Blog

Viti i ri akademik sjell investime të reja tek ofruesit e AFP, partnerë të S4J

Projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J është i gatshëm të sigurojë të gjitha pajisjet dhe infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që ofruesit e AFP, partnerë të projektit, të mund të ofrojnë një cilësi më të lartë të të nxënit. Hapësirat mësimore të sigurta, të rehatshme, të pajisura siç duhet janë thelbësore për të siguruar realizimin e proceseve mësimore sipas standardeve moderne.

 

Gjatë muajve të parë të vitit të ri akademik nga investimet e reja do të përfitojnë ofruesit e AFP-së në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, partnerë të projektit. Këto investime përfshijnë klasat e reja të Mësimit të Kombinuar, laboratorët TIK dhe rinovimin e hapësirave të përbashkëta dhe të sallave të mësuesve.

 

Ambiente në shkollën ‘Tregtare’ në Vlorë dhe në shkollën ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë do të përshtaten për t’u kthyer në Infoteka ose në ‘biblioteka bashkëkohore’. Hapësirat e reja do të përdoren nga nxënësit, mësuesit dhe anëtarët e komunitetit lokal për të punuar me projektet e tyre gjatë dhe pas orarit të shkollës.

Në fillim të vitit 2019, në shkollën industriale ‘Pavarësia’ në Vlorë do të nisë instalimi i ofiçine për servisimin dhe mirëmbajtjen e makinave elektrike (e-Cars). Kjo ofiçinë do të jetë në dispozicion të nxënësve të regjistruar në degën e auto-mekanikës dhe elektrikës. Ajo do të luajë një rol të madh në pajisjen e profesionistëve të rinj me njohuritë dhe me përvojën praktike të nevojshme për mirëmbajtjen e automjeteve elektronike.

 

Në këtë ofiçinë, do të ofrohet një kurs i ri për servisimin dhe mirëmbajtjen e makinave elektrike, në partneritet me ekspertë nga Dhoma e Zejtarisë për Rajonin e Frankfurtit (HWK). Kursi synon të ofrojë njohuritë e nevojshme për infrastrukturën e elektromobilitetit dhe aftësitë e kërkuara për t’u bërë pjesë e industrisë së automjeteve të së ardhmes. Kursi i parë do të jetë në formatin ‘Trajnim i Trajnerëve’ dhe do të ofrohet në muajin mars të vitit 2019 për mësuesit e shkollës industriale ‘Pavarësia’ dhe instruktorëve të QFP-së në Vlorë.

Pas disa muajve, nxënësit e shkollës “Gjergj Canco” në Tiranë do të përfitojnë nga të nxënit në një laborator printimi 3D dhe nxënësit e drejtimit hoteleri-turizëm të shkollës ‘Tregtare’ në Vlorë do t’i zhvillojnë orët teorike të mësimit në kuzhinën e porsa rinovuar.

Investime do të bëhen edhe në Qendrën e Formimit Profesional në Vlorë. Pas disa muajsh, punonjësit e qendrës do t’i ndihmojnë kursantët për të zgjedhur drejtimin më të përshtatshëm profesional për ta në hapësirën e re të Njësisë së Zhvillimit që do të ndërtohet. Një laborator i ri për TIK do të jetë në dispozicion të kursantëve të regjistruar në kursin për Webmaster, i cili u pilotua gjatë gjysmës së parë të vitit 2018.

 

Ndërsa nevojat e tregut flasin për profesione të reja që lidhen me industrinë digjitale, S4J do të investojë edhe për një laborator Media. Ky laborator do t’i shërbejë kursantëve të regjistruar në kurse që së shpejti do të përfshihen në ofertën e QFP-së, siç janë dizajni grafik, multimedia, etj.

skillsforjobs
Projekti 'Aftësi për Punë' S4J është i gatshëm të sigurojë të gjitha pajisjet dhe infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që ofruesit e AFP, partnerë të projektit, të mund të ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.