Cilat janë arritjet dhe sfidat e AFP gjatë dhe pas pandemisë?
Shkollat profesionale dhe stafet e tyre mësimore u përballën me shumë sfida gjatë pandemisë për t’iu përshtatur kushteve të mësimit në distancë. Po si zhvillohet aktualisht procesi mësimor në arsimin profesional? Si mund të dizenjojmë kurrikula novatore në këtë normalitet të ri?
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeje dhe për të diskutuar gjetjet e studimit “Vlerësimi i procesit mësimor në shkollat profesionale në Shqipëri, 2020-2021“, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve në bashkëpunim me S4J, u mblodhëm gjatë muajit nëntor në një diskutim me përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për AFP, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të mësimdhënies, staf të shkollave profesionale në vend dhe përfaqësues kompanish.
Prof. em. Dr. Urs Gröhbiel, Drejtor i Rrjetit Zviceran për Inovacionin në Arsim, prezantoi mësimet e nxjerra dhe arritjet në këtë aspekt në rang ndërkombëtar, ndërsa Znj. Migena Kapllanaj, eksperte pranë S4J, prezantoi një përmbledhje të gjetjeve të studimit dhe rekomandimet për përmirësim.
Ndër të tjera, diskutimi në panel dhe me mësuesit u fokusua tek:
• Gatishmëria që insitucionet arsimore treguan në integrimin e metodave të reja të mësimdhenies në distancë dhe premisat për të ardhmen.
• Përgatitja në kohë të shkurtër e materialeve digjitale dhe përdorimi i platformave online.
• Qasja pozitive që mësuesit patën gjatë zgjidhjeve të reja digjitale dhe teknologjike, si dhe përfitimet e aftësimit të tyre teknik.
• Partneritet që u ndërtuan me shumë subjekte private, si një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit profesional të nxënësve.