Diversifikimi i ofertës

S4J i mbështet institucionet partnere që të orientohen nga kërkesat e tregjeve rajonale dhe përfshirja e strukturuar e sektorit privat. Për këtë, lehtësojmë:

• Dialogun e strukturuar me biznesin;
• Gjurmimin e të diplomuarve;
• Orientimin në karrierë;
• Pasurimin dhe përditësimin e kurrikulës.

Dialogu i strukturuar

Që nxënësit të zhvillojnë aftësi sipas kërkesave të tregut të punës, institucionet tona partnere angazhohen në një dialog të strukturuar me bizneset e rajonit dhe me palë të tjera të interesuara. Për këtë organizohen tryezat vendore të dialogut.

Këto tryeza zhvillohen çdo vit në formën e një workshop-i. Ofruesit kryesorë (publikë dhe jo-publikë) të arsimit dhe formimit (profesional dhe universitar) në nivel qarku mblidhen me kompanitë më të rëndësishme të rajonit, të cilat grupohen sipas industrive (ose grupe industrish) të ndryshme për të identifikuar nevojat për pasurimin apo përditësimin e kurrikulës.

Me mbështetjen e S4J janë zhvilluar 16 tryeza vendore të dialogut me bizneset në qarkun e Beratit, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës. Në vijim të këtyre tryezave, u hartuan katalogje të ofertës rajonale të aftësive për secilin qark.

TRYEZAT-VENDORE-RAJONI-BERAT

TRYEZAT-VENDORE-RAJONI-VLORË

TRYEZAT-VENDORE-RAJONI-LEZHË

TRYEZAT-VENDORE-RAJONI-SHKODER

Gjurmimi i të diplomuarve

Duke pasur në fokus tregun e punës dhe nevojat e tij për aftësi, institucionet e arsimit e formimit profesional zhvillojnë instrumentet e duhura për të orientuar ofertën mësimore nga kërkesat e tregut si dhe nxënësit për karrierën. Një nga këto instrumente është gjurmimi i të diplomuarve.
Ai ka të bëjë me ndjekjen e situatës së punësimit së të diplomuarve 1 vit pas diplomimit ose certifikimit përmes sondazheve. Shkollat analizojnë të dhënat nga studimi gjurmues dhe kështu marrin vendime të mirëinformuara për kurrikulat sipas dinamikave e nevojave të tregut të punës.

Ne i mbështesim institucionet partnere për adoptimin dhe mirëfunksionimin e procesit të gjurmimit si dhe për kapacitimin e Koordinatorit të Gjurmimit në Njësinë e Zhvillimit. Tashmë të gjitha institucionet tona partnere kanë ngritur një sistem gjurmimi në nivel ofruesi për të diplomuarit e tyre.

Lexoni këtu studimin gjurmues krahasues për tre breza të diplomuarish (2016-2018).

Orientimi në karrierë

Zgjedhja e karrierës, si një hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve, kërkon mbështetjen e prindërve, mësuesve dhe këshilluesve të karrierës. Për të mbështetur këtë proces, kemi hartuar kërkesat dhe përshkrimet e kërkesave për 20 profesione. “Profilet e kërkesave” për profesione të ndryshme shërbejnë si një instrument për orientimin profesional dhe në karrierë të nxënësve në arsimin 9-vjeçar dhe arsimin profesional. Përmes tyre, të rinjtë mësojnë se cilat janë kërkesat fizike, personale dhe sociale që mund të fitohen në shkollë dhe kërkohen nga profesioni që dëshirojnë. Kështu nxënësi mund të reflektojë: A mund t’i plotësoj këto kërkesa? A dua t’i plotësoj ato? Kjo i jep mundësi të zgjedhë profesionin që i përshtatet më shumë!

Pasurimi dhe përditësimi i kurrikulës

Si rezultat i konsultimeve me biznesin dhe i gjurmimit të të diplomuarve, institucionet tona partnere pasurojnë e përditësojnë kurrikulën dhe zhvillojnë module, kurse, drejtime e profile të reja. Për shembull, “Teknologjia ushqimore” nisi si drejtim i ri tek shkolla profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë si rezultat i konsultimeve me sektorin privat. Gjithashtu, Programi i kursit “Instruktor i gjuhës së shenjave shqipe” u miratua nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe me mbështetjen e S4J.