Mbështetja e Zvicrës për nismën e arsimit dual: Intervistë me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj znj. Ruth Huber
Pse është e rëndësishme për Zvicrën që të mbështesë vende si Shqipëria në dualizimin e arsimit profesional?
Zvicra ka një program bashkëpunimi me Shqipërinë, i cili veç të tjerash mbulon edhe zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Ky program synon arritjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, më shumë mundësi biznesi dhe vende pune të denja.
Një fuqi punëtore e kualifikuar është një faktor kyç për të pasur punësim më të lartë me punë më të mira. Në këtë kontekst, sistemi i arsimit profesional dual është dëshmuar shumë efektiv. Përvoja jonë në Zvicër por edhe në vende të tjera ka treguar se arsimi profesional dual rezulton në një fuqi punëtore më të kualifikuar pasi kombinon arsimin teorik me përvojën praktike.
Një arsye tjetër për mbështetjen tonë është përmbushja e synimeve më të gjera ndërkombëtare, siç janë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDGs), veçanërisht Objektivi 4 (Arsim cilësor) dhe Objektivi 8 (Punë e denjë dhe Rritje ekonomike). Përfshirja e Zvicrës ndihmon në arritjen e këtyre objektivave globale.
Shqipëria po krijon modelin e saj të arsimit profesional, frymëzuar nga modelet zvicerane dhe modelet e tjera të suksesshme. Duke ndarë përvojën zvicerane, Zvicra ndihmon Shqipërinë të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm që përputhet me kërkesat e një ekonomie moderne. Jemi të lumtur ta mbështesim këtë proces përmes projekteve si “Aftësi për Punë” zbatuar nga Swisscontact dhe “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” përmes UNDP-së.
Cili është mesazhi juaj për të rinjtë dhe bizneset shqiptare mbi përfitimet e arsimit dual?
Arsimi profesional dual ofron përfitime të jashtëzakonshme për të rinjtë dhe bizneset shqiptare. Përmes tij, ata kanë mundësi të ndërtojnë të ardhmen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Për të rinjtë dua të theksoj se përmes arsimit profesional dual ata mund të kombinojnë arsimin me përvojën praktike. Ata nuk mësojnë vetëm teori në klasë, por i aplikojnë njohuritë në mjedise të botës reale dhe fitojnë aftësi praktike që kërkohen nga punëdhënësit. Kjo rrit mundësitë e tyre për të gjetur punë të mira më shpejt dhe i ndihmon të nisin karrierën me besim dhe kompetencë.
Për sa i përket bizneseve, angazhimi në sistemin e arsimit profesional dual i ndihmon ata të aftësojnë fuqinë punëtore të së nesërmes. Bizneset fitojnë akses te individë të rinj, të motivuar, të cilët janë të etur për të mësuar dhe kontribuar. Trajnimi i nxënësve në kompani u lejon të rinjve të përshtasin njohuritë e tyre për të përmbushur nevojat specifike të bizneseve. Në afat të gjatë, kjo krijon një fuqi punëtore më produktive dhe novatore, duke ndihmuar bizneset të rriten dhe të mbeten konkurruese.
Për ta përmbledhur, arsimi profesional dual është fitimprurës si për të rinjtë ashtu edhe për bizneset. Ai i pajis të rinjtë me aftësi që përputhen me kërkesat e tregut të punës, ndërkohë që u siguron bizneseve një fluks të qëndrueshëm punonjësish të kualifikuar.