Të nxënit përmes punës

Arsimi profesional u ofron të rinjve avantazhin e madh të përgatitjes për tregun e punës përmes praktikave profesionale afatgjata në biznes. Këto praktika janë një mundësi e shkëlqyer për të ekspozuar nxënësit në botën e punës në mënyrë që të fitojnë aftësitë e nevojshme profesionale dhe për jetën. Gjatë këtij procesi nxënësit këshillohen nga instruktorët në shkollë e në biznes për të bërë zgjedhje të mirëinformuara për karrierën dhe për t’u punësuar në pozicione që u përshtaten aftësive, talenteve dhe edukimit të tyre.

Para se të niste projekti “Aftësi për Punë”, praktika profesionale ofrohej në periudha afatshkurtra. Për të përputhur më mirë angazhimet dhe kërkesat e kompanive, hartuam modelin e praktikave profesionale të shtrira gjatë gjithë vitit dhe skemat e praktikave për drejtime të ndryshme.

Çfarë e bën të suksesshëm këtë model?

1. Ndërtimi i marrëdhënieve me biznesin
Baza e sistemit të arsimit profesional të bazuar në praktika profesionale afatgjata mbështetet në një rrjet të gjerë të kompanive partnere. Të gjithë shkollat partnere kanë një funksion përgjegjës për ndërtimin dhe koordinimin e këtyre marrëdhënieve tek Njësia e Zhvillimit (shih pikën 5 në vijim). Shkollat kontaktojnë kompani dhe punëdhënës të gatshëm që shohin përfitime të ndërsjella në këtë bashkëpunim.

2. Bashkëpunimi me liderët e industrisë
Shkollat profesionale synojnë të tërheqin lojtarët më të mirë të sektorit privat në rajonet e tyre. Ato dëshirojnë të lidhen me kompani që kanë një vizion të qartë për të ardhmen dhe janë të gatshme të investojnë në rritjen e mëtejshme.

3. Situatë në të cilën të gjithë pjesëmarrësit fitojnë
Një kusht paraprak për praktikat profesionale është që të tre palët të përfshihen dhe përfitojnë:
• Praktikantët përmirësojnë aftësitë e tyre përmes praktikës profesionale;
• Kompanitë investojnë në trajnimin e punonjësve të tyre të ardhshëm;
• Institucionet publike të arsimit profesional ndihmojnë në reduktimin e shpenzimeve publike për trajnim praktik.

4. Krijimi i një mjedisi stimulues
Shkollat tona partnere dhe ekipi i projektit kanë një objektiv të përbashkët: të krijojnë në Shqipëri një mjedis ku të nxënit përmes praktikës profesionale afatgjatë të kultivohet dhe lulëzojë vazhdimisht. Ekipi i projektit dhe shkollat sensibilizojnë të gjithë grupet e përfituesve, duke punuar së bashku me agjencitë e punësimit. Për të arritur marrëveshje për praktikat profesionale, ata krijojnë instrumente për mësuesit që mundësojnë monitorimin e praktikave dhe shumë më tepër.

5. Funksioni i Marrëdhënies me Biznesin tek Njësia e Zhvillimit
Funksioni i Marrëdhënies me Biznesin në Njësinë së Zhvillimit ka të bëjë me krijimin e lidhjeve midis shkollave dhe kompanive private dhe organizimin e aktivitete të ndryshme për t’i vendosur nxënësit në kontakt me botën e punës. S4J ofron vazhdimisht mbështetje dhe trajnime për Koordinatorët e Marrëdhënies me Biznesin, në mënyrë që ky funksion kyç të konsolidohet për të gjithë ofruesit partnerë.

6. Prindër të përfshirë
Mbështetja e dhënë nga prindërit dhe pjesëtarët e familjes gjatë periudhës së praktikës profesionale afatgjatë është shumë e rëndësishme. Sa më të angazhuar të jenë prindërit, aq më të mira janë gjasat që praktika të shkojë mirë për një praktikant.

7. Instruktorë në biznes të trajnuar
Trajnimi i instruktorëve në biznes është një nga shumë aspekte që projekti merr në konsideratë për të përmirësuar cilësinë e praktikave profesionale afatgjata dhe për të garantuar që të gjithë nxënësit e përfshirë do të përfitojnë prej tyre. Nëse mentorët janë të përkushtuar ndaj praktikantëve të tyre të rinj, kjo do t’i inkurajojë praktikantët të japin një kontribut të konsiderueshëm në kompani.