Blog

Sekreti i tregut të punës më efikas në botë: më pak studentë në universitete

Zvicra mund të mburret me tregun e punës më efikas në botë. Ky fakt është thelbësor për të shpjeguar se si një vend me një treg të vogël të brendshëm dhe një monedhë kombëtare shumë të fortë ka fituar një vend të përhershëm në grupin e ekonomive më konkurruese dhe novatore në botë.

Me një popullsi prej vetëm 9 milionë dhe PBB për frymë tre herë më të madhe se Spanja, shkalla e papunësisë në vendin alpin është rreth 2% në muaj. Ky tregues ka qenë mesatarisht 3,5% që nga 1995 dhe arriti rekordin e të gjitha kohërave me 5,7% në janar 1997. Për të parë shifra të ngjashme në Spanjë, duhet të kthehemi pas në fund të viteve shtatëdhjetë, kur emigrimi ishte mekanizmi kryesor rregullues i tregut të punës spanjoll. Krahasimi është edhe më i skajshëm tek papunësia e të rinjve, e cila në Spanjë tejkalon 30%, katër herë më shumë se në Zvicër, sipas të dhënave të OECD për 2018.

“Ekonomia zvicerane ka një nivel të lartë fleksibiliteti dhe tregu i saj i punës ka performancën më të lartë në botë. Kapaciteti për të përvetësuar teknologjitë e reja është i lartë; po ashtu, i lartë është edhe përditësimi teknologjik i qytetarëve dhe kompanive”, shkruhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror 2017-2018, kur vendi siguroi për nëntë vjet rresht kryesinë në tabelën globale të konkurrencës – një titull, për të cilin zakonisht Zvicra konkurron me Singaporin dhe Shtetet e Bashkuara, ku kjo e fundit ka kryesuar për dy vjet.

Por në ndryshim nga Shtetet e Bashkuara, zhvillimi i ekonomisë zvicerane nuk ka sjellë rritjen e pabarazisë midis pagave dhe klasave shoqërore. Gjithashtu, ajo nuk përballet me ashpërsinë dhe plakjen e përshpejtuar që shqetëson “Mekën” e kapitalizmit aziatik, Singaporin. Pra, cili është sekreti zviceran për barazi dhe punë në një nga ekonomitë më pak të rregulluara në planet? Një legjislacion fantastik? Një kërkesë e pamasë për punë? Një ekonomi e jashtëzakonshme? Përgjigja është më e thjeshtë: pothuajse 70% e nxënësve zviceranë zgjedhin Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) në vend që të vazhdojnë universitetin.

Për të kuptuar sinkronizimin efikas midis sistemit arsimor dhe tregut të punës, biseduam me Antonio Loprienon, president i Federatës Evropiane të Akademive të Shkencave (Allea) dhe të Akademive Zvicerane të Arteve dhe Shkencave. Askush më mirë se ky 64-vjeçar italo-zviceran, i cili për dekada të tëra ka dhënë mësim në universitete evropiane dhe amerikane, nuk mund të shpjegojë përse nevojiten më pak të diplomuar nga universiteti dhe më shumë punëtorë të kualifikuar.

PYETJE: Cili është modeli zviceran i AFP-së dhe cilat janë avantazhet e tij?

PËRGJIGJE: Arsimi dhe Formimi Profesional (AFP) është kristalizimi i një tradite të praktikave profesionale në kompani, e ngulitur thellë në kulturat gjermanike, e cila ka mbijetuar deri në ditët e sotme.

Dy nga tre nxënës zviceranë në fazën e fundit të shkollës së mesme (15-16 vjeç) zgjedhin AFP-në, kryesisht me programet që kombinojnë programin mësimor me praktikën profesionale në kompani. Ata punojnë në kompani tre ose katër ditë në javë – ndarja e kohës varet nga kurrikula – duke e përfunduar shkollën e mesme të përgatitur me aftësitë e kërkuara nga tregu i punës. Pjesa tjetër prej 30% vazhdon universitetin – 20% nga shkolla e mesme ndjekin degë të përgjithshme dhe 10% nga AFP ndjekin shkencat e aplikuara. Këto shifra kanë mbetur të pandryshueshme pothuaj gjatë 20 viteve të fundit.

PYETJE: Çfarë profilesh ofrohen dhe cili është më i kërkuari?

PËRGJIGJE: Ofrohen rreth 300 profile të ndryshme: elektriçist, kuzhinier, dizajner, punonjës social, etj. Një profil që kërkohet shumë vitet e fundit është ai i shitjeve teknike, por ka kërkesë të qëndrueshme edhe për shëndetësinë, IT-në, shitjet me pakicë dhe logjistikën. Ekzistojnë programe të ndryshme: dy vjet (certifikatë federale) dhe tre ose katër vjet (diplomë federale). Me përfundimin e AFP-së (Baccalaureate Profesionale Federale) mund të ndiqet drejtimi i shkencave të aplikuara në universitet.

PYETJE: Pse të rinjtë zviceranë preferojnë AFP-në kundrejt universitetit?

PËRGJIGJE: Kjo ka një element historik. Në thelb, sistemi zviceran është i ngjashëm me vendet gjermanisht-folëse, si Gjermania dhe deri diku Austria. Institucionet e AFP-së të këtyre vendeve kanë një traditë të gjatë nxënësish dhe mësuesish me prestigj të lartë. Ky lloj identifikimi nuk është aq i pranishëm në vendet si Spanja, Franca apo Italia, ku profesionet kanë vlerë dhe shpërblim financiar më të ulët sesa drejtimi akademik.

PYETJE: Ç’mund të na thoni për prestigjin? Po për pagat?

PËRGJIGJE:  Në Zvicër, sistemi i praktikave profesionale njihet më shumë se në Gjermani apo Austri. Në Austri ekziston i njëjti sistem i formimit profesional, por puna akademike ka ende më tepër prestigj se AFP-ja. Në Gjermani situata është diku midis. Në Zvicër kemi versionin më të plotë. Të diplomuarit nga AFP-ja marrin një pagë të lartë e më shpejt sesa ata që ndjekin karrierën akademike, pa lënë pas prestigjin social. Në fakt, gjasat për të gjetur menjëherë një punë të mirëpaguar janë më të mëdha, megjithëse në planin afatgjatë nuk ka shumë ndryshime – kjo varet nga aspiratat dhe talentet e gjithsecilit në botën e punës. Për shembull, CEO i bankës më të madhe të Zvicrës, “UBS” (Sergio Ermotti), vjen nga sistemi i AFP-së dhe ka të ardhura gati më të larta se kushdo tjetër në vend. Një tjetër figurë njohur që vjen nga AFP është Peter Voser, president i grupit inxhinierik “ABB”.

PYETJE: A do të thotë kjo se Zvicra ka një arsim jo elitar?

PËRGJIGJE: Ka pasur disa studime për të identifikuar tendencat, por kanë dal në pah vetëm disa të tilla. Është zhvilluar një studim gjeografik, pasi mundësia për të hyrë në universitet nuk është e barabartë në gjithë zonat e vendit. Në zonat rurale ajo është rreth 10% , ndërsa në qytetet e mëdha rreth 40%. Një tjetër studim ka qenë ai social. Fëmijët që vijnë nga familje emigrante kanë tendencë të zgjedhin AFP-në dhe janë më pak të përfaqësuar në universitete. Kjo tregon që statusi social i universiteteve është zakonisht më i lartë, por duke qenë se shoqëria zvicerane mbështet barazinë e njerëzve dhe të drejtën e tyre për mundësi të barabarta, nuk do të gjeni statistika me ndryshime drastike.

PYETJE: Si e përditëson vetveten sistemi dhe si e shmang tepricën e profesionistëve në një industri?

PËRGJIGJE: Këtu është sekreti i inovacionit të Zvicrës. Meqenëse AFP është në kontakt të drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe bizneset, ai është njëkohësisht shumë afër procesit të inovacionit dhe përditësohet vazhdimisht. Nuk ka asnjë ministri që përcakton programet ose kurset. Në rast nevoje, ato mund të modifikohen nga vetë organizatat profesionale. Nëse ka ndryshime në strukturën e tregut të punës, ato transferohen në ofertën e AFP-së në mënyrë që ajo të mos zihet në kurthin e modeleve të së shkuarës. Falë kësaj afërsie praktike, inovacioni mund të zbatohet shumë më shpejt dhe më gjerësisht sesa në vendet me një traditë më akademike.

