Metodat e reja të të nxënit

Metodat e reja të të nxënit

Projekti “Aftësi për Punë” i mbështet institucionet partnere për një mësimdhënie cilësore që integron metodat e reja të të nxënit, në drejtim të:


• Përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie;
• Zhvillimit të vazhduar profesional të mësuesve;
• Planifikimit dhe monitorimit të procesit mësimor.

Teknologjia në mësimdhënie

Metodat e reja të të nxënit kanë të bëjnë me përdorimin e teknologjisë dhe kombinimin e mësimdhënies ballë për ballë me atë online (mësimi i kombinuar). Këto metoda vendosin nxënësin në qendër, duke rritur angazhimin, kënaqësinë dhe përgjegjshmërinë e tij për procesin mësimor. Për të bërë të mundur një mësimdhënie bashkëkohore, S4J i mbështet institucionet partnere me infrastrukturë fizike e digjitale, si dhe lehtëson zhvillimin e kompetencave digjitale të stafit përmes trajnimeve nga industria.

Për të mbështetur e promovuar mësimin online në shkollat profesionale, S4J ka zhvilluar platformën virtuale MësoVET.

Ajo mundëson dokumentimin e veprimtarisë mësimore si për mësuesit në klasë edhe për mësimin në distancë të nxënësve dhe praktikantëve. Për t’u regjistruar mjafton vetem një adresë emaili. Gjatë periudhës së pandemisë, MësoVET:

• U pasurua shpejt me materiale dhe u vendos në dispozicion të të gjithë institucioneve të AFP-së në Shqipëri;
• Janë zhvilluar webinare për mësuesit e shkollave partnere dhe jo-partnere për zhvillimin e aftësive digjitale dhe hartimin e materialeve cilësore digjitale;
• U përgatitën manuale dhe video shpjeguese për përdorimin e platformës;
• MësoVET u erdhi në ndihmë maturantëve me kurse përgatitore për provimet e maturës;
• Deri tani janë përgatitur tre raporte mbi funksionimin e mësimit me distancë, bazuar në sondazhet me mësues dhe nxënës.

Zhvillimi i vazhduar profesional i mësuesve

Tregu i punës ndryshon me hapa të shpejtë dhe po orientohet gjithnjë e më shumë drejt digjitalizimit. Që arsimi profesional t’u përgjigjet këtyre tendencave, mësuesit duhet të përvetësojnë teknikat bashkëkohore të mësimdhënies, duke u përgatitur nga sektori privat. Për këtë, S4J i mbështet ofruesit partnerë me trajnime dhe workshop-e nga liderë të industrisë si dhe me kapacitim të Koordinatorëve të Zhvillimit të Vazhduar Profesional në Njësinë e Zhvillimit.

Planifikimi dhe monitorimi i procesit mësimor

“Aftësi për Punë” i mbështet institucionet partnere për hartimin, vlerësimin dhe monitorimin e planeve mësimore vjetore, me:


• Trajnime për mbarëvajtjen e procesit për mësuesit e drejtuesit;
• Raporte e rekomandime për çdo institucion me synim rritjen e cilësisë së mësimdhënies;
• Trajnime mbi monitorimin e planeve mësimore për drejtuesit;
• Zhvillimin, validimin dhe pilotimin e instrumenteve e proceseve për monitorimin e planeve mësimore, përfshirë praktikat profesionale.