Blog

Si mund të ngushtohet hendeku i aftësive nga përdorimi i teknologjisë

 

E ardhmja e punës po ndryshon me shpejtësi. Për shkak të rritjes së numrit të makinerive dhe të automatizimit, ne duhet të pajisim fuqinë tonë punëtore me aftësitë e shekullit të 21 për t’i ndihmuar ata që të vazhdojnë të jenë të punësueshëm. Por si mund ta bëjmë një gjë të tillë me miliarda njerëz të cilët nuk kanë shkelur kurrë në një ambient klase? Si mund t’u japim atyre qasje universale tek arsimi dhe t’i aftësojmë për të qenë të gatshëm për të ardhmen?

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohemi sot në shkallë botërore është gjetja e mënyrave për ngushtimin e hendekut të aftësive, i cili po thellohet me shpejtësi të madhe. Ekspertët e McKinsey dhe PWC vlerësojnë se, gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm, 30-50% e vendeve të punës do të kenë të bëjnë me mirëmbajtjen e robotëve dhe me Inteligjencën Artificiale.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: çfarë na dallon nga robotët? Cilat janë cilësitë tona unike si qenie njerëzore? Dhe si mund t’i shfrytëzojmë pikat tona të forta që të mbetemi relevantë në masën e e duhur?

Ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si i trajnojmë dhe zhvillojmë njerëzit për shekullin e 21. Të nxënit duhet të përqëndrohet më shumë tek aftësitë personale (soft)  sesa tek memorizimi i termave apo përgatitja për vende pune që as nuk kanë për të ekzistuar në të ardhmen. Nëse bëhet fjalë për kryerjen e punëve rutinë, makineritë mund t’i bëjnë ato më shpejt dhe më mirë sesa ne. Pra, cilat janë ato aftësi për të cilat duhen trajnuar dhe zhvilluar njerëzit?

Lajmi i mirë është se ne tanimë e dimë se cilat janë aftësitë që duhet të zhvillohen më tej. Forumi Botëror Ekonomik ka botuar një listë me 10 aftësitë më të nevojshme për të qenë të suksesshëm gjatë Revolucionit të Katërt Industrial, si pjesë e raportit, E ardhmja e Punës. Për ta thjeshtuar pak, unë i referohem kësaj liste me 10 aftësitë më të nevojshme  si 4 K-të: të menduarit kritik, kreativiteti, komunikimi dhe kooperimi. Këto janë pikërisht ato aftësi të cilat ende nuk mund të zotërohen nga robotët dhe Inteligjenca Artificiale aq mirë sa zotërohen nga njerëzit.

Pra, si mund t’i zhvillojmë aftësitë 4K në masën dhe shpejtësinë e duhur?

Gjatë Revolucionit të Katërt Industrial, ne duhet të ripërcaktojmë objektivat e të nxënit dhe të mësojmë se si të përçojmë materiale përmbajtësore në çdo kohë, kudo, për të promovuar idenë e të nxënit të përbashkët dhe mendësinë e të nxënit gjatë gjithë jetës.

 

Revolucioni i Parë Industrial Revolucioni i Katërt Industrial
Objektivat Mësimore Përvetësimi i aftësive dhe njohurive bazë (p.sh. në lexim, matematikë) Zhvillimi i nxënësit në tërësi përmes inteligjencave të shumëfishta (p.sh. inteligjencës emocionale, intelektuale, sociale)
Roli i Edukatorit Ekspert Lehtësues
Përvoja e Nxënësit “Factory model” – Pasiv, i strukturuar, i drejtuar, në grup “Custom model” – Aktiv, i vetë-drejtuar, eksplorues
Mosha e Synuar K-12 (nga kopshti deri në klasën e 12të) Të nxënit gjatë gjithë jetës
Ekspertiza “Mësuesi e di më mirë” “Gjithkush mund të japë mësim”
Aksesi Në ambientet e klasës Në çdo kohë, në çdo vend dhe me çdo paisje

 

Një tabelë që krahason qasjet arsimore gjatë Revolucionit të Parë dhe Revolucionit të Katërt Industrial.

Për t’i përshkallëzuar këto mendësi, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të shfrytëzojmë teknologjinë për të na mundësuar që ta bëjmë një gjë të tillë në masën dhe shpejtësinë e duhur.  Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), norma globale e papunësisë tek të rinjtë është 13% (3 herë më e lartë sesa në rradhët e të rriturve). Koha është thelbësore. Një metodë e re të nxëni dhe mësimdhënieje për të zhvilluar 4K-të. Ne e quajmë këtë metodë MPPG: Mobile-first, pjesëmarrëse, e personalizuar, në grup.

