Blog

A do të konsiderohen lëndët shkollore në Finlandë shumë shpejt si diçka që i përket të shkuarës?

Finlanda ka një nga sistemet më të mira arsimore në botë.

Finlanda ka kohë që ka spikatur për cilësinë e arsimit që ofron dhe gjithmonë ka arritur rezultate të larta në vlerësimet ndërkombëtare.

Tani është duke u rimenduar mënyra e mësimdhënies në epokën digjitale – duke kërkuar të vendosë aftësitë, po aq sa edhe lëndët, në fokus të punës së saj. Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë ndryshim, dhe ekziston një lloj frike që një gjë e tillë mund të ulë standardet.

Është një mëngjes i ftohtë në një fshat të largët në jug të Finlandës, por mendja e këtyre nxënësve12-vjeçarë është diku tjetër – në Romën e lashtë.

Mësuesi i tyre po i shoqëron ato në një riinskenim në video – të shfaqur në tabelën interaktive të klasës – të ditës kur shpërtheu mali i Vezuvit dhe shkatërroi qytetin e Pompeit.

Në grup ata nxjerrin laptopët e tyre të vegjël. Detyra e tyre është të krahasojnë Romën e lashtë me Finlandën moderne. Njëri grup po krahason banjat romake me llixhat e sotme luksoze; një tjetër e krahason Koloseut me stadiumet moderne.

Ata përdorin printera 3D për të krijuar një maket në miniaturë të ndërtesës së tyre romake, e cila në fund fare do të përdoret si pjesë për një lojë në tavolinë që do të luhet nga e gjithë klasa.

Kjo është një orë historie ndryshe, thotë Aleksis Stenholm, një mësues në Shkollën Gjithëpërfshirëse Hauho. Edhe fëmijët janë duke përftuar aftësi në teknologji, kërkim, komunikim dhe mirëkuptim kulturor.

“Secili grup po bëhet ekspert për temën e tij, të cilën do t’ia prezantojë klasës”, shpjegon ai. Loja në tavolinë është kulmi i projektit, i cili do të zhvillohet krahas mësimit normal në klasë.

Si e ka tronditur Finlanda mësimdhënien për shekullin e 21-të

Për gati dy dekada, Finlanda ka gëzuar reputacion si një nga vendet me sistemin më të mirë arsimor në botë. 15 vjeçarët finlandezë renditen rregullisht në mesin e nxënësve me rezultatet më të larta në tabelat e vlerësimeve globale Pisa në të lexuar, matematikë dhe shkencë.


Topat e palestrës zëvendësojnë karriget në këtë klasë në shkollën Hauho.

Aftësia e këtij vendi për të prodhuar rezultate të larta akademike tek fëmijët që nuk fillojnë shkollimin formal deri në moshën shtatë vjeçare, që shpenzojnë pak orë në shkollë, kanë pushime të gjata, detyra relativisht të pakta dhe nuk japin provime, ka kohë që i ka mahnitur ekspertët e arsimit në mbarë botën.

Pavarësisht kësaj, Finlanda e ka përmbysur mënyrën sesi i bën gjërat – një lëvizje që sipas saj është jetësore në një epokë digjitale ku fëmijët nuk varen më nga librat dhe ambienti i klasës për të fituar njohuri.

Në gusht të vitit 2016 u bë e detyrueshme që në çdo shkollë finlandeze të zhvillohej mësimi në mënyrë më bashkëpunuese; për t’i lejuar nxënësit që të zgjedhin një temë relevante për ta mbi të cilën do të bazohen edhe lëndët. Përdorimi inovativ i teknologjisë dhe burimeve jashtë shkollës, siç janë ekspertët dhe muzetë, është një pjesë e rëndësishme e tij.

Qëllimi i kësaj mënyre të mësimdhënies – e njohur si të nxënit nëpërmjet projektit ose fenomenit (TNNP) – është pajisja e fëmijëve me aftësitë e nevojshme për të lulëzuar në shekullin e 21-të, thotë Kirsti Lonka, profesor i psikologjisë arsimore në Universitetin e Helsinkit. Ndër aftësitë që ajo veçon janë të menduarit kritik për të identifikuar lajmet e rreme dhe për të shmangur ngacmimin kibernetik, dhe aftësia teknike për të instaluar programet kompjuterike kundër viruseve dhe për t’i lidhur ato me një printer.


