
Marrëdhënie më të ngushta me biznesin për zbatimin e një arsimi dual të orientuar nga tregu i punës
Pas një përkushtimi shumëvjeçar në afrimin e arsimit dhe formimit profesional me biznesin, projekti “Aftësi për Punë“ (S4J) po mbështet Qeverinë Shqiptare në angazhimin e kompanive partnere me shkollat profesionale që po zbatojnë sistemin dual. Për këtë qëllim, me mbështetjen e S4J janë organizuar një sërë takimesh mes shkollave profesionale dhe kompanive të rajoneve përkatëse që janë bërë pjesë e kësaj nisme.
Këto takime kanë si qëllim familjarizimin e përfaqësuesve të biznesit me arsimin dual, duke i njohur ata me kushtet dhe kriteret që kompanitë duhet të plotësojnë për të punësuar nxënësit – punëmarrës për mësimin e profesionit si dhe me aspektet ligjore dhe teknike të kontratave të punës, duke përfunduar me dakordësimin për ofrimin e arsimit të dyfishtë nga ana e kompanisë. Për kompanitë, kjo përfshin pagesën mujore të praktikantëve dhe caktimin e një mentori për mbikëqyrjen, udhëzimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm dhe përfundimtar të nxënësve – punëmarrës.
Një nga takimet që u zhvillua me praninë e disa bizneseve ishte ai i Elbasanit, ku përfaqësues nga Shkolla Profesionale Elbasan diskutuan me drejtuesit e autoserviseve që do të mundësojnë mësimin e profesionit për nxënësit e profilit “Shërbime Elektro-auto (dual)”. Gjatë takimit, u trajtuan aspekte të mobilizimit të kompanive për organizimin e praktikës, si dhe u prezantua skelet-kurrikula dhe programi i përgjithshëm i praktikës profesionale në kompani.
Deri tani, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me mbi 100 kompani trajnuese për arsimin dual dhe vendet e lira të punës të këtyre kompanive janë publikuar në portalin e punësimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Lidhur me mentorimin e praktikantëve, parashikohet trajnimi i mentorëve brenda tre muajve pas nënshkrimit të kontratës së punës. Kompanitë do të marrin mbështetje në trajnimin e mentorëve mbi rolin dhe metodologjinë e trajnimit dhe trajtimit të nxënësve – punëmarrës.
Nga ana tjetër, S4J ka mbështetur shkollat profesionale që ofrojnë programe duale në nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me kompanitë për ofrimin e arsimit dual si dhe në publikimin e pozicioneve vakante për nxënësit – punëmarrës. Shkollat janë mbështetur edhe në procesin e vlerësimit të përmbushjes së kritereve për angazhimin e kompanive në arsimin dual.
