Konkurs gatimi si formë alternative për realizimin e praktikës

Konkurs gatimi si formë alternative për realizimin e praktikës

Mësuese Merita gjatë orës së mësimit

Merita Koço është mësuese në drejtimin “Hoteleri-Turizëm” pranë shkollës Tregtare në Vlorë. Ajo ndjek nxënësit në praktika profesionale dhe siguron që ato të zhvillohen me cilësinë më të lartë. Por në mars 2020, pas përhapjes së pandemisë COVID-19, gjithçka ndryshoi.

Që në fillim të vitit shkollor Shkolla Tregtare Vlorë realizon planifikimin e praktikave profesionale, ku një pjesë e mirë e tyre kryhen në biznes. Megjithatë, për shkak të pandemisë praktikat profesionale nuk mund të realizoheshin sipas planit. Ateherë lindi nevoja që stafi i shkollës të vinte me ide dhe modalitete të reja të zhvillimit të praktikave profesionale; këtë herë në distancë:

“Kjo ishte shumë sfiduese për mësuesit dhe nxënësit, sidomos për drejtimin “Hoteleri-Turizëm”, profili “Kuzhinë-Pastiçeri”. Ky profil ka nevojë për mjedise stimuluese, mjete pune dhe bazë materiale. Ndërkohë është shumë i nevojshëm supervizimi dhe kontakti i vazhdueshëm me nxënësin.”

Për të realizuar praktikat në një formë të re, mësuese Meritës iu desh të ndryshonte planin dhe të zgjidhte ato module dhe tema që mund të realizoheshin në kushte shtëpie e me bazën materiale që nxënësit kishin në dispozicion.

Rozelja Kuka gjatë konkursit televiziv “House Kitchen”

Rozelja Kuka është nxënëse e klasës së 12-të, drejtimi Hoteleri-Turizëm tek Shkolla Tregtare Vlorë. Për të, përvoja e mësimit në distancë ka qenë pozitive:

“Në fillim ka qenë pak e vështirë, por kam qenë vazhdimisht në komunikim me mësuese Meritën që më ka ndihmuar shumë. Gjatë periudhës së karantinës ne kemi përdorur platformën MësoVET për të ndarë foto dhe video nga gatimi në shtëpi, dhe më pas vlerësonim njëri-tjetrin për punën më të mirë.”

Projekti mori përmasa më të mëdha kur televizioni “One TV” pranoi të bashkëpunonte me Shkollën Tregtare Vlorë për konkursin e kuzhinës “House Kitchen”. Kjo ishte një nismë e shef Aldo Mehmetit nga resorti “Marina Bay” me përfshirjen e nxënësve të shkollës. Të premten e çdo jave, nxënësit gatuanin nga shtëpitë e tyre dhe konkuronin me njëri-tjetrin në lidhje direkte. Gjatë programit ata kishin mundësi të shpjegonin pjatën që po gatuanin, përbërësit dhe mënyrën përgatitjes. Në fund bëhej vlerësimi i pjatës duke parë mënyrën e përgatitjes dhe respektimin e rregullave gjatë gatimit.

Shef Aldo Mehmeti

Përfshirja e shef Aldos në procesin e vlerësimit ishte shumë e rëndësishme në këtë konkurs. Ai ka ndjekur hap pas hapi programin duke u dhënë nxënësve komente të vyera për gatimet e tyre dhe si mund të përmirësoheshin më tej.

Rozelja është nga ata nxënës që morën pjesë në konkurs dhe madje u shpall fituese. Ajo tregon përvojën e saj:

“Përvoja e konkursit më pëlqeu shumë sepse ishte argëtuese dhe diçka që nuk e kisha provuar më parë. Gjithashtu, duke qenë se u shpalla fituese, u punësova nga resorti “Marina Bay” gjatë muajve të verës.”

“Prindërit më shkruanin vazhdimisht për të më falenderuar për mundësinë që iu kisha dhënë fëmijëve të tyre për të qenë pjesë e konkursit”, thotë mësuese Merita.

Share This Article: