Blog

Teknologjia Ushqimore: Si nisi drejtimi i ri tek shkolla “Kolin Gjoka”

Faza 1: Nevojat e biznesit

E gjitha nisi nga dy miq dhe mbështetës të shkollës: Altin Prenga dhe Alfred Marku. Shkolla profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë ka partneritet me biznesin e agroturizmit “Mrizi i Zanave” të drejtuar nga Shef Altini dhe “Rapsodia Hotel & Restorant” të drejtuar nga Shef Alfredi.

Si Altini i Mrizit ashtu edhe Alfredi i Rapsodisë kanë treguar një përkushtim të madh ndaj praktikantëve të rinj nga shkolla. Ata bashkëpunojnë ngushtë me “Aftësi për Punë” dhe shkollën për të përmirësuar apo përshtatur skemën e praktikës profesionale të krijuar nga S4J. Për këtë arsye, para disa kohësh shkolla i ftoi për t’u bërë anëtarë të Bordit Drejtues të saj, si përfaqësues të sektorit privat. Të dy ranë dakord të shërbenin në bord ndërsa Altini u zgjodh si Kryetar i Bordit.

Që në fillim, Alfredi dhe Altini i kërkuan shkollës të konsideronte hapjen e një programi që do të ndihmonte në përgatitjen e specialistëve në përpunimin ushqimor (teknologji ushqimore).

Hapja e një drejtimi të ri mësimor nuk është një detyrë e lehtë për një shkollë profesionale. Sipas procedurave, nëse një shkollë do të hapë një drejtim të ri, duhet kërkuar më parë miratimi nga ministria e linjës. Nga ana tjetër, shkolla nuk kishte fonde ose hapësira për laboratorë për këtë drejtim mësimor. Nëse kjo do të funksiononte, praktikat do të zhvilloheshin tërësisht në kompani.

Faza 2: Të gjithë aktorët së bashku

Në nëntor 2018 u organizua një seminar me 13 kompani të teknologjisë ushqimore nga rajoni. Drejtori i Zyrës së Punësimit, një specialist nga Agjencia Kombëtare për AFP dhe Kualifikimeve (AKAFPK), menaxherët dhe mësuesit e shkollës “Kolin Gjoka” iu bashkuan seminarit të mbështetur nga S4J. Seminari arriti të identifikojë mangësitë për aftësi në këtë sektor dhe të sigurojë përkushtimin e kompanive për të kontribuar me promovimin e drejtimit të ri, mbështetje për përshtatjen e kurrikulave sipas kontekstit lokal dhe ofrimin e praktikave profesionale për nxënësit.

Dokumenti me këto pika u firmos nga të gjitha kompanitë e pranishme dhe u prezantua si një kërkesë që shkolla të hapte drejtimin e ri. Bordi drejtues miratoi propozimin dhe nënshkroi një kërkesë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të lejuar shkollën “Kolin Gjoka” të ofrojë drejtimin mësimor “Teknologji Ushqimore” duke filluar nga viti i ardhshëm akademik.

Faza 3: Drejtim i ri!

Ministria e Financave dhe Ekonomisë e miratoi kërkesën gjashtë muaj më vonë. Në shtator 2019, 24 nxënës filluan studimet tyre në drejtimin mësimor “Teknologji Ushqimore”. Deri më tani, 7 kompani kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi me shkollën dhe 4 prej tyre kanë pritur nxënës si praktikantë.

 

          

admin
Faza 1: Nevojat e biznesit E gjitha nisi nga dy miq dhe mbështetës të shkollës: Altin Prenga dhe Alfred Marku. Shkolla profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë ka partneritet me biznesin ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.