6 strategji të të nxënit aktiv

6 strategji të të nxënit aktiv

Si mësues, një nga sfidat tuaja më të mëdha është t’i përfshini aktivisht nxënësit në orën e mësimit. Por mënyra tradicionale e mësimit me në qendër mësuesin nuk është shumë efikase për arritjen e këtij qëllimi.

Për këtë arsye, po sugjerojmë disa strategji të të nxënit aktiv. Ju mund t’i përdorni për të angazhuar dhe stimuluar klasën, duke i vendosur nxënësit në qendër të procesit mësimor.

Këto 6 strategji që do t’i ndihmojnë nxënësit të flasin më hapur, të mendojnë në mënyrë kreative dhe të angazhohen më shumë në procesin e të mësuarit!

1. Pyetje reciproke

Përdorni pyetje reciproke për të nxitur një dialog të hapur, ku nxënësit marrin rolin e mësuesit dhe shtrojnë pyetje në lidhje me një temë, orë leximi ose orë mësimore.

Pasi të keni mbuluar një temë sipas zgjedhjes suaj, ndajeni klasën në dy grupe të mëdha ose disa grupe të vogla dhe nxisni nxënësit të ngrenë disa pyetje për diskutim për pjesën tjetër të klasës. Për të lehtësuar procesin, mund t’u jepni nxënësve disa ide për të stimuluar debatin. Gjithsesi, kërkojuni të mendojnë në mënyrë kritike për mësimin, tekstin ose pjesën tjetër të materialit, duke ngritur pyetje vetjake. Ja një shembull:

Pyetje për të rritur kuptueshmërinë
Përshkruani me fjalët tuaja. Çfarë funksioni ka y? Pse është z e rëndësishme?  Si mund të gjendet vlera e x nga y?
Pyetje lidhëse
Shpjegoni pse x dhe z? Ku ngjason x me y? Ku ndryshon x me y? Si lidhet x me atë çfarë kemi mësuar më parë?

Përdorni këto ide pyetjesh për të eksploruar koncepte në materialin e kursit, duke i ndihmuar nxënësit të hetojnë tema dhe pikëpamje të reja që lidhen me mësimin.

Nxënësit mund të kenë pyetje të tjera gjatë mësimit, prandaj është mirë të orientohen edhe në formulimin e pyetjeve. Mos harroni rregullin e 5 W:

  • Kush? (Who?)
  • Çfarë? (What?)
  • Ku? (Where?)
  • Kur? (When?)
  • Pse? (Why?)
  • Si? (How?)

Ky është një lloj i aktivitetit eksperimental i të mësuarit. Pyetja reciproke i përfshin studentët në procesin e të mësuarit për të ndihmuar në kuptimin e materialit të kursit. Pyetjet reciproke mund të jenë veçanërisht të dobishme për përgatitjen për provime, paraqitjen e një teme ose pjese të re të përmbajtjes së lëndës dhe diskutimin e materialeve me më shumë detaje.

2. Intervista me tre hapa

Intervista me tre hapa i nxit nxënësit të zhvillojnë aftësi të dëgjuari aktiv duke pyetur njëri-tjetrin, duke ndarë mendimet e tyre dhe duke mbajtur shënime.

  1. Ndani nxënësit në grupe me tre pjesëtarë dhe caktoni rolet: intervistuesi, i intervistuari dhe nxënësi që mban shënime.
  2. Caktoni një temë diskutimi dhe bëni që nxënësit të marrin pjesë në intervistë 5-10 minuta për të diskutuar informacionin kryesor në lidhje me temën. Pas çdo interviste, ndërroni rolet e nxënësve. Në varësi të faktorëve, si: niveli i nxënësve dhe përvoja e tyre me strategjinë, mund të përcaktoni kohëzgjatjen e secilës intervistë.

Intervista me tre hapa ka disa përfitime për nxënësit, si:

  1. Mësojnë të përdorin strategji të ndryshme pyetjesh.
  2. Materiali i kursit bëhet tërheqës.
  3. Krijonë një ndjenjë përgjegjësie teksa punojnë së bashku për të përfunduar një detyrë dhe për të kuptuar një mësim.

3. Pushimi

Bëni pushim kur është e nevojshme gjatë mësimit për të rritur përqendrimin dhe kuptueshmërinë e materialeve mësimore nga ana e nxënësve.

Për këtë, organizoni kohën për pushime 2-3 minuta midis çdo 10-15 minutëshi mësimi. Gjatë këtyre pushimeve të shkurtra, nxitini nxënësit të diskutojnë ose të ripunojnë shënimet e tyre në çift për të sqaruar pikat kryesore të mbuluara, për të ngritur pyetje apo për të zgjidhur problema. Në të kundërt, nxënësit mund të punojnë së bashku për të shkruar një paragraf që lidh ose nxjerr në pah idetë kryesore të paraqitura në shënimet e partnerit të tyre.

Një studim i vitit 2014 arriti në përfundimin se “thyerja” e një leksioni me pushime të shkurtra mund të rrisë vëmendjen e nxënësit dhe rezultatet e të nxënit. Pushimi, sipas studimit, është një strategji aktive e të mësuarit efikase e cila i ndihmon nxënësit të rishikojnë shënimet e tyre, të reflektojnë mbi to, të diskutojnë dhe të shpjegojnë idetë kryesore me partnerët e tyre. Pushimi merr një sasi minimale të kohës së mësimit, por mund të ketë përfitime të konsiderueshme në krahasim me orët e mësimit që vazhdojnë pa pushim.

