Shkollat profesionale angazhohen për parandalimin e braktisjes së hershme të shkollës

Shkollat profesionale angazhohen për parandalimin e braktisjes së hershme të shkollës

Si mund të kontribuojnë mësuesit në uljen e shkallës së braktisjes së nxënësve nga shkollat e AFP-së?

Për të trajtuar këtë temë të ndjeshme, gjatë vitit 2018, “Aftësi për Punë” S4J ka mbështetur të gjashtë shkollat profesionale partnere, me asistencën teknike të Universitetit të Lucernës për Shkencat dhe Artet e Aplikuara (HSLU), me një metodologji dhe paketë instrumentesh për të ndihmuar nxënësit që rrezikojnë të braktisin shkollën. Mësuesit kujdestarë, psikologët dhe mësuesit e Njësisë së Zhvillimit u trajnuan në muajin qershor në lidhje me mënyrën e përdorimit të paketës së instrumenteve.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, shkollat profesionale kanë filluar të zbatojnë paketën e instrumenteve për Vëzhgimin dhe Ndërhyrjen për të parandaluar Braktisjen e Shkollës, e cila ofron një sërë udhëzimesh për mësuesit kujdestarë, psikologët si edhe drejtuesit e shkollave për mënyrën e identifikimit dhe ofrimit të mbështetjes individuale për nxënësit e rrezikuar nga ky fenomen, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë dhe të përfundojnë arsimin e tyre profesional me sukses.

 

Aktiviteti koordinohet nga mësues të shkollave, të cilët punojnë brenda ose me Njësinë e Zhvillimit, të përzgjedhur në bashkëpunim me projektin për t’u kujdesur për çështjen e braktisjes në shkolla.

Për shkak të mbështetjes zvicerane, shkalla e braktisjes u ul nga 14.5% (baza viti 2015) në 9.2% në shkollat e AFP, partnere të projektit S4J, duke tejkaluar objektivin e projektit për uljen e shkallës së braktisjes në masën 30%.