Blog

Vizitë në shkollën profesionale ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë

Në dy vitet e fundit kemi parë një transformim frymëzues të ofruesve të arsimit dhe formimit profesional që mbështet projekti i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ‘Aftësi për Punë’. Skuadra e projektit është e inkurajuar nga ky zhvillim, i cili tashmë ka hyrë në fazën e konsolidimit.

Në kuadër të zgjerimit të aleancës mes ofruesve dhe kompanive të sektorit privat si dhe rritjen e bashkëpunimit me aktorë të rëndësishëm për zhvillimin institucional, projekti po mbështet ofruesit për të organizuar disa vizita në këto institucione.

Vizita e parë u zhvillua ditën e premte, 11 maj, në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Organizata Botërore e Punës (ILO), Dhoma e Tregtisë Gjermano-Shqiptare (DIHA), Shoqata Nordike për Tregti dhe Zhvillim Biznesi, Kolegji “Turgut Ozal”, Austrian Institute of Excellence, kompanitë gjermane Forschner dhe Ambiance.

Pjesëmarrësit u takuan me z. Bardh Dedgjonaj, drejtor i shkollës “Kolin Gjoka”, znj. Vera Gjeloshi, nëndrejtoreshë pranë kësaj shkolle dhe znj. Rudina Gjoka, drejtuese e Njësisë së Zhvillimit të shkollës. Vendosja e bashkëpunimit me bizneset për ofrimin e praktikave profesionale afatgjata për nxënësit e shkollës është një prej përparësive të shkollës pranë të cilës është krijuar dhe operon prej më shume së një viti Njësia e Zhvillimit. Në prezantimin e saj znj. Gjoka shpjegoi me detaje hapat dhe sfidat e procesit, nga përzgjedhja e bizneseve deri në ndjekjen e realizimit të praktikave.

Vizita përkoi me aktivitetin e “Ditës së Hapur të shkollës”, i cili kurorëzon përfundimin e një fushate intensive informimi dhe promovimi të arsimit profesional tek nxënësit e klasave të IX-ta dhe prindërit e tyre (lexo më shumë).

 

Pjesë e këtij aktiviteti ishte konferenca “Sjellim biznesin në shkollë dhe shkollën tek biznesi”, e cila u përmbyll me përshëndetjet nga përfaqësuesja e ILO, znj. Zhuljeta Harasani dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Shqiptare, z. Hartmut Jarosch (videot në vijim).

Znj. Zhuljeta Harasani, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Punës (ILO) u shpreh për bashkëpunimin e shkollës me sektorin privat:

“…ajo që më goditi sapo hyra në shkollë dhe sapo dëgjova një prezantim shumë të mirë nga mësuese Rudina është që këtu është bërë një punë që nuk është e zakonshme për situatën e Shqipërisë. Të kesh një infrastrukturë të mirë siç e ka kjo shkollë, e kombinuar me programin e mësimit dhe praktikës, është diçka vërtet e rrallë.

Në këtë kuptim, ju uroj shumë suksese. Por keni dhe një përgjegjësi të madhe: jeni shumë avant-garde dhe do duhet që këtë model ta replikoni në shkolla të tjera qe e kanë apo nuk e kanë inftrastrukturën tuaj.

Kam patur fatin të punoj me disa prej përfaqësuesve të bizneseve që ndodhen në panel dhe e di ndjeshmërinë e tyre ne lidhje me krijimin e fuqisë së kualifikuar punëtore. ILO ka si parimin e vet ‘tripartitizmin’, pra të sjellim bashkë shtetin, punëdhënësin dhe punëmarrësin. Ne punojmë shumë për të arritur një dialog social sa më konstruktiv dhe efektiv mes këtyre palëve. Në këtë kuptim, jam e mrekulluar që në këtë shkollë ky dialog ka nisur kaq herët.”

 

Z. Hartmut Jarosch, kryetar i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Shqiptare u shpreh për rëndësinë e arsimit profesional:

“Vendosja e një modeli të suksesshëm të arsimit profesional në Shqipëri kërkon kohë, pasi edhe për Gjermaninë u deshen afro 300 vjet. Është e rëndësishme të bëhen bashkë të gjithë palët: mësues, biznese, dhe sidomos prindër, pasi këta të fundit kanë ndikim të lartë në vendimet e fëmijeve.

 E rëndesishme është të ndryshojë mentaliteti dhe duket që kjo ka nisur tashmë. Nuk është e rëndësishme të mbarosh universitetin për të qenë i suksesshëm në jetë. Në Gjermani, personat që kanë mbaruar arsimin profesional kanë një status shumë të mirë shoqëror. Mos harroni se Mercedes nuk punëson vetëm inxhinierë, por edhe shumë punëtorë që kanë mbaruar shkollat profesionale. Ata mirëpriten dhe trajtohen shumë mirë në shoqëri.”

 

Më pas, pjesëmarrësit vizituan dy Klasa të Mësimit të Kombinuar, ku nxënës të klasave të X-ta dhe XI-ta po prezantonin përpara nxënësve në klasën e IX-të projektet e realizuara në shkollën profesionale dhe përfitimet që do të kishin nëse do të zgjidhnin këtë shkollë (videot në vijim).

Elona Kola, praktikante tek “Mrizi i Zanave” ndan eksperiencën e saj.

 

Klasa e mësueses Meri Simoni, ku nxënës të drejtimit Hoteleri-Turizëm ndanë me nxënësit e klasave të IX-ta eksperiencën e tyre në shkollën profesionale.

 

 

Klasa e mësuesit Jetmir Shtjefni, ku nxënës të drejtimit Teknologji Informacioni dhe Komunikimi shpjeguan para pjesëmarrësve projektin “Smart Glasses”, për të cilin u vlerësuan me çmim të parë.

 

Hartmut Jarosch, kryetar i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Shqiptare u shpreh mbi përfshirjen e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit në ofertën e shkollave profesionale:

“Më bën përshtypje pjesëmarrja e vajzave në këtë klasë. Kjo është diçka shumë e mirë, pasi nuk mendohet më që TIK është për djemtë. Së dyti, përfundimisht TIK ka shumë të ardhme në Shqipëri, është një sektor që po rritet. Kemi kompani gjermane që kërkojnë punëmarrës për t’i punësuar, atje ose në distancë (nga Shqipëria).

 14 vjet më parë në Gjermani, pata një diskutim të gjatë me djalin tim nëse duhet të shkonte në shkollë të përgjithshme apo në shkollë profesionale dhe të ndiqte praktikën për Web Design. Vendimi i tij ishte të shkonte në shkollën profesionale dhe tani, 14 vjet më vonë ai ka kompaninë e tij të Web Design, të fokusuar tek website e-commerce; bën atë që i pëlqen dhe është i përditësuar gjithnjë me të rejat e fundit. Kështu që e shoh edhe për ju këtë perspektivë: nëse jeni që tani në kontakt me bizneset, do të zhvilloheni dhe do të jeni gjithmonë të përditësuar me të rejat e fushës.”

 

Në laboratorin e TIK, znj. Vera Gjeloshi, nëndrejtoreshë dhe mësuese matematike në këtë shkollë, prezantoi Metronom, platformën virtuale përmes së cilës mësuesit realizojnë një shpjegim më konkret të mësimit për nxënësit e të gjithë drejtimeve. Veçanërisht, në këtë periudhë, platforma iu vjen në ndihmë maturantëve për përgatitjen për provime.

 

Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën më tej me modelin e Praktikave Profesionale në Distancë.

 

Vizita u mbyll me një drekë pune tek restorant “Mrizi i Zanave”, i cili prej vitit 2016 mbështet shkollën “Kolin Gjoka” duke ofruar praktika profesionale afatgjata për nxënësit.

Njoftim: Nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, ‘Aftësi për Punë’ do të vijojë të mbështesë organizimin e vizitave të tjera në ofruesit që mbështeten nga projekti. Nëse jeni të interesuar të merrni pjesë, na shkruani në adresën ines.poshnjari@swisscontact.org.

skillsforjobs
Në dy vitet e fundit kemi parë një transformim frymëzues të ofruesve të arsimit dhe formimit profesional që mbështet projekti i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ...
0 Comment

Leave a Comment

Your email address will not be published.