Arsimi dhe Inteligjenca Artificiale

Arsimi dhe Inteligjenca Artificiale

Ndërsa debati në lidhje me kohën e përshtatshme të fëmijëve për të qëndruar para ekranit vazhdon midis arsimtarëve, psikologëve dhe prindërve, teknologjia në formën e Inteligjencës Artificiale dhe të mësuarit përmes pajisjeve teknologjike mund të jetë e ardhmja në arsim. Sipas raportit të Tregut të Inteligjencës Artificiale në Sektorin e Arsimit të SH.B.A, pritet që prania e Inteligjencës Artificiale në arsim të rritet me 47,5% nga 2017-2021. Edhe pse shumica e ekspertëve besojnë se prania e mësuesve është e pazëvendësueshme, do të ketë shumë ndryshime në punën e një mësuesi dhe në praktikat më të mira arsimore.

Bashkëpunimi i mësuesit me Inteligjencën Artificiale

Tashmë IA është aplikuar në arsim kryesisht me disa mjete që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive dhe sistemet e testimit. Ndërsa zgjidhjet e ofruara nga IA në arsim vazhdojnë të shtohen, shpresa është që IA të ndihmojë në plotësimin e boshllëqeve dhe nevojave në edukim duke lejuar që shkollat dhe mësuesit të realizojnë gjëra të pamenduara më parë. IA mund të nxisë efikasitetin, personalizimin dhe të modernizojë detyrat e mësuesit duke i krijuar atij kohë dhe liri për të siguruar mirëkuptim dhe përshtatshmëri me nxënësit; një aftësi unike njerëzore ku teknologjia çalon.

Duke shfrytëzuar karakteristikat më të mira të teknologjisë dhe mësuesve, vizioni për IA në arsim është që ata të punojnë së bashku për të arritur rezultatet më të mira me nxënësit. Meqenëse nxënësit e sotëm do të duhet të punojnë në një të ardhme ku IA është realitet, është e rëndësishme që institucionet tona arsimore t’i ekspozojnë nxënësit dhe të përdorin teknologjinë.

Të mësuarit e diferencuar dhe individual

Përmirësimi i mësimit bazuar në nevojat e veçanta të një nxënësi ka qenë një prioritet për arsimtarët për vite me radhë, por IA do të lejojë një nivel diferencimi që është i pamundur për mësuesit që duhet të menaxhojnë 30 nxënës në klasë. Ekzistojnë disa kompani si “Content Technologies” dhe “Carnegie Learning” që aktualisht zhvillojnë dizajne inteligjente udhëzuesish dhe platforma digjitale që përdorin IA për të siguruar nxënie, testim dhe reagime te nxënësit. Kjo u jep atyre sfida për të cilat janë të gatshëm, identifikon boshllëqet në njohuri dhe i ridrejton në tema të reja kur është e nevojshme. Ndërsa IA bëhet më e sofistikuar, mund të jetë e mundur që një makinë të lexojë shprehitë në fytyrën e një nxënësi që tregon se ata po përpiqen të kuptojnë një temë dhe do të modifikojë një mësim për t’iu përgjigjur këtij reagimi. Ideja e personalizimit të kurrikulës për nevojat e çdo nxënësi nuk është e vlefshme sot, por do të jetë për makineritë që fuqizohen nga IA.

Akses universal për të gjithë nxënësit dhe studentët

Mjetet e inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë që klasat globale të jenë të disponueshme për të gjithë, përfshirë ata që flasin gjuhë të ndryshme apo që mund të kenë vështirësi në shikim ose dëgjim. “Presentation Translator” është një opsion shtesë në programin PowerPoint që krijon titra në kohë reale për ato që thotë mësuesi. Kjo u jep mundësi edhe atyre nxënësve që nuk janë në gjendje të ndjekin shkollën për shkak të një sëmundjeje ose që kërkojnë të mësojnë në një nivel tjetër ose në një temë të veçantë që nuk ofrohet nga shkolla e tyre.

Automatizon detyrat e administratorit

Një arsimtar kalon shumë kohë duke vlerësuar detyrat e shtëpisë dhe testet. IA mund të ndërhyjë dhe të bëjë një punë më të shpejtë për këto detyra, e në të njëjtën kohë të ofrojë rekomandime për mënyrën si mund të minimizohen boshllëqet në të mësuar. Megjithëse makineritë tashmë mund të vlerësojnë testet me zgjedhje të shumëfishta, ato janë shumë afër të qenit në gjendje të vlerësojnë edhe përgjigjet me shkrim. Ndërsa IA ndërhyn për të automatizuar detyrat e administratorit, u jep mundësi mësuesve të kalojnë më shumë kohë me secilin nxënës.

Mentorim dhe mbështetje jashtë klasës

Pyesni cilindo prind që ka luftuar për të ndihmuar fëmijën e tij adoleshent në lëndën e matematikës. Ata do ta vlerësojnë potencialin e IA për të mbështetur fëmijët e tyre kur kanë vështirësi me detyrat e shtëpisë ose përgatitjen para provimit. Programet mësimore po përparojnë falë inteligjencës artificiale, dhe së shpejti ato do të jenë më të disponueshme dhe të afta t’i përgjigjen një sërë modelesh të të nxënit.

Ka shumë më tepër aplikime të IA në arsim që janë duke u zhvilluar, duke përfshirë mentorët e IA për nxënësit, zhvillimin e mëtejshëm të përmbajtjes inteligjente dhe një metodë të re të zhvillimit personal për arsimtarët përmes konferencave globale virtuale. Sektori i arsimit mund të jetë pak më i ngadaltë në adoptimin e inteligjencës artificiale dhe të mësuarit përmes teknologjisë, por ndryshimet kanë filluar dhe do të vazhdojnë.

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen “Bernard Marr & Co.”. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: