Blog

Të ndihmojmë nxënësit që rrezikojnë të braktisin shkollat profesionale

Pothuajse 15% e nxënësve në shkollat profesionale në Shqipëri e braktisin atë. Për shkak të largimit kaq të hershëm të tyre nga sistemi arsimor, një pjesë e madhe e këtyre të rinjve do ta kenë të vështirë që të hyjnë dhe të qëndrojnë në tregun e punës. Edhe nëse, më në fund, do të arrijnë të gjejnë punë, ka shumë gjasa që ajo të jetë punë me pagesë dhe produktivitet të ulët. ‘Aftësi për Punë’ S4J është angazhuar për të mbështetur partnerët e saj të AFP në nismën e tyre për të ulur numrin e nxënësve që largohen nga shkolla para se të pajisen me një certifikatë.

Me ndihmën teknike të Universitetit të Lucernës për  Shkencat dhe Artet e Aplikuara (HSLU), gjashtë shkolla profesionale kanë përgatitur në fillim të vitit 2018 një metodologji për të ndihmuar nxënësit që janë në rrezik për të braktisur shkollën. Në çdo shkollë janë identifikuar edhe koordinatorët për reduktimin e braktisjes, të cilët gjatë muajve të fundit janë trajnuar në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertë të HSLU dhe të ‘Aftësi për Punë’ S4J. Për të mbështetur zbatimin e metodologjisë, HSLU ka zhvilluar një paketë instrumentesh për Vëzhgimin dhe Ndërhyrjen kundër Braktisjes dhe një sërë udhëzimesh për mësuesit për mënyrën e mbështetjes së nxënësve me qëllim vazhdimin dhe përfundimin me sukses të arsimit profesional.

Mësuesit kujdestarë, psikologët dhe mësuesit e Njësisë së Zhvillimit u trajnuan në muajin qershor për mënyrën e aplikimit të paketës së instrumenteve duke filluar nga viti i ardhshëm akademik. Ajo që e bën paketën të dobishme është qasja e strukturuar që iu ofrohet mësuesve dhe psikologëve për t’i orientuar më mirë përpjekjet e tyre dhe për të marrë ndihmën e kolegëve, nxënësve dhe mentorëve të kompanive.

‘Aftësi për Punë’ dhe shkollat partnere të AFP janë zotuar për të punuar së bashku me qëllim uljen e normës së braktisjes nga 14.5% (baza 2015) në 9.2%. Rezultatet e para që kemi parë gjatë vitit akademik 2017-2018 janë shumë premtuese.

Nëse jeni drejtor shkolle apo mësues kujdestar dhe jeni të interesuar për të mësuar më shumë për metodologjinë dhe paketën e instrumenteve, ju lutemi na kontaktoni me e-mail në adresën al.info@swisscontact.org. Ne do të jemi më se të lumtur që t’i ndajmë ato me ju.

skillsforjobs
Pothuajse 15% e nxënësve në shkollat profesionale në Shqipëri e braktisin atë. Për shkak të largimit kaq të hershëm të tyre nga sistemi arsimor, një pjesë e madhe e ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.