Shkolla në Hauho nuk shqetësohet aspak për faktin që fëmijët i përdorin telefonat e tyre celularë në klasë, si dhe në orarin e drekës.

“Tradicionalisht, të nxënit është përcaktuar si një listë me lëndë dhe fakte që duhet t’i përftoni – si aritmetika dhe gramatika – me disa dekorime, si qytetaria që e përshkon të gjithë procesin mësimor”, thotë zonja Lonka.

“Por kur bëhet fjalë për jetën reale, truri ynë nuk është i ndarë në disiplina në të njëjtën mënyrë; ne mendojmë në mënyrë shumë holistike.  Dhe kur mendojmë për problemet në botë – krizat globale, migracioni, ekonomia, etj. – me të vërtetë nuk u kemi dhënë fëmijëve tanë mjetet për t’u përballur me këtë botë ndër-kulturore.

“Mendoj se është një gabim i madh nëse i bëjmë fëmijët që të besojnë se bota është e thjeshtë dhe nëse ata mësojnë fakte të caktuara atëherë ata janë të gatshëm për t’u përballuar me të. Pra, të mësosh sesi të mendosh, të mësosh sesi të kuptosh, këto janë aftësi të rëndësishme – si edhe e kthen të nxënit në argëtim, i cili mendojmë se promovon mirëqenien “.

Si po i braktis Finlanda traditën e klasës

Shkolla Gjithëpërfshirëse Hauho është e vendosur midis pyjeve dhe liqeneve, rreth 40 minuta me makinë në veri-lindje të qytetit të Hameenlinna.

Me vetëm 230 nxënës të moshës shtatë deri në 15 vjeç, ajo të krijon përshtypjen e një shtëpie. Këpucët janë lënë tek porta kryesore, në vend të karrigeve përdoren topat e ushtrimit në disa klasa, dhe në hyrje ka edhe paralele.

Mësuesit nuk shqetësohen nga përdorimi i telefonave celularë në klasë; ata thonë që kjo është një mundësi që fëmijët të kuptojnë vlerën e tyre si një mjet kërkimi, jo vetëm si një mjet për të komunikuar me miqtë e tyre.


Parku i patinave në shkollë erdhi si një ide e sugjeruar nga fëmijët, të cilët ndihmuan për projektimin dhe mbledhjen e fondeve për ndërtimin e tij.

Në këtë ditë të ftohtë, nxënësit më të mëdhenj në moshë grumbullohen rreth telefonave të tyre gjatë orarit të drekës, ndërsa disa nga fëmijët më të vegjël i durojnë rreshjet e dëborës për të përdorur parkun e patinave, fushat e futbollit dhe të basketbollit.

Drejtori i shkollës Pekka Paappanen beson fort tek TNNP dhe është në kërkim të mënyrave të ndryshme për ta integruar atë në programin e shkollës.

“Unë flas me mësuesit tanë përmes ideve, dhe më pas sigurohem që të gjejmë kohë dhe hapësirë në orar për kryerjen e aktiviteteve të tilla”, shpjegon ai.

“Mendoj se mësuesit kanë më shumë pushtet në këtë mënyrë, por ata duhet të kuptojnë se nuk mund të bëjnë gjithçka. Ne po lëmë pas disa tradita të vjetra, por në të njëjtën kohë jemi duke e bërë në mënyrë të ngadaltë – mësimdhënia për fëmijët tanë është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet të gabojmë “.

Trajtimi i çështjeve më të mëdha të Europës në klasë

Një projekt i madh vitin e kaluar kishte të bënte me çështjen e emigracionit, kur fluksi i emigrantëve drejt Europës ishte lajmi kryesor në mbarë botën.


Fëmijët u lidhën me nxënësit gjermanë për të krahasuar perceptimin e tyre në lidhje me emigracionin.

Aleksis Stenholm thotë që ata e zgjodhën këtë temë sepse u bë e qartë që shumë nga nxënësit e tyre kishin pak përvojë personale përsa i përket emigrantëve dhe emigracionit. Kjo temë u përfshi edhe në orën e gjermanishtes dhe të fesë.

Nxënësit e tyre 15-vjeçarë kryen studime në rrugë për të mbledhur mendimet e vendasve në lidhje me emigracionin, si edhe vizituan një qendër emigracioni aty pranë për të intervistuar azilkërkuesit. Ata i ndanë gjetjet e tyre nëpërmjet një komunikimi audioviziv me një shkollë në Gjermani, e cila kishte kryer një projekt të ngjashëm.

“Mënyra sesi nxënësit reaguan ndaj saj ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme.  Ata filluan të mendonin për gjëra të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje edhe mendimet e tyre”, kujton Z. Stenholm.

“Nëse unë do t’jua kisha trajtuar këtë temë, le të themi, vetëm në tre orë mësimi, efekti do të ishte shumë i ndryshëm”.

Por a funksionon kjo mënyrë të nxëni?

Ideja prapa të nxënit nëpërmjet fenomenit ka kritikët e saj. Disa persona, si për shembull mësuesi i fizikës Jussi Tanhuanpaa, kanë frikë se kjo mënyrë të nxëni nuk u ofron fëmijëve një bazë mjaftueshmërisht të fortë në një lëndë të caktuar në mënyrë që ata të mund ta studiojnë atë në një nivel më të lartë.

Ai jep mësim në Lieto, jashtë qytetit jug-perëndimor të Turkut dhe thotë se nga një grup nxënësish pas moshës 16 vjeçare, që ai e dinte që kishin marrë nivelin e avancuar në matematikë, rreth 30% prej tyre duhej të zbrisnin një nivel më poshtë.

Ai gjithashtu shqetësohet për faktin që kjo mënyrë të nxëni po zgjeron hendekun midis nxënësve më të aftë dhe atyre më pak të aftë – një hendek që ka qenë historikisht i vogël në Finlandë.


Në këtë orë mësimi ku po diskutohet për ndryshimet klimaterike përdoret një tabelë interaktive si edhe kompjutera tabletë.

“Kjo mënyrë mësimdhënie është e shkëlqyeshme për fëmijët më të zgjuar që kuptojnë se çfarë njohurish duhet të përthithin nga një eksperiment. Kjo iu jep atyre lirinë për të mësuar me hapin e tyre dhe për të ndërmarrë hapat e ardhshëm kur të ndjehen të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë”, thotë ai.

“Por ky nuk është rasti për fëmijët që janë më pak të aftë që t’i kuptojnë gjërat vetë dhe që kanë nevojë për më shumë orientim. Hendeku midis nxënësve më të mirë dhe nxënësve më pak të aftë tashmë ka filluar të zgjerohet dhe unë kam frikë se vetëm do të përkeqësohet”.


Stilolapsi dhe letra vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e punës në klasë.

Disa të tjerë shqetësohen dhe mendojnë se kjo mënyrë po e shton ngarkesën e punës së mësuesve dhe po dëmton mësuesit e moshuar, të cilët nuk mund të jenë aq të aftë përsa i përket anës digjitale sa homologët e tyre më të rinj në moshë.

Jari Salminen nga Fakultetit i Edukimit në Universitetin e Helsinkit thotë se në të shkuarën – 100 vjet më parë –  janë provuar disa lloje të ngjashme të të nxënit të cilat kanë dështuar.

“Shumë vizitorë ndërkombëtarë më pyesin, përse po e ndryshoni këtë sistem kur merrni rezultate kaq të mira? Është një mister edhe për mua, pasi nuk kemi asnjë të dhënë në nivel shkolle që të provojë që të nxënit nëpërmjet fenomenit ndikon në përmirësimin e rezultateve,” thotë Z. Salminen.


…. po ashtu edhe artet dhe veprat artizanale.