Mobile-first  (më parë në celular)

Duke pasur parasysh se më shumë se 44% e popullatës botërore zotëron një telefon të zgjuar, si mund ta përdorim këtë pajisje për të ngushtuar hendekun e aftësive gjithnjë e në rritje dhe për të fuqizuar njerëzit për të marrë në dorë më shumë edukimin e tyre? Meqenëse numri i përdoruesve të telefonave celularë tani është më i madh sesa numri i përdoruesve të kompjuterëve, ne duhet të projektojmë duke patur nxënësin në mendje, i cili ka gjasa të mos ndodhet para një kompjuteri por në lëvizje. Kur projektojmë për këta nxënës në lëvizje, ne na nevojiten materiale përmbajtësore që janë të shkurtra, interesante, që shfaqen me një lëvizje të gishtit mbi ekran dhe të aksesueshme në çdo kohë dhe kudo. Kjo është fuqia e të nxënit mobile-first [1] krahasuar me mobile responsive. [2]

Pjesëmarrëse

Duke patur parasysh nivelin e stimulimit me të cilin janë rritur e mësuar njerëzit, nevoja për të nxitur bashkë-krijimin dhe pjesëmarrjen është një element kritik për zhvillimin e 4K-ve. Në fund të fundit, arsimi duhet t’i ftojë njerëzit të marrin pjesë në përvojat e tyre të të nxënit – jo thjesht të lexojnë artikuj apo të shikojnë video në mënyrë pasive. Pjesëmarrja e nxënësve në përvojën e të nxënit, rrit pronësinë e tyre mbi këtë proces, duke rritur kështu edhe gjasat e përdorimit të njohurive, e cila është edhe vlera e vërtetë e tyre. Nxënësit duhet të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik për të reflektuar për sfidat me të cilat ballafaqohen në Revolucionin e Katërt Industrial.

 

E ardhmja e të nxënit. Imazhi: Gnowbe

E personalizuar

Nëse përballemi me të njëjtën sfidë, secili prej nesh do të reagojë ndryshe në bazë të formimit dhe përvojës tonë, prandaj le të zhvillohemi dhe të shkojmë përtej vlerësimeve tejet të thjeshtëzuara për pyetje me alternativa për të testuar njohuritë. Në një botë të karakterizuar nga paqëndrueshmëria, pasiguria, kompleksiteti dhe paqartësia , ne duhet të zhvillojmë aftësitë e të menduarit dhe gjykimit kritik në mënyrë që gjithsecili nga ne të ketë mundësinë për të formuar mendimet dhe perspektivat personale. Të nxënit duhet të krijojë hapësirë për individët që të japin përgjigjet e tyre, në mënyrë që të nxënit të kthehet në një proces të personalizuar dhe të jetë relevant për kontekste të ndryshme. Edhe pas ndjekjes së një leksioni, konkluzionet e gjithsecilit do të jenë të ndryshme, kështu që le të krijojmë hapësirë dhe kohë për reflektim personal gjatë procesit të të nxënit.

Në grup

Të rriturit nxënë më shumë kur debatojnë, diskutojnë dhe mësojnë nga njëri-tjetri si edhe kur ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre . Kjo nganjëherë quhet “të nxënit shoqëror”. Integrimi i të nxënit në grupe në arkitekturën themelore të arsimit është thelbësor për të inkurajuar sjelljet që kanë të bëjnë me “ndarjen dhe shkëmbimin” me të tjerët. Ndarja me të tjerët dhe puna në grupe zhvillon aftësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit.

Ne po jetojmë në kohë më të ndërlikuara dhe të pasigurta, në një epokë ku njerëzit dhe teknologjia janë duke mësuar se si të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Nuk na ka mbetur shumë kohë për të zhvilluar aftësitë dhe mendësitë për shekullin e 21, dhe për të ngushtuar hendekun gjithnjë në rritje të punësueshmërisë. Ne duhet të përqafojmë perspektiva dhe mënyra të reja për të zhvilluar aftësitë në masën e duhur. Bazuar në shkencën më të fundit për arsimin e të rriturve, metoda MPPG shërben si një kornizë praktike për të na lëvizur në drejtimin e duhur.

[1] Projektimi i faqeve të internetit duke patur përdoruesit e celularëve në mendje

[2] Kur një faqe interneti shfaqet automatikisht në celular

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen online të World Economic Forum.  Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

skillsforjobs
  E ardhmja e punës po ndryshon me shpejtësi. Për shkak të rritjes së numrit të makinerive dhe të automatizimit, ne duhet të pajisim fuqinë tonë punëtore me aftësitë e ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.