Mund të thuhet se sistemi gjithnjë ka qenë i tillë që oferta dhe kërkesa janë rregulluar natyrshëm nga tregu. Të rinjtë, institucionet dhe kompanitë ndjekin nga afër këto tendenca të punësimit. Nuk ka asnjë rrezik të krijimit me tepricë të profesionistëve, sepse aktualisht shqetësimi i punëdhënësve është se nuk ka mjaftueshëm të tillë. Ekonomia jonë zhvillohet me një normë më të lartë se demografia jonë.

PYETJE: Si financohet AFP?

PËRGJIGJE: Sistemi financohet në tre mënyra. Ka tre kontribues kryesorë të cilët, pak a shumë, kontribuojnë secili një të tretën. Së pari, është Konfederata (niveli shtetëror), më pas vijnë kantonet (niveli federal) dhe, së fundi, janë kompanitë dhe organizatat profesionale. Kjo është e pazakontë në vendet e tjera ku vetë biznesi është çelësi i vazhdimësisë financiare të sistemit.

Nxënësit paguajnë një tarifë shkollimi prej 10.000-20.000 franga zvicerane (9.000-18.000 euro) për dy deri tre vjet trajnim. Kjo shifër është shumë më e lartë se kostot e kolegjit, por nëse nxënësit kalojnë provimin shtetëror, marrin 50% të tarifës së shkollimit mbrapsht. Për më tepër, kompanitë nisin t’i paguajnë praktikantët (pagat fillojnë nga rreth 800 euro), dhe më pas e punësojnë një pjesë të madhe të tyre.

PYETJE: Si e keni realizuar përfshirjen kaq të gjerë të sektorit privat?

PËRGJIGJE: Kompanitë që investojnë para në sistem nuk e bëjnë për bamirësi, por për interes ekonomik. Është në interesin e kompanisë dhe industrisë të trajnojë profesionistë të mirë për të arritur rezultate më të larta. Këta profesionistë të mirëtrajnuar në të gjitha nivelet u japin bizneseve një avantazh të dukshëm konkurrues. Për këtë arsye, kompanitë e mëdha zvicerane, që nga kompanitë e përfshira në prodhimin e produkteve ushqimore, produktet farmaceutike e deri tek bankat, po investojnë aq shumë në studime kërkimore. Megjithëse kanë kosto të larta, avantazhet konkurruese janë të mëdha. Sektori privat ka ndikimin e vet në formimin e fuqisë punëtore. Sekreti është ky: sistemi është larg politikanëve dhe afër tregut të punës. Ne jemi të mbrojtur nga ndërhyrjet politike. Politikanët nuk kanë zë në çështjet apo programet arsimore.

PYETJE: Si keni garantuar që agjendat politike të mos ndërhyjnë në çështjet e sistemit arsimor?

PËRGJIGJE:  Kjo ka ndodhur për shkak të mënyrës së organizimit të shtetit zviceran. Aparati shtetëror ndahet në dy nivele: Konfederata (niveli kombëtar) dhe 26 kantonet (niveli rajonal). Kantonet, ndryshe nga komunitetet autonome spanjolle ose “rajonet” gjermane, janë njësi autonome sovrane që mbledhin taksat e tyre. Dialogu, ose deri diku plotësimi i ndërsjellë që ekziston midis niveleve kantonale dhe federale, të dyja me fuqi dhe peshë, është thelbësor për mbrojtjen e sistemit nga ndërhyrjet e ndërsjella. Konfederata është organ në varësi e me strukturë aq të decentralizuar sa që do të duhej një marrëveshje mes shumë palëve për të bërë një ndryshim. Arsyeja e thjeshtë pse jemi të mbrojtur nga ndërhyrjet politike është se politikanët nuk kanë asgjë për të thënë për arsimin apo programet.

 

PYETJE: Cilat janë dobësitë e sistemit?

PËRGJIGJE: Disavantazhet e decentralizimit shkojnë paralelisht me avantazhet e tij. Në arsimin zviceran kemi “de fakto” 26 sisteme të ndryshme, një për secilin kanton. Mënyra e organizimit të shkollave është krejtësisht e ndryshme nga një kanton në tjetrin. Në kohërat e globalizimit, ky është një disavantazh i madh, sepse ne i kushtojmë shumë vëmendje nevojave lokale. E thënë si autokritikë, ne jemi pak provincialë. Kjo shoqërohet me një problem tjetër, që është mungesa e njohjes së diplomave (të AFP-së) jashtë vendit. Ky është çmimi që duhet paguar nga mospasja e ndërhyrjes politike.

CEOE (Konfederata Spanjolle e Organizatave të Punëdhënësve) përgatit një sërë propozimesh për të ndryshuar një sistem joefikas që “ka degjeneruar vitet e fundit” dhe qëndron i ngrirë përballë bllokadës politike.

Një argument tjetër që ne rektorët përdorim për të bindur politikanët dhe shoqërinë se sa e rëndësishme është të mbash një nivel të mirë të studentëve në universitet, është që fakultetet i përgatisin të rinjtë në mënyrë më të përgjithshme. Kjo është e dobishme sepse ne nuk e dimë se si do të jetë tregu i punës pas 10 vjetësh. Në një shoqëri më globale dhe të bazuar në dije, unë besoj se nevojiten edhe më tepër ekspertë nga universiteti. Por nga ana tjetër, nuk duam të rrezikojmë papunësinë e lartë të të rinjve duke pasur shumë njerëz të përgatitur për gjëra që nuk i duhen tregut.

PYETJE: Nuk rrezikoni të mbeteni pa mjekë, kimistë apo gjuhëtarë?

PËRGJIGJE:  Ne përballemi me një sfidë sociale: si sistemet tona akademike ashtu edhe ato ekonomike zhvillohen më shpejt sesa demografia e vendit. Ne varemi nga importimi i talenteve nga jashtë. Nëse pyesni përfaqësues nga industria, ata do të thonë se duhet të rritet numri i nxënësve të arsimit profesional sepse nuk kemi mjaftueshëm. Dhe në kolegj ata do t’ju thonë të njëjtën gjë: nuk kemi mjaftueshëm studentë. Fatmirësisht, ekonomia zvicerane priret të tërheqë profesionistë të kualifikuar. Fakti është se ne importojmë studentë, të diplomuar dhe profesorë universiteti.

PYETJE: A mund të zbatohet sistemi i arsimit profesional zviceran në vende të tjera?

PËRGJIGJE: Sistemi zviceran tani po tërheq një vëmendje të madhe ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet, tregjet e të cilëve nuk kanë mundësi të përvetësojnë numrin e lartë të akademikëve që prodhojnë. Nga pikëpamja teknike, unë mendoj se mund të eksportohet në vende të tjera. Vështirësia qendron tek konteksti kulturor dhe social. Në shoqërinë zvicerane, si sistemi AFP ashtu edhe ai akademik konsiderohen të kenë vlerë të barabartë, vetëm se të  natyrave të ndryshme. Si në vendet e tjera, nuk ka stigmatizim të lidhur me AFP-në në krahasim me studimet akademike. Në Zvicër, askush nuk mendon se duhet të ndjekë universitetin për të fituar pavarësi ekonomike apo për të ngjitur shkallët sociale. Asnjëherë nuk ka qenë kështu.

Unë besoj se origjina e këtij fenomeni qëndron në krijimin e Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë në Zyrih (Eidgenössische Technische Hochschule Zürich ose ETH) në mesin e shekullit të 19-të (1855). Sot ai  është një nga 10 universitetet më të mira në botë, por që nga në fillesa ka qenë një shkollë inxhinierie i orientuar drejt tregut të punës dhe praktikave profesionale. Në vendet që flasin gjuhët romane, fokusi akademik ka qenë në kulturë ose prestigj, ndërsa në vendet gjermanike orientimi i sistemit arsimor ka qenë gjithnjë nga tregu i punës.

Ky është ndryshimi thelbësor nga Spanja, Franca apo Italia. Në një vend me një traditë të përdorimit të shkollës dhe universitetit si një mjet për ngritje të statusit social, do të duhet një kohë e gjatë për të adoptuar sistemin tonë. Madje dhe emigrantët që jetojnë në Zvicër i dërgojnë fëmijët e tyre në arsim akademik tradicional, sepse sistemi i AFP-së nuk është pjesë e kulturës së tyre. Kjo është një traditë tipike zvicerane!

 

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën spanjolle, në faqen “Prevención Integral“. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

skillsforjobs
Zvicra mund të mburret me tregun e punës më efikas në botë. Ky fakt është thelbësor për të shpjeguar se si një vend me një treg të vogël të ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.