Përdorimi i rrjeteve sociale për një mësimdhënie efikase

Përdorimi i rrjeteve sociale për një mësimdhënie efikase

Vojsava Delilaj

Vojsava Delilaj është mësuese në drejtimin “Mekanikë” pranë shkollës “Ali Myftiu” në Elbasan. Si mësuesit e tjerë, edhe ajo u përball me një situatë të pazakontë pandemie ku nevojiteshin metoda të reja të mësimdhënies që mësimi të mos ndërpritej.

Ndërveprimi dhe reazimi i mësimit ishte një nga sfidat më të mëdha të mësimit në distancë. Për këtë, mësuese Vojsavës i erdhën në ndihmë…rrjetet sociale!

Auto2010 EL është një grup në Facebook, aktiv prej 10 vitesh, ku nxënësit bashkëpunojnë dhe ndajnë përvojat online me synim rritjen e cilësisë së mësimdhënies e rezultateve sa më të larta të të nxënit.

Këtë përvojë të suksesshme mësuese Vojsava e shfrytëzoi gjatë zhvillimit të mësimit në distancë. Ajo nxiti publikimin e rasteve studimore në grup, të cilët falë pyetjeve që shtronin, ndihmojnë në zgjidhje profesionale të problemeve, gjithëpërfshirje të nxënësve, zhvillimin e debatit, si dhe përfshirjen e ish-nxënësve të shkollës dhe specialistëve të biznesit me përvojën e tyre.

Rastet studimore të postuara në grupin e Facebook-ut ndihmuan në rritjen e pjesëmarrjes, cilësisë së komunikimit, vlerësimit cilësor të nxënësve dhe në bashkëpunimin mes nxënësve e mësuesve të shkollave partnere. Ky komunikim online rriti interesin e individëve të ndryshëm të cilët kërkonin zgjidhje të parregullsive në mjetet e tyre të transportit, duke e publikuar problemin si një rast studimor në këtë faqe.

Angazhimi i shtuar ka krijuar mundësi komunikimi cilësor e profesional, shkëmbim experience dhe ndihmë të ndërsjelltë mes mësuesve e nxënësve. Ai gjithashtu ka ndihmuar në afësimin e nxënësve për t’u dhënë zgjidhje praktike problemeve pranë biznesit ku janë punësuar, si rezultat i aftësive të marra gjatë zhvillimit të moduleve të praktikës profesionale. Njëkohësisht është rritur dëshira dhe guximi i ish-nxënësve të shkollës për të menaxhuar e drejtuar një biznes të vetin, mbështetur e motivuar nga njohuritë e shprehitë e marra në shkollë.

Vojsava Delilaj

Share This Article: