Përmbledhje e Projektit

 

Qëllimi i projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J

Qëllimi kryesor i projektit “Aftësi për Punë” (S4J) është që t’u ofrojë të rinjve në Shqipëri arsimin dhe formimin më të mirë profesional. Aftësitë më të mira do t’i ndihmojnë të rinjtë që të gjejnë një punë që e adhurojnë dhe që paguhet mirë.

 

Rreth projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J

‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet në Shqipëri nga organizata Swisscontact.  Ky projekt është pjesë e Sferës së Zhvillimit Ekonomik të Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran për Shqipërinë (2018-2021), me fokus të veçantë tek promovimi i mundësive për punësim dhe zhvillimin e aftësive.

Projekti fokusohet në katër sektorë me potencial për zhvillim dhe krijim të vendeve të reja të punës: Hoteleri-Turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Tekstili dhe Ndërtimi (me fokus tek teknikat moderne të ndërtimit dhe kursimi i energjisë).

Projekti është në fazën e dytë, e cila nisi në muajin prill 2019 dhe do të vijojë deri në muajin qershor 2023. Në këtë fazë, projekti synon të mbështesë 10.000 nxënës (6.360 më shumë se sa në Fazën I) dhe 6.000 kursantë (1.500 më shumë se sa në Fazën I).

‘Aftësi për Punë’ (S4J) u projektua për të adresuar sfidat kryesore në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP), të tilla si: cilësia dhe statusi i ulët, financimi i pamjaftueshëm, orientimi i dobët nga tregu i punës dhe angazhimi i dobët i sektorit privat. Projekti i adreson këto sfida duke investuar për sigurimin e ndryshimeve sistematike, zhvillimin e kompetencave dhe fuqizimin e aktorëve kyçë. Bazuar mbi këtë qasje, ‘Aftësi për Punë’ mbështet ofruesit partnerë të AFP-së në Shqipëri në drejtim të:

  • Krijimit të lidhjeve të ngushta me kompanitë e sektorit privat dhe partnerë të tjerë,
  • Diversifikimit dhe përmirësimit të ofertës mësimore,
  • Aplikimit të metodave novatore të mësimdhënies dhe standardeve të cilësisë,
  • Realizimit të praktikave mësimore në mjediset e biznesit,
  • Zhvillimit dhe fuqizimit të institucionit, përmes ndërtimit të mekanizmave për menaxhimin eficient.

Aftësimi nëpërmjet punës, përdorimi i teknologjisë në orën e mësimit, aplikimi i një ndërthurjeje midis të nxënit të kombinuar dhe të individualizuar, përditësimi i programeve dhe trajnimeve sipas standardeve të industrisë dhe aplikimi i një mendësie biznesi në menaxhimin e institucioneve të AFP-së qëndrojnë në thelb të punës së projektit “Aftësi për Punë” (S4J).

 

Përfituesit e projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J

Projekti mbështet shtatë ofrues të AFP-së në Shqipëri:

  1. shkollën profesionale ‘Hamdi Bushati’ në Shkodër,
  2. shkollën profesionale ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë,
  3. shkollën elektro-teknike ‘Gjergj Canco’ në Tiranë,
  4. shkollën profesionale ‘Kristo Isak’ në Berat
  5. shkollën Tregtare në Vlorë,
  6. shkollën industriale ‘Pavarësia’ në Vlorë,
  7. Qendrën e Formimit Profesional në Vlorë.

Katër ofrues të tjerë do t’i bashkohen projektit brenda fazës së dytë (dy në vitin e parë dhe dy në vitin e tretë). Më shumë ofrues publikë do të përfitojnë nga nismat që projekti ka pilotuar në shkollat partnere gjatë fazës së parë.

 

Më shumë të reja nga ‘Aftësi për Punë’ S4J

Buletini Nr.1 – Prill 2018

Buletini Nr.2 – Maj 2018

Buletini Nr.3 – Qershor 2018

Buletini Nr.4 – Gusht 2018

Buletini Nr. 5 – Shtator 2018

Buletini Nr. 6 – Dhjetor 2018

Buletini Nr.7 – Mars 2019

A dëshironi ta merrni këtë buletin në postën tuaj elektronike? Na dërgoni një e-mail.

 

Duam të bëhemi socialë 😉

Na ndiqni në Facebook, Instagram, LinkedIn dhe Twitter.

 

*Swisscontact është organizatë zvicerane e themeluar në vitin 1959. Ajo promovon zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe ekologjik duke mbështetur integrimin me sukses të individëve në jetën lokale tregtare.

Swisscontact u krijon mundësi njerëzve duke punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës,  në mbështetje të përpjekjeve të tyre personale. Fokusi i ndërhyrjes sistemike në sektorin privat të Swisscontact është fuqizimi i zinxhirit lokal dhe global të vlerave.

Nëpërmjet projekteve të saj, Swisscontact punon për të mundësuar aksesin në formim profesional, nxit sipërmarrjen lokale, krijon akses tek ofruesit lokalë të shërbimeve financiare dhe mbështet përdorimin efikas të burimeve me qëllim promovimin me sukses të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave.

Swisscontact është e shtrirë në 32 vende me mbi 800 punonjës. Qendra e organizatës është në Zyrih, Zvicër.