Zhvillimi institucional

S4J i mbështet ofruesit partnerë që të krijojnë struktura administrative efikase dhe të kenë një menaxhim strategjik të institucionit, duke lehtësuar:

• Procesin e planifikimit strategjik;
• Mirëfunksionimin e Njësisë së Zhvillimit;
• Mirëfunksionimin e strukturave të brendshme;
• Procesin e vetëvlerësimit të institucioneve.

Planifikimi strategjik

Përmes planifikimit strategjik institucionet ofruese të AFP-së formulojnë vizionin, objektivat dhe prioritetet strategjike. Kjo përmirëson procesin e menaxhimit dhe fuqizon institucionet. “Aftësi për Punë” i mbështet ofruesit partnerë në drejtim të:

• Hartimit dhe integrimit të dokumenteve të strategjisë dhe planeve vjetore të veprimit në menaxhimin e institucionit;
• Kryerjes së analizës së menaxhimit financiar;
• Integrimit të sistemit të menaxhimit të të dhënave.

Njësia e Zhvillimit

Njësia e Zhvillimit, më parë e emërtuar “Qendra e Karrierës”, është një strukturë shumë e rëndësishme e shkollave profesionale, pasi është përgjegjëse për menaxhimin strategjik të institucionit. Ajo përbëhet nga koordinatorë për secilin nga këto funksione:
1. Orientimi në karrierë
2. Marrëdhënia me biznesin
3. Zhvillimi i vazhduar profesional i mësuesve
4. Zhvillimi i kurrikulës
5. Gjurmimi
6. Zhvillimi i projekteve
7. Marketingu dhe promovimi

“Aftësi për Punë” i mbështet institucionet partnere me zhvillim kapacitetesh të përfaqësuesve për secilin funksion dhe infrastrukturën e nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e Njësisë së Zhvillimit.

Strukturat e brendshme

S4J i mbështet ofruesit partnerë që ata të kenë struktura të brendshme të konsoliduara, gjë që sjell një menaxhim më të mirë të institucionit. Përpjekje të vazhdueshme bëhen veçanërisht me bordet drejtuese, një strukturë kyçe për të siguruar cilësinë e asaj që shkolla ofron. Në bordet drejtuese të shkollave profesionale marrin pjesë 2 përfaqësues nga sektori privat, njëri prej të cilëve është edhe kryetar bordi. Ata janë shumë të rëndësishëm pasi sjellin përvojën e tyre në mënyrë që shkolla t’u ofrojë nxënësve një përgatitje cilësore dhe të orientuar nga tregu i punës.

Institucionet tona partnere mbështeten për të rritur përfshirjen e bizneseve në bordet drejtuese si dhe për të organizuar mbledhje më të strukturuara dhe të orientuara drejt rezultateve. Bizneset kanë dhënë një kontribut të çmuar deri tani, duke arritur deri në hapjen e drejtimeve të reja që kanë potencial punësimi për të rinjtë.

Vetëvlerësimi

Të gjitha institucionet publike të arsimit profesional ndjekin procesin e vetëvlerësimit. Ky proces i ndihmon ato të vlerësojnë faktorët e brendshëm e të jashtëm që ndikojnë në punën e tyre dhe siguron informacion të vlefshëm për procesin e planifikimit afatgjatë të çdo institucioni.
S4J i mbështet ofruesit partnerë për të realizuar vetëvlerësimin; proces që ka nisur në dhjetor 2018. Secili nga institucionet ka zgjedhur një grup pune, i cili udhëheq dhe mbikqyr vlerësimin duke përdorur një sërë instrumentesh të përgatitura nga projekti i PNUD-it “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Shqipëri (SDC).