Digjitalizimi i Ofertës së AFP-së
Në Fazën 3, projekti “Aftësi për Punë” do të forcojë përpjekjet për të integruar digjitalizimin në arsimin dhe formimin profesional (AFP). Fokusi kryesor do të jetë integrimi sistemik i zgjidhjeve dhe teknologjive digjitale në metodat e mësimdhënies të institucioneve të përzgjedhura të AFP, në përputhje me përparësitë strategjike të Udhërrëfyesit të Digjitalizimit për Modernizimin e Sektorit të AFP-së të mbështetur nga TIK. Objektivat kryesore të kësaj ndërhyrjeje janë:
- Nxënësit e AFP-së marrin pjesë në mësimin e kombinuar bashkëpunues, të përshtatur dhe gjithëpërfshirës, si dhe në vlerësimin e vazhduar dhe përfundimtar.
- Institucionet e AFP-së promovojnë qasje efikase të mësimdhënies të mbështetur nga TIK për të ndihmuar nxënësit të fitojnë aftësi të rëndësishme për tregun e punës ose për të aksesuar arsimin e lartë.
- Në një ekosistem të zgjeruar të AFP, institucionet e AFP dhe agjencitë qeveritare do të modernizojnë ofertën e AFP-së së bashku me partnerë, si: bizneset lokale, industria ose partnerët publikë.
Më konkretisht, projekti do të mbështesë konsolidimin e zgjidhjeve digjitale në “shkollat kampion”, në mënyrë që këto arritje të shpërndahen më tej në të gjithë sistemin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Mesovet.al, platforma e mësimit virtual bazuar në Moodle e zhvilluar nga S4J, do të mundësojë këto zgjidhje të mbështetura nga TIK lidhur me mësimin e kombinuar, mësimin hibrid në programe pas shkollës së mesme, planifikimin efektiv dhe eficent, dokumentimin dhe monitorimin, vlerësimin në mësim, si dhe integrimin e zgjidhjeve digjitale për procese administrative më efikase.
Për të mbështetur këto përpjekje, një kulturë shkëmbimi përvojash do të nxitet përmes Komuniteteve të Praktikës, të fokusuar në transformimin digjital të sistemit të arsimit dhe formimit profesional. Qëllimi është të krijohet gurthemeli për integrimin e vazhdueshëm të zgjidhjeve digjitale brenda ofruesve të AFP.
Duke zhvilluar aftësitë digjitale të mësimdhënësve, duke promovuar bashkëpunimin dhe duke siguruar përdorimin efektiv të mjeteve digjitale, projekti ka për qëllim të hapë rrugën drejt një transformimi digjital të suksesshëm dhe të qëndrueshëm në arsimin dhe formimin profesional.