Jetojmë në diversitet – 8 Prilli, Dita ndërkombëtare e Romëve në Shkollën e mesme Tregtare, Vlorë

Jetojmë në diversitet – 8 Prilli, Dita ndërkombëtare e Romëve në Shkollën e mesme Tregtare, Vlorë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve më 8 Prill, shkolla e mesme Tregtare organizoi një aktivitet informues mbi komunitetin Rom me qëllim ndëgjegjësimin e nxënësve për reduktimin e paragjykimit dhe diskriminimit. Aktiviteti ‘’Të njohësh që të kuptosh’’ nisi me një prezantim të vlerave, traditave dhe gjuhës që kanë formuar identitetin Rom. Pjesa më e madhe e nxënësve mësuan për herë të parë mbi prejardhjen, gjuhën, himnin dhe flamurin e komunitetit Rom.

Prezantimi i historikut dhe pasurisë kulturore dhe gjuhësore te komunitetit luan rol të rëndësishem në thyerjen e stereotipeve ndaj Romëve.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte dhe njohja e nxënësve me raste suksesi dhe frymëzimi të dy grave të komunitetit Rom në Shqipëri. Nxënësit u njohën me rastin e mësueses Meleqe Rrënja, e cila në moshën 11-vjeçare pranoi një bursë studimi pa dijeninë e familjes duke u bërë kështu mësuesja e parë Rome në Shqipëri. Ata u njohën edhe me rastin e sipërmarrëses së sukseshme Rozina Kormuzi, e cila gjithashtu është edhe këshilltare bashkiake në qytetin e Vlorës.

Ky aktivitet nxorri në pah se mungesa e gjithëpërfshirjes dhe pranimit të diversitetit në shkolla, ka krijuar një sërë barrierash për shkollimin e këtij minoriteti. Prezantimi i rasteve të suksesit ndihmon nxënësit dhe mësuesit të kuptojnë potencialin që ky komunitet mbart dhe kjo luan rol shumë të rëndësishëm për sa i përket rrëzimit të barrierave.

Share This Article: