Kur praktika profesionale çon në punësim

Kur praktika profesionale çon në punësim

Prej rreth 1 viti, kompania Pronatyra Conad (franchise i rrjetit të supermarketeve Conad) bashkëpunon me Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë duke pranuar nxënës të drejtimit Ekonomi-Biznes për praktika profesionale. Gjatë këtij viti, 12 nxënës të shkollës e kanë zhvilluar praktikën pranë kompanisë, përfshirë Zoje Stafa dhe Endri Çelmeta në klasën e 13-të, profili Tregti. Ata janë raste suksesi: të dy nxënësit u punësuan pranë kompanisë me kohë të pjesshme.

Për më shumë, në emisionin “Dita ime” tek A2 CNN kanë folur mësuese Linda Haxhiaj nga Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë, Zoja dhe Endri, si dhe Eriona Ibërshimi Abazi, Menaxhere Rekrutimi & Menaxhim Personeli tek Pronatyra Conad.

“Unë kam pasion ekonominë dhe për këtë arsye kam zgjedhur Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë. Më ka pëlqyer shumë përvoja në praktikë dhe më ka ndihmuar shumë”

thotë Zoja.

“Kompania jonë ka qenë gjithmonë shumë të hapur ndaj bashkëpunimeve të tilla, sepse tregu i punës dhe të rinjtë kanë shumë nevojë për to. Dëshira jonë është që jo vetëm t’u ofrojmë nxënësve praktika profesionale; por kemi një vizion më afatgjatë. Që në fillim, ua kemi bërë të qartë nxënësve që kompania jonë i ka dyert e hapura për punësim në të ardhmen si dhe për mundësi zhvillimi në karrierë. Unë ndihem me fat që kam pasur mundësinë të përzgjedh 13 nxënës nga kjo shkollë dhe mendoj që është misioni im ta ndaj këtë përvojë me kompanitë e tjera”,

thotë Erjona.
Share This Article: