Blog

Vini re Feminizimin e Arsimit Profesional në Shqipëri! Fushata “Takojmë Çdo Vajzë”

Megjithëse herë pas here është vërtetuar që arsimi profesional cilësor mund t’i pajisë djemtë dhe vajzat me një sërë aftësish të nevojshme teknike, praktike dhe personale për të lulëzuar në botën e punës, perspektiva e zanateve profesionale nuk konsiderohet ende si një perspektivë tërheqëse nga shoqëria shqiptare. Shpesh publiku nuk arrin të vërejë lidhjen midis besimit që kemi krijuar tek teknologjia dhe gamën e jashtëzakonshme të profesionistëve që nevojiten për ta mirëmbajtur dhe zhvilluar atë.

 

Për këtë arsye, pavarësisht disa prirjeve pozitive gjatë viteve të fundit, vetëm një në pesë të rinj zgjedh të ndjekë shkollën profesionale në Shqipëri. Prindërit dhe të rinjtë nuk kanë informacion në lidhje me programet që ofrohen, mundësitë për karrierë dhe nivelin e pagave që lidhen me zanatet profesionale të barabarta për meshkujt dhe femrat. Është për të ardhur keq që shumë vajza të reja dhe prindërit e tyre duket se e shoqërojnë arsimin profesional me djemtë dhe profesionet “tradicionalisht” mashkullore që kërkojnë punë të rëndë në mjedise të ashpra, të cilat supozohet të mos jenë të përshtatshme për trupin dhe psiqikën femërore. Ky perceptim bazohet edhe në ofertën ekzistuese të programeve të AFP-së, e cila është e ngarkuar me profesione që nuk janë tërheqëse për vajzat. Kjo është arsyeja pse, aktualisht vetëm 15% e nxënësve në arsimin profesional janë vajza ose rreth 3,000 vajza nga 19,000 nxënës.

 

Si mund të ndryshohet kjo mendësi dhe si mund të tërhiqen më shumë vajza në arsimin profesional? Për shkak të investimeve për stafin dhe aktivitetin shkollor, për kurrikulat, infrastrukturën e pajisjet dhe marrëdhëniet me biznesin, ‘Aftësi për Punë’ S4J ka arritur të rrisë përqindjen e vajzave të regjistruara  në shkollat e mbështetura nga projekti nga 14.1% (2016) në 18% (2017). Ndërkohë që shkollat u përmirësuan, ne e kuptuam që na duhej të siguroheshim që ky mesazh të shkonte tek njerëzit e duhur.

 

Ekipi i S4J filloi të shfletonte literaturën e shitjeve dhe marketingut për të kuptuar se cila do të ishte qasja më e mirë për të ndihmuar në ndryshimin e një mendësie që ka mbizotëruar në një shoqëri për dekada të tëra. “Takojmë Çdo Vajzë” u projektua si një fushatë kontaktimi derë më derë, e cila synonte vajzat e klasave të 9-ta dhe prindërit e tyre – të cilët janë shpesh ata që marrin vendimet.

 

Që nga mesi i muajit shkurt, mësuesit dhe anëtarët e ekipit të S4J kanë vizituar të gjitha shkollat nëntëvjeçare në qytete dhe fshatra, më saktësisht 85 prej tyre, brenda një distance të aksesueshme nga shkollat profesionale në qytetet e Beratit, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës. Brenda mundësive, të shoqëruar edhe nga nxënëse femra që ishin ende duke studiuar në ato shkolla, mësuesit dhe ekipi ynë u takuan me të gjitha vajzat e klasës së nëntë (2.732 prej tyre) në grupe të përbëra nga 10-15 veta.

 

Ato u informuan në lidhje me ofertën dhe përparësitë e shumta që kanë nëse studiojnë në shkollat profesionale të transformuara në sajë të mbështetjes zvicerane, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me kompanitë udhëheqëse të sektorit privat. Një fletëpalosje e lehtë për t’u përdorur e cila flet në gjuhën e adoloshentëve, prezantimet në power point me imazhet e klasave moderne ndjekur edhe nga një seancë informale me pyetje dhe përgjigje, shërbyen si një pikënisje e mirë. Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte të rregullta me këto vajza përmes mediave sociale për të ruajtur vrullin dhe energjinë.

Takimet me nxënëset e klasave të nënta ishin jashtëzakonisht të frytshme dhe informuese. Shumë prej 2,732 vajzave nuk kishin dëgjuar dhe as nuk kishin parë ndonjëherë një shkollë profesionale. Ishte me të vërtetë tronditëse të dëgjoje ide të gabuara të tilla si “vetëm nxënësit e dobët shkojnë në shkollat profesionale”, … “atje nuk shpjegohen mirë lëndët teorike”, “nuk mund të vazhdojmë studimet universitare më pas”, … “Unë nuk dua të bëhem hidraulik “… etj.

 

Hapi tjetër ishte kontaktimi me prindërit. Takimet me prindërit e këtyre vajzave u përqendruan tek edukimi cilësor dhe perspektiva ekonomike e programeve të AFP-së dhe tek mënyra se si AFP bën që vajzat të fitojnë më shumë pjekuri dhe vetë-besim për shkak të të nxënit nëpërmjet punës. Për të kontaktuar me prindërit në këtë proces ishte e rëndësishme që të punohej ngushtë me drejtorët e shkollave nëntëvjeçare. Takimet me prindër na ndihmuan që të kontaktonim rreth 500 prej tyre. Qëllimi kryesor? Të bindnim prindërit që të vinin me vajzat e tyre për të vizituar shkollat përkatëse gjatë një ‘Dite të Hapur’.

Po, është e vërtetë që ne i mbështetëm shkollat për të organizuar ‘Ditët e Hapura’ gjatë të cilave vajzat dhe prindërit e tyre mund të shihnin vetë nga afër infrastrukturën bashkëkohore, stafin miqësor dhe të kualifikuar, nxënëset e shkëlqyera të cilat ndanë me ta përvojën e tyre në lidhje me jetën shkollore, praktikën profesionale afatgjatë dhe aktivitetet jashtëshkollore. Kompanitë private luajtën një rol të rëndësishëm duke shpjeguar mënyrën e bashkëpunimit të tyre me shkollat dhe gatishmërinë e tyre për t’i pritur ata në ndërmarrjet e tyre si praktikantë dhe më pas, mundësisht, për t’i punësuar ata. Fushata u shoqërua edhe me disa spote televizive shumë të këndshme dhe postime në mediat sociale.

 

Fushata ishte një mundësi e mrekullueshme, së pari, për të përgënjeshtruar perceptimet e gabuara dhe për t’i bindur vajzat të zgjedhin një program të AFP-së në një shkollë me mbështetje zvicerane dhe me perspektivë punësimi. Në të njëjtën kohë, kjo fushatë i ndihmoi shkollat që të përmirësojnë produktet dhe aktivitetet e tyre promovuese, të krijojnë një skenar fitues që synon prindërit dhe nxënësit e ardhshëm dhe të forcojë angazhimin e koordinatorëve për çështjet gjinore në shkolla, të cilët janë ende duke u përshtatur me këtë rol të ri.

 

Dhe me të vërtetë, lajmi i mirë erdhi në kulmin e fushatës, kur ne morëm zotimet e para të vajzave të interesuara për t’u regjistruar në shkollat profesionale. Një prind i preokupuar i kërkoi stafit të Qendrës së Karrierës në shkollën “Hamdi Bushati” nëse … “ka ende vende të lira për të regjistruar  vajzën time”. Në Lezhë, edhe pse procesi i regjistrimit nuk kishte filluar zyrtarisht në shkollën “Kolin Gjoka”, 2 vajza aplikuan në programin e hoteleri-turizmit që në muajin qershor. Duke parë se sa paduruar ishin për të filluar klasën e 10-të, ne iu mundësuam atyre një përvojë për të njohur zanatin me shefin e kuzhinës Alfred Marku – një nga shefat më të famshëm të kuzhinës në rajon. Mund ta merrni me mend reagimin në fytyrat e tyre. I paparë! Ne iu kërkuam atyre që ta ndanin atë emocion me të moshatarët e tyre për të ndihmuar shkollën të çojë mesazhin edhe tek të tjerët.

Më datë 3 shtator, të gjitha shkollat në Shqipëri filluan zyrtarisht procesin e regjistrimit. Shkollat tona partnere deri tani kanë regjistruar 492 nxënës (kapaciteti 1045), nga të cilët 132 janë vajza. Ne jemi tejet të lumtur që 27% e të regjistruarve janë vajza, nëntë pikë përqindje më shumë sesa në vitin e kaluar akademik. Sidoqoftë, partnerët tanë duhet të sigurohen për ta ruajtur këtë përqindje të regjistrimit të vajzave. Fushata vazhdon me aktivitetet e fundit informuese në terren. Shpresojmë që aktivitete të tilla si një stendë ku demonstrohet stilimi i veshjeve të ndryshme të modës në Shkodër, një koncert në Vlorë, spote televizive, shpërndarja e fletëpalosjeve, postimet në mediat sociale do t’i ndihmojnë këto shkolla që të arrijnë një përqindje paksa ambicioze prej 30% të vajzave. Do t’ju mbajmë të informuar!

 

Fushata “Takojmë Çdo Vajzë” është vetëm një pjesë e përpjekjeve të S4J për emancipimin gjinor të shkollave të mbështetura nga qeveria Zvicerane. Përmirësimi i hapësirave shkollore me investime në infrastrukturë, trajnimi praktik i koordinatorëve për çështjet gjinore për të vënë në jetë planin e veprimit të shkollës, shpërndarja e metodave gjithëpërfshirëse të mësimdhënies si pjesë e mënyrave të reja, kremtimi i modeleve pozitive për vajzat në veprimtaritë kurrikulare dhe jashtë-kurrikulare, dhe transmetimi i mesazheve të barabarta gjinore kontribuojnë për krijimin e një realiteti të ri në shkollat profesionale.

 

 

skillsforjobs
Megjithëse herë pas here është vërtetuar që arsimi profesional cilësor mund t'i pajisë djemtë dhe vajzat me një sërë aftësish të nevojshme teknike, praktike dhe personale për të lulëzuar ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.