4. Qasja e “avokatit të djallit”

Qasja e “avokatit të djallit” kërkon që një ose më shumë nxënës të mbrojnë anën e kundërt të një argumenti ose pikëpamjeje që diskutohet gjatë mësimit.

Pasi të keni përfunduar një detyrë ose plan mësimor, zgjidhni një temë të përshtatshme për diskutim, e cila lejon debat dhe argumentim nga të dy palët. Aktiviteti duhet të jetë sa më fleksibël dhe t’i përshtatet nivelit të nxënësve tuaj.

Ndajeni klasën në dy grupe dhe nxisni një debat për një temë të caktuar. Nxënësit mund të mbajnë shënime dhe të përgjigjen duke krijuar kundër-argumente.

Shembull:

Zilia është rrënja e ligësisë.Ambicia çon në korrupsion.
Demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.Fuqia sjell korrupsion.
Për lirinë ja vlen të luftosh.Njohja e së ardhmes sjell korrupsion.
Duhet ambicie për të patur sukses.Liria personale është e mirë dhe e nevojshme.
Rregullat i mbajnë njerëzit të sigurt dhe të mbrojtur.Rregullat nxisin krime dhe dhunë.
Hakmarrja është e pajustifikueshme.Dija është më mirë se injoranca.
Injoranca është më e mirë se dijaNdonjëherë miqtë janë më të këqinj se armiqtë.
Frika nga e panjohura sjell dhunë.Refuzimi nga shoqëria sjell akte të dhunës.
E mira mbizotëron mbi të keqen.Liria nuk mund të ekzistojë pa sakrificën.

Kjo qasje ndihmon në kultivimin e të mësuarit aktiv në klasë dhe ka disa përfitime për nxënësit:

  • Nxënësit mendojnë në mënyrë kritike duke sfiduar pjesëmarrësit për perspektivat mbi një çështje dhe për ta parë atë përmes një këndvështrimi tjetër.
  • Rritet angazhimi dhe përfshirja e tyre.
  • Nxënësit thellohen tek temat ose çështjet, duke përdorur analiza për të sqaruar, studiuar dhe paraqitur në mënyrë kolektive alternativa ndaj temave që diskutohen.

Sipas një studimi të botuar në Journal of Theory, Research and Action in Urban Education, qasja e “avokatit të djallit” mund t’i ndihmojë nxënësit të njihen me një temë dhe këndvështrimet e ndryshme rreth saj.

5. Teknika e “pjesës më të ndotur”

Teknika e “pjesës më të ndotur” kërkon që nxënësi të shkruajë në një letër pjesë nga ora e mësimit, detyrës së shtëpisë, ose një diskutimi të mbajtur në klasë për të cilin ai ka mbetur i paqartë ose konfuz.

Ky është një ushtrim shumë i dobishëm për nxënësit, sepse i bën të vlerësojnë njohuritë e tyre rreth një teme të caktuar, të reflektojnë dhe të identifikojnë koncepte për të cilat kanë nevojë të lexojnë dhe mësojnë më shumë. Gjithashtu, ai ju vlen që të merrni feedback nga nxënësit dhe të vlerësoni cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Për shembull, nëse më shumë se një e katërta e klasës përmend të njëjtën “pjesë më të ndotur”, ju mund të planifikoni për ta diskutuar atë temë në një moment të dytë ose të krijoni një plan të ri mësimi ose detyrë për ta trajtuar.

Shembull:

6. Diskutimet në grupe me qarkullim

Diskutimet në grupe me qarkullim i nxisin nxënësit të dëgjojnë në mënyrë aktive folësit e përzgjedhur. Folësi i përzgjedhur udhëheq diskutimin dhe bën përmbledhjen e pikave të trajtuara paraprakisht. Nxënësit drejtojnë dhe stimulojnë diskutimin në klasë ndërsa ata “qarkullojnë” rolet duke zgjedhur folësin vijues.

Për ta përdorur këtë strategji në mënyrë efektive, sigurohuni që nxënësit t’i përmbahen modelit të mëposhtëm:

  • Kur një nxënës dëshiron të marrë pjesë, duhet të ngrejë dorën.
  • Nxënësi që flet fton folësin pasardhës, idealisht dikë që ende nuk ka kontribuar.
  • Nxënësi i zgjedhur si folës përmbledh shkurtimisht atë që ka thënë nxënësi paraardhës para se ta zhvillojë më tej idenë.

Ky proces mund të përsëritet për një larmi temash, me udhëzimet tuaja dhe për të përfshirë nxënësit jo aktivë. Diskutimet me qarkullim nuk kanë përfitim vetëm për folësit. Duke ditur që ata përzgjidhen për të përmbledhur temën e mëparshme, të gjithë nxënësit janë të angazhuar në dëgjim, duke mbajtur shënime dhe për të ngritur ide në hapësirat midis të folurit. Për më tepër, nxënësit vihen në një skenar ku ata mësojnë nga idetë e kolegëve të tyre, duke e bërë materialin më aktiv dhe tërheqës. Kjo strategji është e dobishme për nxënësit sepse nxit angazhim të drejtpërdrejtë me materialin e orës mësimore.

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen “Prodigy. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: