Blog

Shumë shpejt, Praktika Profesionale në Distancë për nxënësit e Lezhës dhe Vlorës

11 kompani shqiptare, lider në fushën e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit, nisin bashkëpunimin me shkollat mesme profesionale në Lezhë dhe Vlorë.

Tiranë, 18 shkurt – Ditën e premte dhe të shtunë, përfaqësues të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” (Lezhë) dhe shkollës industriale “Pavarësia” (Vlorë), u takuan me përfaqësuesit e bizneseve lider të TIK, për të konfirmuar nisjen e bashkëpunimit midis palëve.

Vodafone, New Media Communication, Facilization, Landmark, Albanian Business Partner, Dentem, ATIS, Gjeo-Vjosa, Tech360, CEI, Big Media Expert, janë kompanitë e para të cilat janë zotuar të ofrojnë Praktika Profesionale në Distancë për 98 nxënës të drejtimit TIK të 2 shkollave.

Ky model praktike është tërësisht i ri për vendin tonë, i nxitur nga nevoja për aftësimin e të rinjve në përputhje me cilësitë profesionale që kërkon tregu. Modeli prezantohet nga “Aftësi për Punë S4J”, një projekt zviceran me nje qasje novative për përmirësimin e cilësisë dhe ofertës së arsimit dhe formimit profesional  në Shqipëri.

Nga 2016, projekti ka lehtësuar vendosjen e marrëdhënieve midis shkollat partnere në Lezhë, Berat e Vlorë dhe bizneseve lokale, për të siguruar praktika profesionale për nxënësit e drejtimit Hoteleri – Turizëm. Dy shkolla të reja, në Shkodër dhe Tiranë, janë përfshirë prej pak muajsh në nismat e “Aftësi për Punë S4J”. Qendra e Formimit Profesional në Vlorë është një institucion tjetër që përfiton nga ndërhyrjet e projektit.

Ideja për praktika në distancë ka lindur nga një analize paraprake e sektorit të TIK në zonat ku “Aftësi për Punë S4J” operon. Sipas kësaj analize, rezultoi se ekzistojnë shumë pak kompani që ofrojnë shërbime TIK  në këto rajone, çka përbën mundësi të pakta praktike për nxënësit, duke mos plotësuar dot nevojat që parashikojnë kurrikulat shkollore.

“Nëse në sektorë të tjerë si Turizmi dhe Mikpritja kemi pasur sukses për praktikat profesionale, në sektorin e ICT ka ofertë të pakët nga bizneset e zonave, pavarësisht zhvillimit që industria ka. Ka një përqendrim në Tiranë të këtyre kompanive të TIK. Ndaj ne filluam dialogun me kompanitë për të kuptuar nevojat, kërkesat e tyre të punësimit dhe pamë që ekziston nevoja për burime të kualifikuara në këtë sektor. Ndërkohë që në shkollat profesionale po afrohen gjithmonë e më shumë nxënës premtues dhe kërkues të cilët mund të përbëjnë një kontigjent të ardhshëm cilësor për të plotësuar ato nevoja.“ – thekson Z. Fation Dragoshi, menaxher i projektit.

Investimet e ndërmarra nga “Aftësi për Punë S4J” tek shkollat profesionale në infrastrukturë, si klasat e “mësimit të kombinuar”, Wi-Fi, laboratorë të pajisur me teknologjinë e fundit, zbatimi i “mënyrave të reja të mësimdhënies” bazuar në përdorimin e teknologjisë, si dhe në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në mësimdhënie, kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes drejt arsimit profesional, duke sjellë shtim në numrin e regjistrimeve në vitin aktual shkollor. Falë këtyre ndërhyrjeve të projektit, tashmë konsiderohet të jetë momenti i duhur për të aplikuar mënyra të reja të praktikave në distancë.

Të udhëhequr nga mësuesit e TIK dhe mentori (punonjësi i kompanisë që do të orientojë praktikën), nxënësit do të zhvillojnë në grupe projekte të cilat synojnë aftësimin e tyre në programim, rrjete të dhënash, suport IT dhe multimedia. Ndjekja nga mentori do të bëhet “në distancë”, përmes përdorimit platformave online të komunikimit dhe manaxhimit të projekteve.

Vajzat dhe djemtë e përfshirë në këtë skemë zhvilluan intervistat e para me bizneset e Tiranës në nëntor 2017, gjatë Panairit të Praktikave Profesionale të organizuar nga shkollat e tyre. Gjatë javëve të ardhshme, kompanitë do të vizitojnë shkollat profesionale, ku do të takohen me nxënësit dhe prindërit e tyre.

Shkollat dhe kompanitë nënshkruan “Marrëveshjet e Mirëkuptimit”, një gjest i cili afirmon bashkëpunimin afatgjatë mes palëve.

Më shumë informacion:

Rreth projektit “Aftësi për Punë” (S4J), në videon prezantuese.

Rreth modelit të Praktikave Profesionale në Distancë, në këtë artikull.

 

skillsforjobs
11 kompani shqiptare, lider në fushën e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit, nisin bashkëpunimin me shkollat mesme profesionale në Lezhë dhe Vlorë. Tiranë, 18 shkurt – Ditën e premte ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.