Anneli Rautiainen nga Agjencia Kombëtare e Arsimit në Finlandë pranon se shqetësimet ekzistojnë dhe thotë që ato janë duke i prezantuar ndryshimet në mënyrë graduale: shkollave iu kërkohet të ofrojnë vetëm një projekt të tillë në vit.

“Ne duam të inkurajojmë mësuesit që të punojnë në këtë mënyrë dhe që nxënësit ta provojnë atë, por e kemi nisur me hapa të ngadaltë. Ende ka lëndë që duhen zhvilluar si dhe qëllime që duhet të arrihen për secilën lëndë, por gjithashtu duam që edhe nga kjo mënyrë të nxëni të nguliten edhe aftësitë e duhura”, shpjegon ajo.

Po rezultatet?

“Në përgjithësi në vendin tonë nuk jemi shumë të interesuar për metrikën, kështu që nuk e kemi në plan që të matim suksesin e kësaj mënyre të nxëni, të paktën jo tani për tani. Shpresojmë që ajo do të demostrohet në rezultatet e të nxënit të fëmijëve tanë, si dhe në tabelat e vlerësimeve ndërkombëtare si Pisa”, thotë ajo.

Çfarë është ndryshe në shkollat finlandeze?

  • Mësimdhënia është një profesion shumë i respektuar dhe i paguar mirë;
  • Nuk bëhen inspektime të shkollave ose vlerësime të mësuesve;
  • Sistemi shkollor është tejet i centralizuar dhe shumica e shkollave financohen me fonde publike;
  • Ditët e shkollës janë të shkurtra dhe pushimi veror është 10 javë;
  • Nxënësit vlerësohen nga mësuesit e tyre. I vetmi provim mbarëkombëtar është për ata nxënës që vazhdojnë të studiojnë deri në moshën 18 vjeç;
  • Numri mesatar i nxënësve në shkollë është 195; numri mesatar i nxënësve në një klasë është 19;
  • Suksesi i është atribuar respektit tradicionalisht të lartë për mësimdhënien dhe leximin, si edhe popullsisë së vogël në numër, kryesisht homogjene;
  • Megjithëse ende në pozicion të lartë, gjatë viteve të fundit Finlanda ka pësuar rënie në klasifikimin e Pisa;
  • Ashtu si edhe vendet e tjera, ajo përballet me sfida që kanë të bëjnë me kufizimet financiare dhe emigracionin në rritje.

Ndërkohë që jo të gjithë janë të bindur nga ky revolucion në mësimdhënien finlandeze, shumica e nxënësve dhe prindërve në Hauho e kanë shprehur aprovimin e tyre për të.

Sara, 14 vjeç, thotë se nuk është “aq e lodhshme. Është shumë më interesante – pikërisht për këtë arsye më pëlqen”. Ana, po 14 vjeçe, thotë se motra e saj më e madhe është ziliqare sepse mendon se “tani shkolla është shumë më argëtuese sesa në kohën e saj”.

Znj. Kaisa Kepsu, mamaja e një nxënësi, thotë se shumica e prindërve që njeh janë të kënaqur me ndryshimet në kurrikul. “Ka pasur një diskutim më të gjerë në lidhje me nevojën për të siguruar që fëmijët janë ende duke mësuar faktet bazë dhe unë pajtohem me këtë,” thotë ajo. “Por, rritja e motivimit të tyre dhe e interesit për botën është gjithashtu po aq e rëndësishme. Nuk shoh asgjë të gabuar në faktin që shkolla është argëtuese”.

 A mund të funksionojë kjo qasje në Britani të Madhe?

Të nxënit nëpërmjet projekteve zhvillohet edhe në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar, thotë Tom Bennett, këshillues për sjelljen në klasë, por në një shkallë shumë më të vogël nga ajo e planifikuar për Finlandën.

Dhe ka të ngjarë të mbetet kështu, thotë ai, pasi nuk ka asnjë provë bindëse që të vërtetojë që të nxënit nëpërmjet projekteve është një mënyrë më efikase e mësimdhënies. Fondacioni për Financimin e Arsimit (FFA) ka financuar një testim të të nxënit nëpërmjet projekteve që përfshinte nxënës me aftësi të përziera nga klasa e 7-të në 24 shkolla në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës 2014 – 2016.

Gjetjet u shtrembëruan për shkak se një numër i madh i shkollave u larguan nga studimi, kryesisht për shkak të faktit se nevojitej një nivel i lartë i mbështetjes nga menaxhimi si edhe ndryshime organizative.

Testimi nuk nxorri asnjë fakt që të vërtetonte së të nxënit nëpërmjet projekteve ka patur ndonjë ndikim pozitiv tek aftësitë e nxënësve për shkrim-lexim ose tek angazhimi i tyre me shkollën dhe procesin e të nxënit, tha FFA.

Megjithatë, vlerësuesit e pavarur konstatuan që – nga vëzhgimet dhe mendimet e marra nga shkollat – kjo mënyrë të nxëni mund të rrisë aftësitë e nxënësve në komunikim, punë në grup dhe studim të vetëorganizuar.

Po në Shqipëri?

Në kuadër të aplikimit të mënyrave të reja të mësimdhënies, projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J, është duke prezantuar në shkollat partnere ‘të nxënit nëpërmjet projekteve’ (Project Based Learning, shkurt PBL), si një metodologji e cila jo vetëm nxit angazhimin e nxënësve gjatë orës së mësimit, por realizon më së miri dhe qëllimet mësimore të shkollës.

Mësimdhënia me në qendër nxënësin rezulton sot një nga metodologjitë më frytdhënëse, në të gjitha ciklet e shkollimit, e vlefshme kjo edhe për shkollat profesionale. Të nxënët nëpërmjet projektit, është një mënyrë konceptimi e kurrikulumit me në qendër nxënësin, e bazuar në zgjidhjen e problemeve, në integrimin ndërlëndor, duke bërë të mundur të nxënët e drejtuar, afatgjatë dhe efikas. Duke qenë se në PBL, theksi vendoset tek puna në grup, të menduarit në mënyrë kritike e krijuese dhe zgjidhja e problemeve, nxënësit janë më të motivuar dhe janë përgjegjës për të nxënët e tyre, duke u aftësuar në të kuptuarin e njohurive.

Nxënësit nuk limitohen vetem në marrjen e njohurive brenda kornizës të paracaktuar nga kurrikula, por analizojnë dhe vënë në “dyshim” çdo aspekt të projektit. Kjo i ndihmon ata të mësojnë në mënyrë të pavarur, përtej asaj çfarë librat shkollorë ofrojnë, duke u bazuar në kërkim dhe analizë.

PBL në thelb “të mëson si të mësosh”, pasi nxënësit mësojnë si të zgjdhin probleme. Kjo e bën procesin e të mësuarit të frytshëm dhe interesant. Duke qënë se nxënësit ndahen në grupe pune për t’i dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme, kjo metodë është një përvojë interaktive që zhvillon aftësitë bashkëpunuese. Kur përdoret PBL, mësimdhënia nëpërmjet metodave tradicionale, si memorizimi i njohurive, apo të mësuarit e orientuar nga mësuesi, zëvëndësohen nga teknika të përditësuara, sipas të cilave nxënësit përfshihen në kërkim, evidentojnë problematika, supozojnë situata të ndryshme dhe bëjnë parashikime për fenomene që do të ndodhin. Në fund shpjegojnë rezultatet nëpërmjet eksperimenteve dhe diskutimeve.

Për të zbatuar këtë metodologji mësimdhënie, duhet që mësuesit të trajnohen në hartimin dhe zbatimin e PBL, në përputhje me lëndët dhe planet mësimore të gjithësecilit. Projekti ‘Aftësi për Punë’ ka nisur me trajnimin e mësuesve nga shkollat partnere.

—————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen online të BBC.  Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

skillsforjobs
Finlanda ka një nga sistemet më të mira arsimore në botë. Finlanda ka kohë që ka spikatur për cilësinë e arsimit që ofron dhe gjithmonë ka arritur rezultate të larta ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.