënësve një qëllim të ri për jetën. Kjo mund të jetë arritja më e madhe e këtij programi. Të gjithë nxënësit që takova më treguan se tani kishin ëndrra shumë më të mëdha për veten dhe për atë çfarë mund të arrinin në jetë. Disa prej tyre kanë shumë dëshirë të punojnë në Gestamp dhe të ngjisin shkallët e karrerës derisa të bëhen drejtues. Të tjerët janë të interesuar të vazhdojnë studimet e larta ose të ndjekin trajnime të tjera pas shkollës së mesme.

Për bizneset lokale, programi përbën një model të rëndësishëm ku partneriteti me shkollat mund të ndihmojë në mbështetjen e ekonomisë lokale. Gjatë viteve të fundit, Tenesi ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike; pjesërisht falë sektorit të prodhimit të pjesëve për automjete. General Motors, Volkswagen, Nissan dhe më shumë se 900 prodhues automjetesh operojnë në Tenesi, duke punësuar mbi 130,000 persona.

Megjithatë, ekonomia përballet me një mospërputhje të aftësive me kërkesat e tregut. Për shumë biznese është sfidë të gjejnë punëtorë të aftë. Sipas një studimi, vitet e ardhshme në zonën e Çatanugës, mbi 80 përqind e vendeve të punës me pagë minimale do të kërkojnë një certifikatë ose diplomë të arsimit pas të mesmes. Aktualisht, vetëm 35 përqind e nxënësve në rajon ka të ngjarë të marrin këtë nivel arsimimi.

Gestamp është një prej shumë kompanive në rajonin e Çatanugës që bashkëpunon me sistemin arsimor dhe drejtuesit e komunitetit për të mbështetur Çatanuga 2.0, një organizatë që punon për dyfishimin e numrit të diplomave dhe certifikatave të shkollës së lartë.

Gjatë udhëtimit tim në Çatanuga, vizitova edhe shkollën “The Howard School”, ku mësova për Institutet e Profesionistëve të së Ardhmes, të cilët i ekspozojnë nxënësit ndaj mundësive për karrierë në fushat e kujdesit shëndetësor, turizmit dhe industrive të tjera lokale. Falë tyre, nxënësit vizitojnë bizneset lokale për praktika profesionale, fitojnë përvojë pune dhe takohen me profesionistë të fushës së tyre.

Në krahasim me programe të tjera, programi i Gestamp është shumë intensiv. Në vend që të shkojnë çdo ditë në shkollë, nxënësit shkojnë në fabrikë, ku marrin mësime online në një laborator kompjuteri e më pas paguhen për trajnimet në vendin e punës.

Sigurisht, kjo lloj përvoje gjatë shkollës së mesme nuk është e përshtatshme për të gjithë. Megjithatë, nxënësit e programit të Gestamp që unë takova, u shprehën se u ka ndryshuar jetën. Disa nga nxënësit më treguan se para se të nisnin programin kishin menduar ta braktisnin shkollën e mesme. Ata kishin rezultate mësimore të dobëta, nuk ishin të interesuar të vazhdonin shkollën e lartë dhe nuk imagjinonin dot një karrierë të tyren. Programi i praktikës profesionale u siguroi nxënësve një drejtim dhe aftësi të reja, si dhe i motivoi për të përfunduar studimet.

U ktheva nga vizita me përshtypjet më të mira nga ndikimi i jashtëzakonshëm që programi i Gestamp ka pasur tek nxënësit dhe komuniteti. Shpresoj që më shumë industri në Tenesi dhe zona të tjera të vendit do të marrin shembull nga suksesi i tyre.

 

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në blogun e Bill Gates GatesNotesKlikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: