6 këshilla për mësimdhënien online

6 këshilla për mësimdhënien online


Çfarë bëjnë mësuesit më të mirë për ta bërë sa më efektive mësimdhënien online? Në këtë artikull janë kombinuar dhjetëra studime për të gjetur strategjitë më të mira të cilat mund të vihen në praktikë.

1. Konsiderojeni klasën tuaj virtuale një hapësirë të vërtetë mësimi dhe organizojeni mirë atë

Studimet kanë treguar se nxënësit janë shumë të dhënë pas klasave të mirëorganizuara ku mësuesi i kushton vëmëndje të veçantë përmbajtjes por dhe dizenjimit sa më të qartë të një teme.
“Në një klasë virtuale të mirëorganizuar nxënësit janë më të angazhuar, më të sigurt dhe punojnë në mënyrë të pavarur”, thotë Sarah Schroeder, profesore e asociuar në Universitetin e Cincinnati.

Ja disa këshilla të thjeshta për organizimin e klasës suaj virtuale:

  • Krijoni një hapësirë virtuale të dedikuar ku nxënësit të kenë akses në çdo moment për të gjetur informacion rreth detyrave të tyre dhe njoftime të tjera thelbësore.
  • Zgjidhni një platformë të thjeshtë komunikimi dhe ndajeni me nxënësit tuaj mënyrën sesi do të zhvillohet komunikimi përgjatë semestrit.
  • Kushtojini vëmëndjen e duhur mungesës së njohurive digjitale që nxënësit mund të hasin duke i siguruar informacionin e duhur për dorëzimet e detyrave apo regjistrimin e klasave virtuale.
  • Mundohuni të jeni të qartë dhe konçiz në udhëzimet tuaja.
  • Mundohuni të jeni sa më të organizuar nga ana vizuale duke shmangur dekorime ose imazhe të panevojshme.

2. Ndajeni mësimin në pjesë më të vogla dhe të kuptueshme

Është shumë e rëndësishme të kuptoni se në një klasë virtuale aktivitetet duhet të jenë shumë më të shkurtra se në mësimin ballë për ballë. Ndajeni mësimin në pjesë më të vogla sipas një teme apo një koncepti të caktuar duke regjistruar një video udhëzuese. Sipas një studimi të vitit 2014, kohëzgjatja ideale për një video udhëzuese është rreth 6 minuta.

3. Kërkoni feedback të vazhdueshëm nga nxënësit tuaj

Është thelbësore që nxënësit të vlerësojnë materialet tuaja virtuale. Shumica e mësuesve dhe nxënësve janë fillestarë në klasat virtuale dhe mund të mos ndihen komodë të japin komentet e tyre rreth përmbajtjes digjitale të leksioneve. Merrni parasysh përdorimin e pyetësorëve si Google Forms për të bërë pyetje të tilla, si: A keni ndonjë problem teknik? A jeni në gjendje ta gjeni dhe dorëzoni shpejt punën tuaj? A është kjo klasë virtuale e lehtë për t’u naviguar?

4. Përdorni vizualizime dhe skicime për një mësim të strukturuar

Nëse në klasë përdorni gjestet tuaja për të treguar një vend të caktuar në hartë, mundohuni t’i zëvendësoni ato me imazhe apo shigjeta të cilat tërheqin vëmendjen e nxënësve. Gjithashtu bëni pyetje strategjike gjatë mësimit për t’i bërë nxënësit të ndihen më të përfshirë dhe të mendojnë në mënyrë kritike.

5. Përdorni kuice online

Kuicet online ju kursejnë kohë pasi mund të vlerësohen automatikisht. Disa instrumente të cilat matin njohuritë e nxënësve tuaj, por në të njëjtën kohë janë edhe argëtues, janë Kahoot dhe Quizlet.

6. Kujdesuni për aspektin emocional tuajin dhe të nxënësve

  • Bisedoni me nxënësit në fillim të klasës dhe pyetini si ndihen.
  • Provoni funksionin “dhoma e pritjes” në Zoom për të mirëpritur nxënësit një nga një dhe për t’i përshëndetur individualisht.
  • Përdorni ndarjen e nxënësve në grupe të vogla për të kryer ushtrime ndryshme, pasi ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve mes tyre.
  • Në fund të ditës, kërkojuni nxënësve të reflektojnë mbi atë çka kanë mësuar nëpërmjet një aktiviteti përmbyllës.
  • Bëni pyetje argëtuese si “Cili është filmi juaj i preferuar?” dhe kërkojuni nxënësve të përgjigjen në Padlet ose platforma të ngjashme.

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen “Edutopia”. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: