Kurrikula duale: Risia që e përqendron të mësuarit e profesionit në biznes

Kurrikula duale: Risia që e përqendron të mësuarit e profesionit në biznes

Duke nisur nga viti shkollor 2024-2025, arsimi profesional do të zbatojë kurrikula duale, një nismë e Qeverisë Shqiptare në kuadër të reformave të ndërmarra për zhvillimin e kapitalit njerëzor në përputhje me nevojat e tregut të punës. Për disa nga drejtimet kryesore të arsimit profesional, nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin profile mësimore të modalitetit dual, të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J) dhe pjesëmarrjen aktive të sektorit privat.

Programet duale të mbështetura nga S4J dhe EHL, një organizatë konsulence për edukimin nga Zvicra, do të zbatohen për profilet mësimore të mëposhtme:

  • “Recepsion”, “Kuzhinë”, “Menaxhimi i Strukturave Akomoduese”, “Shërbime Ushqimi dhe Pije – nga EHL” dhe “Hoteleri – nga EHL“ për drejtimin “Hoteleri – Turizëm – nga EHL”;
  • “Shërbime Elektro-auto” për drejtimin “Shërbime Mjetesh Transporti”;
  • “Multimedia” për drejtimin “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”;
  • “Instalime dhe Mirëmbajtje të Rrjeteve dhe Impianteve Elektrike” për drejtimin “Elektroteknikë”.

Për herë të parë në modalitetin dual do të ofrohet programi pas të mesmes “Menaxhimi i Strukturave Akomoduese”, niveli V i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në Shkollën Tregtare Vlorë dhe në shkollën profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.  I hartuar për të diplomuarit e arsimit të mesëm si dhe të rritur që synojnë të pozicionohen në fushën e menaxhimit në sektorin e mikpritjes, ky kualifikim i aftëson individët për të punuar si menaxher i mesëm në struktura akomoduese, si: resort, hotele, agroturizëm, bujtina, hostel, etj., si dhe për të krijuar një sipërmarrje në industrinë e mikpritjes.

Për rishikimet e kurrikulave është ndërtuar një grup pune i përbërë nga përfaqësues biznesi, mësimdhënës të fushës dhe specialistë të AKAFPK me mbështjetjen e S4J, të cilët kanë kontribuar në hartimin e skelet-kurrikulave përkatëse. Tashmë nxënësit e shkollave profesionale do ta mësojnë profesionin jo vetëm pranë shkollës, por edhe pranë kompanive ku do të punojnë përkundrejt pagesës për të paktën tre ditë në javë. Angazhimi i nxënësit në kompani do të realizohet bazuar në një program të përgjithshëm të praktikës profesionale.

“Përvoja zvicerane, por jo vetëm, me arsimin dual, ku shkolla është e lidhur me biznesin dhe ku cilido nxënës kalon pjesën më të madhe të kohës duke mësuar profesionin në kompani, na ka dëshmuar të gjithëve se sa i rëndësishëm është ky model për një perspektivë të mirë të të rinjve në tregun e punës, si të punësuar apo vetëpunësuar. Projekti “Aftësi për Punë” në thuajse një dekadë ka mbështetur ndërtimin e një përvoje transformuese për shkollat dhe jemi të gëzuar që këtë kontribut për sistemin e AFP-së ta çojmë në një nivel të ri”

Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit “Aftësi për Punë” (S4J)
Share This Article: