Mësojmë nga njëri-tjetri nëpërmjet programeve të shkëmbimit

Mësojmë nga njëri-tjetri nëpërmjet programeve të shkëmbimit

Duke marrë parasysh dinamikën e shpejtë të punës së mësuesve, gjithnjë e më shumë lind nevoja për organizimin e programeve të shkëmbimit mes tyre, pasi janë mundësi fantastike për t’u përmirësuar përmes ndarjes së përvojave si dhe për të krijuar ura komunikimi për të punuar së bashku. Për këtë arsye, projekti ‘Aftësi për punë’ ka organizuar gjatë periudhës mars-prill 6 programe shkëmbimi midis mësuesve të shkollave partnere të projektit dhe shkollave të tjera të mesme profesionale në sistem. Gjatë këtyre shkëmbimeve mësuesit ndanë përvoja të ndryshme rreth rolit dhe përgjegjësive të koordinatorëve të kurrikulës, infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e një procesi mësimor efektiv, përdorimin e teknologjisë, platformave digjitale dhe materialeve mësimore digjitale, praktikat profesionale afatgjata të nxënësve, elementë të tjerë specifikë për drejtime të ndryshme si mekanikë dhe eletromekanikë etj. Rreth 100 mësues patën mundësinë të vizitojnë 6 ofrues partnerë të projekit ‘Aftësi për punë’ (Shkolla profesionale Hamdi Bushati, Shkolla profesionale Ali Myftiu, Shkolla teknike elektrike Gjergj Canco, Shkolla Industriale Pavarësia, Shkolla profesionale Kolin Gjoka dhe Qendra e formimit profesional, Vlorë). Mësuesit pëveçse ndanë përvoja praktike rreth proceseve të punës si hartimi, implementimi, dokumentimi dhe monitorimi i planeve, ata ndanë me njëri-tjetrin edhe vështirësitë, sfidat dhe mënyrat efektive sesi i kanë tejkaluar ato duke ndihmuar kështu edhe mësues të tjerë. Këto takime luajtën një rol shumë të rëndësishëm edhe në zgjerimin e njohjeve të mësuesve me njëri-tjetrin për më shumë bashkëpunim të mëtejshëm. Pas çdo takimi, mësuesit e shkollave pritëse ndanë me njëri-tjetrin dhe materiale e dokumenta rreth organizimit të punës së tyre sipas funksioneve përkatëse të cilat i erdhën shumë në ndihmë të gjithë mësuesve për përmirësimin e tyre.

Share This Article: