Si po funksionon mësimi në distancë në arsimin e formimin profesional

Si po funksionon mësimi në distancë në arsimin e formimin profesional

Në rrethanat e përhapjes së COVID-19, mësimi në distancë ka marrë rol parësor për të kapërcyer pengesën e ndjekjes fizike të studimeve për shkak të karantinës. Kjo pasqyrohet edhe në arsimin dhe formimin profesional (AFP), i cili veç të tjerash has edhe sfidën e zhvillimit të praktikave profesionale.
Për të adresuar situatën e mbylljes së shkollave profesionale dhe si pjesë e përpjekjeve për të promovuar mësimin online, projekti “Aftësi për Punë” ka shtrirë dhe intensifikuar ndihmën ndaj shkollave partnere të projektit dhe më gjerë, për përdorimin e platformës “MësoVET” (www.mesovet.al). Platforma është një mjedis virtual i të mësuarit i zhvilluar nga S4J dhe bërë funksional gjatë vitit 2018.

Në fund të muajit mars, projekti “Aftësi për Punë” realizoi sondazhe me nxënës dhe mësues në 10 shkolla të AFP, prej të cilave 9 shkolla partnere të projektit. Ky është studimi i parë i këtij lloji për arsimin e formimin profesional në Shqipëri, dhe synon kryesisht të bëjë një vlerësim të shpejtë të situatës, të kuptojë perceptimet e mësuesve dhe nxënësve, si dhe të informojë hapat e nevojshëm për përmirësimin e procesit.

Disa nga konkluzionet kryesore të raportit, janë:
• Nxënësit dhe mësuesit duket se e kanë pranuar mësimin në distancë si zgjidhjen më të mirë realizimin e procesit mësimor.
• Sjellja e mësuesve dhe nxënësve po ndryshon dhe po i përshtatet realitetit të mësimit nga shtëpia.
• Procesi mësimor po realizohet kryesisht me WhatsApp. Platforma digjitale si “MësoVET” apo Google Classroom përdoren në përqindje më të ulëta.
• Ndërhyrjet nga projekti S4J, si me platformën “MësoVET” dhe me trajnimin dhe mbështetjen e mësuesve, ka ndikuar pozitivisht dhe i ka gjetur shkollat partnere të projektit më të përgatitura në përballimin e kësaj situate.
• Përdorimi masiv i platformave digjitale të mësimit në distancë online kërkon ende shumë punë dhe angazhim të palëve, edhe gjatë periudhave normale të mësimit.
• Mungesa e pajisjeve elektronike dhe mbështetja në internet të vazhdueshëm e dobësojnë cilësinë e mësimit në distancë online.
• Mungesa e materialeve mësimore digjitale është ndër pengesat kryesore për përdorimin e platformave digjitale nga ana e mësuesve.
• Nevoja për implementim të menjëhershëm të mësimit në distancë online vuri në dukje domosdoshmërinë për digjitalizimin dhe inovacionin e sistemit arsimor në tërësi.

Më shumë mbi projektin “Aftësi për Punë”
“Aftësi për Punë” (S4J) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC), cili zbatohet në Shqipëri nga organizata Swisscontact. Ky projekt synon t’u ofrojë të rinjve shqiptarë cilësinë më të lartë të arsimit e formimit profesional, dhe si rezultat i kësaj, një punësim më të shpejtë e të denjë. Projekti mbështet 10 institucione të AFP-së në Shqipëri (32% të nxënësve në AFP) për të aplikuar mënyra të reja të të nxënit, krijuar marrëdhënie të ngushta me bizneset, ofruar praktika profesionale në kompani dhe për t’i ndihmuar nxënësit të kualifikohen për tregun e punës.

#Kontakt
Vlerësojmë bashkëpunimin tuaj duke e publikuar artikullin në mediat që përfaqësoni! Për më tepër informacion jeni të ftuar të na shkruani në adresën: [email protected]

Share This Article: