Doni të promovoni shkollat tuaja? Ja si i zhvillojnë shkollat e mesme profesionale “ditët e hapura”?

Doni të promovoni shkollat tuaja? Ja si i zhvillojnë shkollat e mesme profesionale “ditët e hapura”?

“Ditët e Hapura” shënojnë një moment të rëndësishëm në fushatën e promovimit të shkollave profesionale. Gjatë këtij aktiviteti, nxënës të klasave të 9-ta, prindër, përfaqësues të bizneseve partnere të shkollës apo potenciale për t’u bërë partnerë, përfaqësues nga agjencitë lokale shtetërore, mësues të shkollave 9-vjeçare, etj., vizitojnë shkollat profesionale për t’u njohur nga afër me mundësitë që ato ofrojnë. Ky është një nga aktivitetet në të cilat shkollat duhet të investojnë sot dhe më vonë, pasi prindër e nxënës kanë nevojë për informacione prezantuese rreth zgjedhjes mbi të ardhmen si dhe mundësitë për punësim që ka secili profesion në tregun e punës në Shqipëri.

Si çdo vit, edhe këtë vit përgjatë periudhës prill-maj, shkollat partnere të S4J kanë zhvilluar intensivisht fushatën mbi promovimin e ofertës së tyrë për nxënësit e klasave të 9-ta. Përgjatë fushatës, shkollat partnere kanë vizituar shkollat 9-vjeçare, ku përveç prezantimit të ofertës, ato kanë ndarë dhe raste suksesi të të diplomuarve të cilët kanë gjetur punësim në kompani prestigjoze brenda vendit. Ish-nxënës kanë qenë pjesë e këtyre takimeve për të ndarë edhe ata përvojat e tyre pozivite dhe impaktin që ka patur arsimi profesional në punësimin e tyre.

Nxënës të shkollave 9-vjeçare ftohen gjithashtu edhe në mjediset e shkollave profesionale për të kuptuar më shumë rreth procesit mësimor, praktikave profesionale, si dhe infrastrukturën që shkolla disponon për të ndjekur një mësim të denjë dhe bashkëkohor. Një aktivitet interesant që zhvillohet është edhe ‘Nxënës për një ditë’, ku nxënësit kanë mundësinë të angazhohen për pak minuta më konkretisht në punë praktike në drejtimet që shkolla ofron. Disa mund të  gatuajnë një recetë, të tjerë mund të ndihmojnë në prerjen dhe qepjen e një fustani etj.

Çdo vit shkollat profesionale vijnë me aktivitete të reja e kreative për t’i bërë shkollat e tyre mjedise më tërheqëse për të rinjtë.

Share This Article: