Sierre, Zvicër, një Bachelor pa mësim dhe pa mësues

Sierre, Zvicër, një Bachelor pa mësim dhe pa mësues

Shkolla e Lartë e Zvicrës (HES-SO) Sierre, përuron një program pa orë mësimore, të fokusuar në autonominë e studentëve. Pedagogjia e re e kësaj mënyre të mësuari ngre pyetje mbi të ardhmen e metodave aktuale të formimit universitar.

Fundi i mësimeve teorike të stërgjatura dhe i profesorëve të lodhshëm. Shkolla e Lartë e Specializuar në Sierre, Zvicër (HES-SO) integroi në shator 2017 një program të ri të mësuari në profilin e saj “Ekonomi Biznesi”. Programi, i pagëzuar me emrin «Team Academy» (Akademia e Skuadrës), nisi në Shkollën e Lartë të Manaxhimit (HEG) në Valais, Zvicër dhe po zhvillohet në mënyrë tërësisht të ndryshme nga mënyrat klasike të mësimdhënies. Një koncept që vjen për herë të parë në Zvicër.

Shtatëmbëdhjetë studentët e përzgjedhur për vitin e parë, filluan formimin e tyre 3-vjeçar në 18 shtator. Ata nuk po ndjekin asnjë lloj kursi mësimor dhe nuk do të kalojnë provime. Ata do duhet të formojnë një ekip dhe të ndërtojnë një portofol projektesh, që përfshin klientë dhe strategji ekonomike reale. «Modeli pedagogjik vendos në qendër përgjegjësimin e studentëve dhe aspektin bashkëpunues, pohon Antoine Perruchoud, përgjegjës i programit në HES-SO. Ata kanë autonominë për t’u vetë-organizuar, për të administruar kohën e tyre në një logjikë «projekti» dhe në funksion të objektivit që është për t’u arritur…»

Të mësuarit nëpërmjet veprimit

Profesorët u lëshojnë vendin e tyre trajnuesve – sipërmarrës serialë, specialistë në manaxhim apo akademikë – të ngarkuar për të «zhvilluar dhe çliruar potencialin e gjithësecilit». Studentëve u kërkohët të ndërtojnë marrëdhënië me ekosistemin që i rrethon: ekspertë, ndërmarrje vendase, kërkuës, studiues, etj… Ata mbajnë gjithashtu shënime apo dokumenta reflektimi mbi leximet e tyre dhe ndajnë informacionin me shokët e klasës.

Për Antoine Perruchoud, aksesi i thjeshtë dhe i vrullshëm ndaj informacionit dhe kthimi në realitet i programeve mësimore novative si Ecole 42 në Paris –  ku studentët duhet të zgjidhin projekte informatike në grupe, duke u pozicionuar herë në statusin e nxënësit dhe herë atë të trajnuesit – do të revolucionarizojnë sistemin e edukimit aktual, i cili është ende i bazuar mbi diplomën dhe mirënjohjen sociale.

«Modeli ynë edukativ aktual funksionon mbi bazën: degë – orë mësimore – provim. Në vend që të shpërblehet performanca e një studenti me një provim, “Team Academy” zhvillon mësimnxënien nëpërmjët veprimit dhe formon menaxherë me kompetenca të forta sipërmarrëse.»

«Soft skills» kundrejt «hard skills»

Me prejardhje nga Finlanda, modeli pedagogjik Tiimiakatemia («Akademia e Skuadrës» në gjuhën finlandeze) ka joshur tashmë me dhjetëra universitete në Evropë. Shkolla e Manaxhimit (EM) në Strasbourg lançoi në vitin 2011 bachelor-in «Sipërmarrës i ri», të frymëzuar nga Tiimiakatemia; jo pa vështirësi. «Nuk është e lehtë të kalosh nga një pedagogji klasike në një model ku studenti është në autonomi», pohon Olga Bourachnikova, doktore në shkencat e manaxhimit dhe trajnere e bachelor-it «Sipërmarrës i ri» në rajonin alzasian. «Kuadri arsimor ndryshon 2 herë në vit, ekipi i trajnerëve dhe studentëve duhet vazhdimisht të ngrejë çështje për të rregulluar dhe përmirësuar programin.»

Megjithëse formimi professional dual (HES) është i mirënjohur dhe i aprovuar nga ndërmarrjet zvicerane, këto të fundit janë ende të lidhura fort me sistemin klasik të formimit në momentin e rekrutimit të kandidatëve dhe vendosin prioritet hard skills (kompetencat teknike). Mentalitetet ndryshojnë ngadalë. «Në Zvicër, problem kryesor është skleroza e programeve të formimit professional, zbulon Tibère Adler, drejtor i laboratorit të ideve (think-tank) “Avenir Suisse”. «Niveli i cilësisë është i lartë, por ndryshimi i përmbajtjes është tërësisht i bllokuar.»

Nevojat e ardhshme të tregut të punës duhet të nxisin zhvillimin e rekrutimeve. «Në momentin që kandidatët disponojnë bagazhin teknik të nevojshëm, pishina e rekrutimit bëhet shumë e gjerë dhe disa punëdhënës do të privilegjojnë studentët më këtë tip formimi», saktëson Tibère Adler.  «Ndërmarrjet ankohen shpesh për mungesën e kompetencave racionale të studentëve me pesë vjet studime të larta», përfundon Olga Bourachnikova. «Studentët do të punësohen gjithmonë e më pak duke u bazuar mbi diplomat e tyre dhe gjithmonë e më shumë mbi njohuritë e tyre. »

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën frënge në faqen online të gazetës zvicerane Le Temps.  Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: